Trump: Nuk marr pjesë në një debat virtual, është qesharake
“Na vënë përpara kompjuterit dhe mund të na ndërpresin në çdo kohë”
Komisioni për Debatet Presidenciale ka njoftuar se debati i dytë Trump- Biden do të mbahet virtualisht “për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve”.
Debati është planifikuar të mbahet në distancë dhe të moderohet nga Steve Scully i “C- SPAN”. Presidenti Trump ishte planifikuar të marrë pjesë nga Shtëpia e Bardhë në debatin televiziv të 15 tetorit. Kjo zgjidhje do të evitonte edhe diskutimet e dy kampeve kundërshtare, si rasti me zëvendëspresidentët, që debatuan se sa larg duhet të jenë dy kandidatët nga njëri- tjetri, ose nëse duhet të ketë ekrane me pleksiglas mes tyre. Ekipet e Mike Pence dhe Kamala Harris përfundimisht ranë dakord që debati të mbahej me ata të dy ulur dhe të paktën 12 metra larg njëri- tjetrit, me peksiglas midis tyre. Debati i parë midis Presidentit dhe Joe Biden u kritikua gjerësisht për numrin e herëve që Trump u lejua të ndërpresë ish- nënpresidentin. Por për çdo ndryshim, të dyja fushatat duhet të bien dakord. Ka një precedent që zgjedhjet në SHBA të paraqesin një debat virtual. Në vitin 1960 John F. Kennedy dhe Richard Nixon debatuan në distancë, me Nixon në Los Anxhelos dhe
Kennedy- n në Nju Jork. Por Trump nuk e preferon një debat virtual. “Kam dëgjuar që komisioni pak më parë ndryshoi stilin e debatit. Kjo nuk është e pranueshme për ne. Unë nuk do të bëj një debat virtual. Unë nuk do ta harxhoj kohën time në një debat virtual, kjo nuk është ajo që ka të bëjë me debatin. Ju uleni pas një kompjuteri dhe bëni debate? Qesharake. Dhe pastaj ata ju ndërpresin kur të duan. Trump pohon se Komisioni për Debatet Presidenciale nuk ia komunikoi fushatës së tij planin, përpara njoftimit të së enjtes. REAGIMI I BIDEN U desh mbase një orë që dikush pranë Trump, si dhe kundërshtarët e tij, të spekulojnë se vendimi i Presidentit për të mos marrë pjesë në debatin e ardhshëm presidencial mund të ndryshojë. Këshilltari ekonomik i Trump, Larry Kudlow, tha në një intervistë me “Fox News” se pozicioni i Trump mund të jetë një pikë negocimi dhe se ai do të dëshironte që Presidenti të merrte pjesë në debatin virtual. Para se të nisej në një fluturim për në Arizona, i nominuari demokrat, Joe Biden, u tha gazetarëve se nuk e dinte se çfarë do të bënte nëse Trump nuk merr pjesë në debatin e ardhshëm. Një arsye që Biden tha se nuk ishte i sigurt se si të përgjigjej, ishte se “Trump ndryshon mendje çdo sekondë”. Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, bëri një pikë të ngjashme në një intervistë për “MSNBC”, ku ai u pyet për Trump duke anashkaluar debatin. Sanders tha: “Kjo ishte 12 sekonda më parë apo jo? Ai mund të ketë ndryshuar mendje që nga ajo kohë”. DEBATI I ZËVENDËSVE
Debati i nënpresidentëve të mërkurën ishte më pak armiqësor sesa debati Donald Trump- Joe Biden javën e kaluar, por siguroi një pasqyrë të mëtejshme të gjendjes së të dyja fushatave përpara nëntorit. Kamala Harris dhe Mike Pence u takuan në Utah për debatin e vetëm të zëvendëspresidentëve deri para zgjedhjeve, duke u përpjekur të çonin përpara qëndrimet e shefave të tyre. Ndërsa Biden vazhdon të udhëheqë Trump në sondazhet, presioni ishte veçanërisht mbi Pence për të mbrojtur rekordin e administratës, vetëm disa ditë pasi Presidenti doli pozitiv për Covid- 19.