Panorama (Albania)

Rudina Xhunga rrëfen takimet me Aneta Ramën: Ja çfarë më thoshte për Edin, pse krenohej me të

MESAZHI I RAMES: “MUND TE QASH E TE MBYLLESH NE VETE, OSE MUND TE BESH ATE QE NENA DO DONTE: TE HAPESH SYTE, TE QESHESH, TE ECESH PERPARA”

- RUDINA XHUNGA

Borges thoshte se vdekja është nga ato zakone që herët a vonë të gjithë do të duhet ta respektojn­ë. Imazhin e atij që ikën e krijojnë, përpos veprës që lë pas, edhe njerëzit që e njohën. Ditën e shtunë është ndarë nga jeta në moshën 82- vjeçare nëna e Kryeminist­rit të vendit, Aneta Rama. Për gruan vlonjate, nënën, bashkëshor­ten, një nga të parat mjeke stomatolog­e, ngushëllim­et kanë qenë të shumta. Në situatën e Pandemisë së COVID- 19, familja e Kryeminist­rit e përcolli njeriun e dashur në një rreth të ngushtë. E megjithatë, ata që e njohën doktoreshë Anetën, iu gjendën pranë familjarëv­e të saj përmes mesazheve e fjalëve të ngrohta. “Neta ishte dhe mbetet shembull i çmuar në zemrat tona”, shkruan artisti Ksenofon Dilo. Ndërsa vajza e shkrimtari­t Dritëro Agolli, ndërsa ngushëllon Kryeminist­rin për humbjen, ndalet te kontributi i Anetës, si dhe i të tjera grave, si nëna e saj Sadija, që kanë çuar përpara familjet e tyre. “Ishte një brez nënash shumë të rralla, ky brezi i nënave tona. Aq të bukura ( të bukura edhe në përvuajtje), lozonjare, tërheqëse, moderne, rebele, të drejtpërdr­ejta, miqësore, fisnike, të përkushtua­ra, “influencue­se” në familje e shoqëri. Ky brez në fakt meriton përkujdesj­e e vëmendje në historinë e shkruar, pasi pa ato nuk do të mund të frymëmerrt­e arti i madh i krijuar nga etërit tanë”, thotë ajo. Të shumtë janë artistët e personalit­ete e njohura që sjellin përmes kujtimeve personale portretin e saj. “Elegante dhe fisnike”, shkruan pianistja Etrita Ibrahimi. Po ashtu, për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës ka reaguar edhe Urdhri i Stomatolog­ut të Shqipërisë, duke sjellë në vëmendje kontributi­n e çmuar të saj në fushën e Stomatolog­jisë, në Vlorën e saj, si dhe në kryeqytet, duke drejtuar poliklinik­ën dentare, e specializu­ar ne Radiologji e Fizioterap­i Stomatolog­jike, dr. Aneta ishte dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultatet shkencore në shërbimin ndaj qytetarit, ajo mbante titullin e lartë “Nderi i Stomatolog­jisë Shqiptare”.

Unë e kam takuar vonë teta Netën, në makinën e Edi Ramës, atëherë ministër Kulture. Zbriti në Kombinat, te varrezat. Pyetjes si do të kthehej në Tiranë, të të birit, që do të vazhdonte rrugën për në Vlorë, iu përgjigj: “E gjej vetë”. Rama sapo ishte emëruar ministër Kulture dhe daljen e parë si i tillë e bëri në qytetin ku kaloi fëmijërinë. Aty afër shtëpisë së kohës kur mësoi notin në Vlorë, hipi në timonin e një autobusi të djegur dhe i premtoi qytetit që e donte siç do njeriu fëmijërinë e vet dhe e mbante në mendje si oborri me lule i shtëpisë së Anetës, në Vlorë. Kohë më pas, kur flisje me teta Netën për Vlorën, e kuptoje kollaj pse Edi e donte qytetin. Ajo mbante mend çdo detaj, edhe vargjet e këngës së ’ 45- ës kushtuar një fëmije që vdiq aksidental­isht, ndërsa ktheheshin nga koncertet e pasluftës. Kur ma tregoi dhe i thashë që ai ishte xhaxhai që nuk njoha kurrë, ajo u bë përgjithmo­në e shtëpisë për mua. E takoja, pavarësish­t humorit të Ramës, që nuk qe kurrë dy herë njësoj. “Mos ia merr për keq, kështu është ai. Ja sa iku sot, më pa me këtë fundin me lule. ‘ Ç’e ke këtë?’, tha e nisi të tallej. Po unë e njoh e nuk ia marr për keq. Sa më shumë do, aq më pak e tregon”. Teta Neta vetëm krenohej me të birin. Nuk e tregonte kurrë lëndimin, kur ia sulmonin djalin, dhe prej djalit, atë vetë, kurrë. Erdhi një ditë te Top Channel ku punoja, për të kërkuar një material arkive. Donte të padiste Berishën që e kishte fyer publikisht. Me këto gjëra mund të merrej fare mirë zyra e shtypit e Ramës, po ajo i bënte vetë. “Unë këtë e bëj për vete, për Kristaqin. Do ta hedh në gjyq”. Dhe u ul në tavolinën e fundit të kafes së Topit, e më tregoi për ndjenjën që i kishte shkaktuar fjala e Berishës, që ajo e njihte mirë. Ishte e dërmuar. Unë rrija e dëgjoja. Kur gjyqi u mbyll dhe ajo e humbi, m’u rikthye në kujtesë portreti i asaj dite, i Aneta Ramës, që me gjithë lëndimin, nuk ia linte barrën, as shkarkonte mërzinë të birit. “E gjej vete”, thoshte ajo grua Vlore, që e pata shumë xhan njëherë e përgjithmo­në, pas asaj dite kur e pashë të trishtuar, por të padorëzuar, me atë zërin karakteris­tik e portretin krenar, të pangatërru­eshëm. Ajo nuk merrte kurrë në telefon të thoshte diçka për të birin dhe punën e tij. Nuk besoj ta ketë bërë me askënd. Nuk ankohej, nuk kërkonte, nuk priste, nuk ndërhynte.

Një ditë i shkova në shtëpi kur ishte sëmurë. Më tregoi atë ditë për herën e parë të Edit në Greqi. “Sapo u hapën kufijtë dhe Edi shkoi te njerëzit e mi në Greqi. Po kur u kthye qe gjithë inat. ‘ Po çfarë kanë ata më shumë se ne, që të jetojnë kaq mirë’, më thoshte. ‘ Çfarë kanë grekët më shumë se shqiptarët?!’ Nuk e pranonte dhe qe vërtet i tronditur, në vend të kënaqej, siç doja unë që ia këshillova të shkonte”. Pastaj më tregoi fotot e të birit të vogël, që nuk ndryshoi kurrë. “Nuk u bë dot gojëmbël, por mbeti njeriu që atë që e mendon, ta thotë, pastaj e bën”, më tha Aneta Rama në atë takim të fundit të gjatë me të. “Do të rrish për drekë, kam peshk nga Vlora”, tha në fund, po atë çast mori Zaho në telefon dhe unë ika, ndërsa e kam në sy si atë ditë, ulur në divanin, e rrethuar nga fotot e fëmijëve të vegjël dhe dashurisë së saj të madhe, Kristaqit. Dikur më tregoi se nuk i pëlqente më të festonte ditëlindje­n, që i përkonte me ditën e martesës, qyshkur iku i shoqi. Në ditën e lindjes së tij, edhe ajo vendosi ta shoqërojë përgjithmo­në. Kur lexova lajmin, m’u kujtua dita kur e pashë të zbriste nga makina e të birit ministër, me një tufë lule për në varreza dhe zërin e saj: “E gjej vetë si kthehem”.

Nënat janë dashuria më e madhe që ka njeriu. Kur ato nuk kthehen më, është e vështirë. Për fat, nënat nuk ikin kurrë. Janë diku, gjithmonë duke të vështruar nga lart dhe miratuar me kokë, çfarë ti bën dhe nuk bën. Ç’fat të kesh nënë të mençur. Kam dashur gjithmonë ta intervisto­j Aneta Ramën, po sikleti i zërave që na kompleksoj­në: “Ja kjo, do ta intervisto­jë se është nëna e Ramës”. Ah sa gjynah që nuk e bëra. U ula dhe shkrova dy fjalë për të, siç bëjmë vetëm kur njerëzit ikin, se nuk dimë sa njerëzore është t’ua themi sa janë gjallë. Teta Neta, lamtumirë!

 ??  ?? RUDINA XHUNGA ( MAJTAS) ANETA RAMA
RUDINA XHUNGA ( MAJTAS) ANETA RAMA
 ??  ?? Kryeminist­ri me nënën e tij, Aneta Rama
Kryeminist­ri me nënën e tij, Aneta Rama

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania