Zyrtarja e qeverisë gjermane: Konferenca e parë për integrimin, nëse plotësohen kushtet
Susanne Schutz: Sistemi gjyqësor dhe liria e medias janë shtylla të rëndësishme që përcaktojnë ritmin e integrimit
“Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternativë për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar”
Ballkani Perëndimor është në krye të axhendës së presidencës gjermane në Këshillim e BE- së, por progresi konkret i shteteve drejt integrimit në BE – nga hapja e negociatave dhe kapitujve – varet nga angazhimi i tyre në drejtim të sundimit të ligjit dhe lirisë së medias, sipas Susanne Schutz, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale në Gjermani.
Gjermania mori përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian këtë korrik dhe Schutz thotë se dëshiron të shohë “një vrull të ri” në marrëdhëniet midis bllokut dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo pason vendimin e BE- së për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe paketën e solidaritetit prej 3,3 miliardë eurosh të rënë dakord për rajonin, për të zbutur pasojat e pandemisë së koronavirusit. Për rrugën europiane të Shqipërisë dhe në plan afatshkurtër hapjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim, ish- ambasadorja gjermane thekson se do të jenë shumë të rëndësishme progresi në fushën e drejtësisë dhe lirisë së medias. PRIORITETET E GJERMANISË Më tej, ish- ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri foli për prioritetet gjermane në drejtimin 6- mujor të presidencës së BE- së. “Ne duam ta vazhdojmë këtë dinamikë pozitive. Kjo do të thotë para së gjithash se duhet të vazhdohet të hidhen themelet për bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përfunduar strukturat e bisedimeve. Ne synojmë të mbajmë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit”, shpjegoi Schutz. Berlini, i cili në rajon shihet shpesh si vendimmarrësi kryesor kur bëhet fjalë për aspiratat e BE- së për të ashtuquajturin “Ballkan Perëndimor 6”, gjithashtu planifikon të përqendrohet në muajt në vazhdim te demografia dhe emigracioni. Në kërkimin të një punësimi më të mirë, shtetasit nga Ballkani po shkojnë çdo vit gjithnjë e më shumë drejt Gjermanisë. Mirëpo, Schutz thotë se kjo lëvizje është gjithashtu problematike. “Edhe pse si rezultat i kësaj Gjermania dhe vendet e tjera po fitojnë profesionistë të trajnuar, në vendet e tyre mbeten boshllëqe të përhershme – jo vetëm në sektorin e shëndetit. Arsyet e largimit nuk janë vetëm ekonomike. Ato kanë të bëjnë gjithashtu edhe me deficitet e vazhdueshme në fushën e sundimit të ligjit, emërimet jomeritokratike dhe korrupsionin. Duke qenë se shumica e njerëzve nga rajoni emigrojnë drejt vendeve të BE- së, ne mendojmë se është e rëndësishme të kërkojmë koncepte që mund të zbusin efektet negative dhe të shfrytëzojmë aspekte që janë të dobishme si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për BE- në. Për këtë qëllim, ne planifikojmë të zhvillojmë një konferencë me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës sonë të Këshillit”, njoftoi Schutz. REFORMA NË DREJTËSI
Reformat në sistemin e drejtësisë dhe reforma në ligjin zgjedhor janë identifikuar si përparësi për Shqipërinë nga Gjermania dhe BE- ja, tha diplomatja gjermane. “Që prej ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, ne kemi parë që Reforma në Drejtësi, përfshirë vetingu i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, është tepër sfiduese”. Sipas Schutz, Reforma në sistemin gjyqësor që ka nisur Shqipëria është shumë e vështirë, por që sipas saj është e vetmja alternativë për vendin. “Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternativë për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar”, theksoi Susanne Schutz.
LIRIA E MEDIAS Gjermania po vëzhgon gjithashtu reformat zgjedhore në vend, si dhe zhvillimet rreth legjislacionit të ri për median, që qeveria e sheh si një mundësi për të rregulluar hapësirën në internet, por që kritikët e shohin gjithashtu si një përpjekje për të frenuar lirinë e medias. “Liria e medias është një temë shumë e rëndësishme për qeverinë gjermane në përgjithësi dhe sigurisht, edhe gjatë presidencës sonë të Këshillit Europian. Një media e lirë dhe e pavarur është shtylla e çdo demokracie të gjallë. Kjo është arsyeja pse liria e shtypit dhe e medias është gjithashtu shumë e rëndësishme në procesin e pranimit. Projektligji i ri për median në Shqipëri nuk pasqyron ende standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, paralajmëroi ajo. “Ne e shohim mendimin e fundit nga Komisioni i Venecias si një udhëzues adekuat për punën në vazhdim brenda Parlamentit Shqiptar për të përmirësuar projektligjin, sidomos në lidhje me përcaktimin e fushës së tij, proporcionalitetin e gjobave dhe pavarësinë e organeve të AMA- s ( Autoriteti i Mediave Audiovizive, i ngarkuar me monitorimin e ndryshimeve të planifikuara)”, u shpreh Susanne Schutz. Më tej, ajo theksoi se mangësitë e ligjit tashmë janë evidentuar dhe se duhet punuar që ato të jenë brenda standardeve që imponon BE- ja për lirinë e medias. “Raporti i fundit i përkohshëm i Komisionit Europian, me të drejtë e cilësoi projektligjin si të mangët në fusha të caktuara dhe jo plotësisht në përputhje me standardet e BEsë dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe medias. Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BEsë. Procesi i pranimit ofron udhëzime: Kapitulli 23 për sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, i cili përfshin lirinë e medias, është një shtyllë e rëndësishme e këtij procesi. Si një nga dy kapitujt më të rëndësishëm, ai do të përcaktojë ritmin me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor i afrohen më pranë BE- së”, përfundoi Schutz.