70 MIJE PERFITUES Shtëpitë e para ‘ 91, si ndahen tapitë e reja
Në proces janë 70 mijë ndërtime në Tiranë dhe në rrethe. Kalimi i pronësisë së ndërtimit dhe truallit është falas për 300 metra katrorë
Për sipërfaqet deri 300 metra katrorë, familjet që kanë në posedim shtëpi të ndërtuara para viteve 1991, nuk kanë asnjë detyrim financiar.
E vetmja faturë në ngarkim për regjistrimin e këtyre pasurive dhe pajisjen me tapi është tarifa e shërbimit. "Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të ALUIZNI- t ( sot Kadastra) tarifën e shërbimit në vlerën e 8 mijë lekëve për çdo kat ndërtimi, e cila përdoret për të përballuar shpenzimet e evidentimit në terren dhe shpenzimet e tjera të procedurës administrative. Kjo tarifë i njoftohet përfituesit menjëherë pas përfundimit të periudhës së afishimit, nëse përmbushen kushtet për të përfituar kalimin e pronësisë sipas këtij vendimi", saktësohet në nenin 15 të vendimit 442, të miratuar gati dy vite më parë.
PËRFITUESIT Gazeta boton sot emrat e qytetarëve, dosjet e të cilëve janë marrë në shqyrtim nga zyrat e Kadastrës. Brenda një periudhe 30- ditore, agjencia ka detyrimin e pajisjes së këtyre familjeve me certifikatën e pronësisë. "Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Kadastrës bën afishimin publik për qytetarët, për të cilët kanë nisur procedurat e kalimit në pronësi të objekteve të ndërtuara para vitit 1991 ( sipas VKMsë 442). Publikimi i planvendosjes së objekteve që po trajtohen nga ASHK bëhet për një periudhë 30- ditore", thuhet në njoftimin që shoqëron çdo dosje. Edhe pse kanë kaluar dy vite nga miratimi i bazës së re ligjore, procesi për hipotekimin e shtëpive të para ' 91 duhet thënë se ka ecur me ritme të ngadalta dhe vetëm një pjesë e vogël kanë mundur ta përmbyllin praktikat e regjistrimit. Muajin e kaluar u morën në shqyrtim 28 dosje, nga drejtoritë në Elbasan, Shkodër, Durrës, Lezhë, Dibër dhe Vlorë. Ndërsa këtë fillim muaji janë bërë publike emrat e 70 familjeve, të cilat po ashtu janë në proces hipotekimi.
KATEGORITË Vendimi i miratuar dy vite më parë për regjistrimin e shtëpive të para ' 91 parashikon po ashtu edhe kategoritë, të cilat përfitojnë nga ky ligj. Kështu, janë pjesë e tij të gjitha ato banesa të vjetra, të cilave u mungon akti i fitimit të pronësisë. Së dyti, ato ndërtime, të cilat nga pikëpamja ndërtimore janë të përfunduara, me mure dhe me mbulesë dhe së fundmi që nuk janë të skeduara si ndërtime pa leje, të cilat përfshihen në ligjin e legalizimeve. KALIMI I PRONËSISË Kalimi i pronësisë së ndërtimit dhe truallit për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë kryhet pa pagesë. Por familjet kanë të drejtë të marrin deri në 500 metër katrorë. Kjo sipërfaqe shtesë do të mund të përfitohet me çmim tregu dhe paratë e përftuara nga ky proces shkojnë për pronarët e shpronësuar. "Me kërkesë të posaçme, subjektit mund t'i kalohen në pronësi pjesët e sipërfaqes shtetërore mbi masën e përcaktuar në pikën 14 të këtij vendimi, deri në 500 metra katrorë. Përjashtimisht, nëse nga konfigurimi i truallit funksional rezulton se krijohen sipërfaqe të lira, që tejkalojnë masën e 500 metrave katrorë dhe që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtime të reja, subjekti mund të përfitojë kalimin e pronësisë edhe për to", specifikohet në vendim.