Rama: Babai im ka qenë komunist dhe ka qenë në anën e duhur të historisë
Kryeministri Rama, në seancën e datës 30 korrik kur u ndryshua Kushtetuta, në morinë e shumë çështjeve që trajtoi ishte edhe lidhja me sistemin komunist. Ai tha nga salla e Kuvendit se ai nuk ka asnjë lidhje me komunizmin, edhe pse i ati i tij kishte qenë i tillë. Për Kryeministrin Rama, i ati Kristaq Rama kishte qenë në anën e duhur të historisë dhe ata që e sulmojnë sot janë për të ardhur keq. “Sa për komunistin, ballistin, unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me të. Im atë po, ka qenë komunist si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë. Kur ju, tani të thuash ty ‘ ju’ është fyerje për Mithat Frashërin, se je një mbetje e lodhur në një gropë të historisë, por po ju them që s’kam asnjë problem me komunistë e ballistë si persona dhe ju e mësuat këtë nga Enver Hoxha se ju bëri më të zinj sesa veten, në mënyrën sesi sulmoni kundërshtarin; se ju mësoi ai merru me mesazherin, jo me mesazhin, se po ta kishit në dorë ju, do të ishit më zinj se Enver Hoxha. Socialistët, që ta dish, janë antifashistë dhe antikomunistë, jo si i mendoni ju, por nuk merren me persona, me ideologjitë dhe kjo është ndarja e madhe. Ju jeni kopje e zezë, ti, tjetri, tjetri, Saliu i pari dhe ata që janë jashtë, kopje e zezë e së shkuarës, që i turreni së kuqes si demi, por jeni e zeza, se e ktheni politikën në instrument për të fyer e sulmuar njerëz”, tha Rama në Kuvend më 30 korrik. Sakaq, pas fjalës në Kuvend, Kryeministri Rama i dedikoi një mesazh në rrjetet sociale babait të tij, Kristaq Rama, me rastin e 88vjetorit. Mes të tjerash, kreu i qeverisë shkruante se përtej të gjithë baltës dhe akuzave që janë hedhur këto vite, vepra e tij do të mbetet dhe nuk do mund të mohohet nga askush.