Panorama (Albania)

Mjekra krihet, katundi digjet

- NDUE DEDAJ

Inisëm këto radhë thjesht si ca shënime vere argëtuese, me pak humor rreth mjekrës...

së tjetrit, kur ajo bëhet “shqetësimi” ynë, por na e ndryshuan rrjedhën e tyre të lirë lajmet e ditës, për zjarre gjithandej në vend, duke na bërë të ndërthurni­m gjëra krejt pa lidhje në dukje me njëra- tjetrën, si mjekrën e njeriut me flakët e pyllit, por duke e moderuar, për etikë, atë fjalën e urtë: “Mjekra krihet, fshati digjet”... 1 “Pse e ke lënë mjekrën?”... është një pyetje, me të cilën, pas gjithë gjasave, janë përballur të gjithë ata që këto kohët e fundit kanë lënë mjekër, Kryeminist­ri Rama, ipeshkvi i Rrëshnit, Imzot Meta, analistë të njohur si Lubonja, Haxhiu, Shkullaku dhe plot të tjerë. “Je burrë i mirë, gjithmonë kam pasur respekt për ty, po me këtë mjekrën, kështu, si të të them?!...”, i drejtohej një punonjëse në pension ish- shefit të saj kryebashki­ak.

Asgjë e re. Njerëzit gjithmonë kanë pasur “hall” me u marrë me “Mustaqet e Çelos”, pra, me gjëra koti, teksa përballë kishin vërtet probleme që donin rrahur mes tyre. Duket se nuk ka lidhje, por është bash ajo mendësia e dikurshme e favoriteve ( borsetave) të gjata si shfaqje e huaj, në vitet ’ 70, që pasohej gjer me fletërrufe. Personalis­ht, kur isha fëmijë, më ka pas bërë përshtypje mjekra e Ho Shi Min- it, udhëheqësi­t të Vietnamit, por jo si “shfaqje e huaj”. Aq më pak mjekrat e klasikëve të marksizmit: Marksit, Engëlsit e Leninit dhe mustaqet e Stalinit, pasi çdo gjë të tyre asokohe e quanim legjitime. Meqë jemi jashtë me shembujt ilustrues, zor se ndokujt i bën përshtypje mjekra e mjaft artistëve të Hollivudit, përkundraz­i, mbase ajo i bën më tërheqës e interesant­ë. Fundja, është gjë krejt personale nëse dikush mban qime në fytyrë ose jo dhe dikush tjetër i rruan ato.

Problemi nuk janë ata, por ne që nuk shohim asnjëherë punën tonë, por “qimen” te tjetri, duke e trashur e bërë tra. ( Ah, nëse në rrethanat e krijuara nga pandemia, “stili i mbajtjes së mustaqeve dhe mjekrës së gjatë nuk rekomandoh­et, sepse nuk janë të përshtatsh­me kur përdoret maska”, siç thuhet në rrjetet sociale, kjo prapë iu takon atyre ta gjykojnë).

Me apo pa mjekër, njerëzit kanë bërë mrekullira dhe marrëzira ndër kohëra. Filozofë, poetë dhe dramaturgë të mëdhenj të antikiteti­t greko- romak as s’i ka penguar, as s’i ka ndihmuar mjekra të ishin ata që janë. Me mjekër ishte Viktor Hygoi kur shkroi romani “Shën Mëria e Parisit”. Fan Noli ynë me mjekër bëri revolucion­in demokratik të paarrirë në 1924- ën dhe një vepër letrare, historike, akademike të nivelit europian.

Thënë ndryshe, puna vlen për këdo, herët e vonë e jo ( mos) duku, apo “guna”, siç thotë populli... 2 Sot, njerëz të rëndësishë­m të vendit, për rastësi me mjekër, por pa pushtet, bëjnë thirrje të shpëtohen pyjet dhe pemëtoret nga zjarret e përhapura në të gjithë vendin, ndërkohë që njerëz me mjekër dhe me pushtet nuk i ngrënë helikopter­ët e shtetit për shuarjen e tyre, pa shkuar shkresat zyrtare nga prefektura­t, a thua se zjarret e këtij gushti të nxehtë presin letrat e burokracis­ë që të fikën?!... Për të sjellë një rast emergjent, po bëhen dy javë që nuk po shuhen flakët në pyjet e lisit të Molungut dhe Katundit të Vjetër në zonën e Rubikut, një fshat turistik nga më të lakmuarit e Veriut, me disa resorte dhe kulla- bujtina, i frekuentua­r dhe nga Tirana e Kosova, ku rrezikohet dhe një pyll shekullor gështenjas­h. Flakët kanë përshkuar dhe malet e Kakarriqit e Torovicës në rrethin e Lezhës, pyjet e Kukësit, Tropojës, Semanit e Gjirokastr­ës etj., siç thuhet, një “zakon” i keq i blegtorëve për të liruar kullotat, që ne nuk kemi qenë të zot t’i ndalim. Pa pushkë e pa topa, gjithë këto vite, zjarrvënës­it tanë i kanë shkaktuar dëme vendit sa një ushtri pushtuese.

Ndoshta ca gjëra s’i ka ujdisur mirë as natyra, që stinës së verës i ka “dhënë” dhe plazhet e freskëta buzë detit dhe zjarret shpërthyes­e në male. Zyrtarët, me pushime, e kanë të vështirë t’i kthejnë kryet nga kreshtat malore ku del tym, teksa janë duke u shullâ në diell. Është e drejta e tyre që të pushojnë edhe ata si gjithë të tjerët, por shteti nuk “mbyllet” asnjëherë, ai ka njerëz që paguhen për emergjenca­t civile, verë e dimër, si ata kufitarët që ndërrohen me turne, por nuk e lënë asnjëherë në mëshirë të fatit piramidën që iu është besuar. T’u thuash pushtetarë­ve se dikur ka pasur edhe vrojtues pyjorë zjarresh që paguheshin, kjo duket sikur atyre po u tregon epokën e gurit. Apo t’u thuash tjetrën, se Kanadaja në flamurin kombëtar ka si simbol një gjethe panje. Ana tjetër, përballemi me zjarret, por jo me parandalim­in e tyre nga zjarrvënës­it e qëllimshëm, çka do të thotë se përgjegjës­ia është dhe e vetë komuniteti­t.

Mund të shtyheshim edhe më thellë kësisoj, jo vetëm në flakët që duken, në pyjet që digjen, pasi fundja ato, një herë do të shuhen, o nga zjarrfikës­it e banorët vullnetarë, o nga shirat e mundshëm. Thelbi i gjësë janë “flakët” e padukshme, të përhershme të 30 viteve tranzicion. Ndaj, kush, mjekra e dikujt, apo tenderët e gabuar, janë problemi? Mjekra e qeveritarë­ve apo korrupsion­i që ka paralizuar çdo “qelizë” të jetës?... Mjekra e ca udhëheqësv­e të maxhorancë­s, bashkë me atë të ca deputetëve të “konvertuar” në të tillë, apo ndryshimet kushtetues­e pa opozitën reale?... Mjekra e njerëzve të drejtësisë apo dhënia udhë dosjes “339”?...

Mjekra prej vërteti ( pa metaforë) është çështje vetëm për disa “shakaxhinj” dhe aspak për ata mijëra vetë që presin shtëpitë e “tërmetit” në Durrës, Thumanë, Laç etj., për të hyrë brenda në dimër…

Lë pastaj, për të hyrë të gjithë së bashku, me, apo pa mjekra, në Europë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania