Panorama (Albania)

Silverston, Luis Hamilton triumfon me... tri rrota

-

Luis Hamilton regjistroi dje suksesin e tretë, në katër e garat e para sezonale të zhvilluara në Formula 1. Piloti britanik e kaloi i pari finishin në Çmimin e Madh të Anglisë, ndonëse u detyrua ta mbyllë një pjesë të xhiros së fundit me një gomë të çarë. Në vendin e dytë u rendit Maks Vershtapen, ndërsa podiumi u plotësua nga Sharl Lëklerk, me pilotin e Ferrarit që përfitoi nga problemet që shfaqi makina tjetër Mercedes e Valteri Botas. Në zonën e pikëve u fut edhe Sebastian Fetel, ndonëse gjermani ishte shumë larg kreut dhe e përfundoi garën në vendin e dhjetë. Kështu Çmimi i Madh i Britanisë dhuroi një sukses rokamboles­k për kampionin në fuqi të Formulës 1, pasi përtej dominimit gjatë gjithë garës, fundi ishte një triller i vërtetë. Gjatë xhiros së fundit, Hamilton çan gomën e majtë të përparme dhe është i detyruar ta mbyllë garën me tri goma. Megjithatë 6 herë kampioni i botës ia del që ta kalojë finishin para Maks Vershtapen­it. Ky i fundit, ndonëse për një moment shpresoi se mund të bënte goditjen e madhe në Silverston, kjo gjë nuk u realizua. Një paraqitje e mirë edhe e Sharl Lëklerk, i cili për herë të dytë gjatë këtij sezoni arrin që të ngjitet në podium. Megjithatë monegasku ishte me fat, sepse edhe makina tjetër Mercedes shfaqi probleme me gomat, ku Valteri Botas u detyrua të futet në bokse pikërisht gjatë xhiros së fundit, për të mbyllur më pas garën në vendin e 11- të. Kështu, gara e djeshme e mbajtur me dyer të mbyllura në Silverston dhuroi shumë emocione për të gjithë të apasionuar­it e Formulës 1, pasi pilotët luftuan fort që nga filli e deri në fund. Në vendin e katërt u klasifikua Daniel Riçardo, në të pestin Lando Norris, ndërsa vendi i gjashtë dhe i shtatë shkoi respektivi­sht për Okon dhe Pierr Gaslin. Këtij të fundit iu tërhoq vazhdimish­t vërejtje për manovra të rrezikshme në pistë, ku tentoi të evitonte në disa raste parakalime­t e kundërshta­rëve. Në vendin e nëntë u rendit Stroll, ndërsa me vështirësi në zonën e pikëve u fut edhe Sebastian Fetel, i cili e përfundoi garën i dhjeti, duke lënë pas vetes Valteri Botasin. Finlandezi i Mercedesit bëri një futje të detyruar në bokse, pasi dëmtoi gomën. Piloti i ardhshëm i Ferrarit, Karlos Sainz, nuk mundi të shkoi më shumë se vendi i 13- të. I pafat ishte edhe Niko Hulkenberg. Gjermani që u paraqit në Silverston për të zëvendësua­r Serxho Perezin, pasi ky i fundit rezultoi pozitiv me COVID disa ditë më parë, nuk mundi të merrte pjesë në garë, për shkak se makina e tij Racing Point pësoi një defekt teknik në "power unit". Formula 1 do të vijojë këtë fundjavë me garën e pestë të sezonit, që do të mbahet sërish në Britani.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania