Basha me taksistët: Do të heqim taksën “Rama” te nafta
Kreu i PD: Pandemia, trafiku dhe korsitë e biçikletave kanë çuar taksistët në kufijtë e mbijetesës, favorizohen kompanitë “Taxi”
Kryedemokrati, Lulzim Basha, zbriti dje në terren për të marrë vet shqetësimet që kanë taksistët. Duke e nisur nga selia blu, kreu i PD- së përshkroi një distancë të gjatë për të kuptuar nga deklaratat e tyre, problemet me të cilat haset kjo kategori e punonjësve.
Emëruesi i përbashkët i shqetësimeve të taksistëve me bizneset e tjera ishte rënia e xhiros. Në një prononcim për mediat, pasi zhvilloi disa takime, kreu i PDsë tha se puna e tyre ka rënë me 70%. “Problemi kryesor që taksistët kanë është thellimi i krizës ekonomike që reflektohet në një rënie të madhe të numrit të pasagjerëve, pra të xhiros, u përmend një mesatare prej 30% e xhiros që kanë pasur përpara. Pra, në përgjithësi këto ditë kam parë shumicën e bizneseve që kam vizituar, ka një rënie prej 50% të xhiros. Taksistët janë ndër sektorët më të goditur, edhe në kuptimin e turizmit që morën një goditje, por edhe në kuptimin e zbrazjes së xhepave të njerëzve që edhe kur kanë nevoja ekstreme, nevojën për të shkuar në spital apo kudo tjetër e kanë të pamundur të marrin taksinë”, tha Basha. Problem specifik i kryeqytetit për këtë sektor është trafiku i rënduar dhe korsitë e biçikletave, që sipas kryedemokratit, ndonëse konstatohet në masë nga shumë kategori biznesesh se nuk ka shumë përdorues biçikletash, korsitë e dedikuara për to janë me sipërfaqe të madhe. “Dhe në këtë kuadër përmendëm disa probleme që janë thelluar, siç është për shembull ajo që e konsiderojnë si shtimi i korsive të biçikletave, që sjell edhe rrezik për transportin edhe ngushton arteriet e trafikut. Është problem edhe për biznesin, sepse nuk kanë ku të parkojnë makinat dhe e kanë shumë të vështirë klientët potencialë që të parkojnë dhe të shkojnë në sipërmarrje. Ajo që ngrenë dhe që e dëgjoj kudo është se numri i përdoruesve i këtyre korsive të biçikletave është shumë i ulët, pra, ka një përfitim të ulët dhe një kosto shumë të madhe qoftë për trafikun, qoftë për sipërmarrjen, qoftë për mungesën e parkimeve në kryeqytet. Por, problemi kryesor dhe më i madh që kanë është trajtimi i padrejtë që iu bëhet. Ka një diferencim midis taksistëve që janë pronarë të makinave të tyre dhe një trajtimi monopolist që iu bëhet disa faktorëve të tjerë në treg; kjo, çmimi i karburantit, trafiku i shtuar në qytet dhe fakti që iu është dashur të paguajnë detyrimet kokërr më kokërr, iu shkojnë 1.5- 1.6 milionë lekë të vjetra në vit”, vijoi Basha.
PREMTIMI Taksistëve, kryedemokrati Lulzim Basha u tregoi edhe për programin ekonomik, duke u premtuar se do të heq taksën mbi qarkullimin që kreu i PD e ka pagëzuar si taksa “Rama”, e cila merr në çdo litër karburant 24 lekë të reja. “E dyta, është një problem i vjetër i shkaktuar nga kjo qeveri, që është rritja e çmimit të naftës dhe benzinës që është 240 lekë/ litër, për shkak të vendosjes së një takse të padrejtë nga kjo qeveri prej 240 lekësh për çdo litër karburant. Këtu ju njoha me zotimin tim që është pjesë e planit tonë ekonomik, eliminimin e taksës “Rama” mbi karburantin, e cila do të bëjë të mundur që karburanti shqiptar të vijë në nivele të ngjashme të çmimit të karburantit në vendet fqinj. Dhe kjo do të ndihmojë jo vetëm taksistët dhe transportin, por do të ndihmojë në tërësi ekonominë, sepse karburanti është gjaku i ekonomisë”, tha Basha. Ndërsa si masë emergjente, kryedemokrati i bëri thirrje qeverisë që të implementojë paketën me 5 pika që ndër të tjera ndihmon edhe taksistët me 1 mijë euro për 6 muaj.