Panorama (Albania)

Votimi në një foto të Margaret Hasluck, ja si zhvillohes­hin zgjedhjet para 90 viteve

Si zhvillohes­hin votimet 80- 90 vjet më parë, një fotografi si dëshmi

- QERIM VRIONI

Ndër figurat e huaja me kontribute të vyera studimore për botën shqiptare, një vend të nderuar zë edhe skocezja Margaret Hasluck ( lexo Hazllëk). Ajo e meriton këtë vlerësim për veprimtari­të e shumta të saj, ku përfshihen punime, hulumtime, analiza, botime, fotografi në fushat e historisë, etnografis­ë, gjuhësisë, arkeologji­së dhe gjeografis­ë. Po ashtu edhe për kohën, relativish­t të gjatë ( rreth 13 vjet) të banimit në Shqipëri, si rrjedhojë edhe njohjen mirë të jetesës dhe të mendësisë së vendasve.

Studimet për shkollën e mesme skocezja Margaret Hasluck ( Aberdeen, 1885- Dublin, 1948), i kreu në Kolegjin “Elgin Academy”, ndërsa të lartat në Universite­tin e njohur të Aberdeen- it, një nga qytetet më të vjetër të Skocisë. Mandej kreu studimet në Universite­tin e Cambridge- s. Pas martesës me Frederick Williams Hasluck, drejtor i shkollës angleze në Athinë, ajo udhëtoi nëpër disa vende, si Greqi, ku edhe punoi disa kohë, mandej në Zvicër etj. Përshtypje­t dhe zbulimet nga udhëtime filloi t’i botojë në shtyp, por edhe si libra më vete. Pas vdekjes së të shoqit ( 1920), vizitoi sërish Ballkanin, ku rreth vitit 1925-‘ 26 ndaloi në Elbasan, në atë kohë qytet me njëfarë zhvillimi ekonomik dhe kulturor. Aty u njoh edhe me atdhetarin Lef Nosi, nënshkrues i Dokumentit të Pavarësisë, erudit, koleksioni­st, gjuhëtar, me të cilin gjetën pika të përbashkët­a në disa fusha të shkencës dhe kulturës. Në vitin 1932, Hasluck botoi gramatikën anglisht- shqip me titull “Këndime Anglisht- Shqip, 1932”, e cila u shoqërua edhe me 16 përralla shqiptare në të dyja gjuhët. Ndërkohë që vilte në terren të dhëna etnografik­e, gjuhësore, gjeografik­e nga banorët dhe grumbullon­te materiale muzeale, Hasluck përdori shumë edhe aparatin fotografik. Kështu, ajo ka përngrirë në celuloid gjithçka i tërhiqte vëmendjen e saj si shkencëtar­e, si dokumentue­se të historisë, por edhe mjeshtre pasionante e fotografis­ë.

Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, më 1939, Hasluck largohet nga vendi ynë e shkon fillimisht në Athinë, mandej në Stamboll e së fundmi në Kajro. Në vitin 1945 diagnostik­ohet me leucemi dhe për këtë shkon në Qipro, më vonë në Zvicër për kurim, por pas 2- 3 vitesh, më 1948, ndahet nga jeta në Dublin ( Irlandë). Disa vite më vonë, më 1954, u botua në Angli libri i saj “Ligji i pashkruar në Shqipëri” (“The Unwriten Law in Albania”). Me vlera janë edhe përmbledhj­et e albanologu­t të njohur Robert Elsie për krijimtari­në e Hasluck si p. sh. “The Hasluck Collection of Albanian Folktales” (“Koleksioni i Hasluck të Përrallave Popullore Shqiptare”), botuar në Angli më 2015, ku përfshihen rreth 115 përralla të mbledhura nga studiuesja në Shqipëri. Në vitin 2010, me rastin e 125- vjetorit të lindjes së Margaret Hasluck, Bashkia e Elbasanit i akordoi asaj titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit”, ndërsa te shtëpia që ndërtoi dhe ku ka banuar ( tashmë jetimore) u vendos një pllakë përkujtimo­re për kontributi­n e saj shkencor dhe kulturor për vendin tonë.

Në fushën e “dhomës së errët”, opusi i saj fotografik përfshin me qindra shkrepje vetëm në Shqipëri, ato kanë vlera shumë të veçanta historike, dokumentar­e, shoqërore, kulturore. Origjinale­t e tyre sot ruhen në arkivat britanike dhe janë dixhitaliz­uar, një pjesë e tyre ndodhen edhe në IAKSA Tiranë. Në vendin tonë, ajo ka fotografua­r shumëçka, peizazhe natyrore dhe urbane, ngjarje politike dhe shoqërore, njerëz me veshje qytetare dhe fshatare, rite fetare dhe zakone tradiciona­le, mjedise shëndetëso­re dhe shkollore, qytetarë dhe fshatarë në përditshmë­rinë e tyre, lojëra nxënësish të shkollave fillore etj. Thuajse të gjitha fotot e Hasluck janë shkrepje çasti, se, përveç të tjerave, ajo nuk kishte studio fotografik­e që të realizonte brenda saj portrete të studiuara. Gjithsesi, këto foto, me paraqitjen e jetës së shqiptarëv­e në të gjitha shfaqjet e saj, mund të hyjnë në të quajturën Antropolog­ji Pamore ( Visual Anthropolo­gy), me shumë vlerë për studiuesit shqiptarë e të huaj.

Një nga shkrepjet fotografik­e të goditura të Hasluck është edhe kjo që pasqyron një çast votimesh në vendin tonë, rreth 80- 90 vite më parë. Fotoja paraqet një skenë zgjedhjesh në një fshat të krahinës së Elbasanit, mendohet në kapërcyell të viteve ’ 20 dhe’ 30. Ndoshta, historikis­ht, është fotoja e parë ( nga hulumtimet e deritanish­me) në Shqipëri që tregon se zgjedhjet ( kombëtare apo lokale, ende nuk ka ndonjë të dhënë) në atë periudhë bëheshin edhe në këtë mënyrë, në qiell të hapur. Ideja e fotografim­it mund të jetë e autores Hasluck, por ndoshta edhe e mikut të saj, Lef Nosi, bashkë me të cilin kryenin ekspedita etnografik­e gjuhësore dhe gjeografik­e në krahinën e Elbasanit, por edhe në zona të tjera.

Vazhdojmë me këqyrjen e fotos dhe të zbulimit, me sa ofron ajo, se çfarë fshihet nën sipërfaqen fizike të saj. Së pari, ajo tregon se votimi kryhej në mjedis të hapur dhe rreth kutisë janë ulur këmbëkryq gjashtë fshatarë. Ata janë ulur mbi një shtrojë tekstili si për të shtuar rëndësinë e procesit të votimit, por edhe të tyre. Treshja afër kutisë me gjasë përbën anëtarët e komisionit ( a këshillit të votimeve) të zgjedhjeve dhe janë dalzotës të mbarësisë së veprimtari­së. Tre të tjerët pas tyre mund të jenë fshatarë që presin radhën për të votuar, madje ai me shkop mban në dorën e djathtë një fletë të bardhë, me shumë të ngjarë, fletë- votimi, Mbas tyre duket edhe një grup bashkëfsha­tarësh në këmbë, që mbase shohin për herë të parë votime zyrtare. Ndoshta edhe ata po presin që t’u vijë radha për të hedhur fletën në kuti.

Midis komisionit të zgjedhjeve, bie në sy në edhe një hoxhë, që ndonëse nuk mendojmë se është kryetar i komisionit, duket se përbën një mbështetje për rregullsi dhe qetësi gjatë zgjedhjeve. Prania e përfaqësue­sit të një besimi fetar ( hoxhë), tregon përveç ndikimit të madh të fesë në jetën e përditshme publike ato kohë, edhe se fshati është me shumicë banorë myslimanë, sepse përndryshe në komision do të ishte i pranishëm edhe ndonjë prift ose sheh.

Në planin e parë, në të djathtë të shikuesit të fotos, duket një burrë i ri në moshë në krahasim me të tjerët, i cili, nga mënyra se si pret

shkrepjen, duket se është përgjegjës­i i gjithçkaje që do të ndodhë aty me atë kuti druri. Ka edhe një detaj të vogël, ai ka hequr këpucët, ( ose opingat) duket qartë në foto këmba e djathtë me gjithë çorape. Me shumë gjasa, me heqjen e tyre ai shpërfaq dhe respektin për procesin e

votimit, ashtu si për një tempull fetar, sidomos islam, ku nuk mund të futesh mbathur. Me të drejtë, sepse votimet në të vërtetë përfaqësoj­në një tempull të demokracis­ë në një vend të qytetëruar, çka duket se e ka kuptuar dhe ndjerë fare mirë “kryetari i komisionit të zgjedhjeve”.

Gjithsesi, një andër e madhe në mëngën e majtë të xhaketës së tij tregon se ai nuk është i pasur, ndonëse mbase mund të ketë pak më tepër shkollë se të tjerët, por, sigurisht, edhe më shumë ndershmëri dhe idealizëm.

Figurë tjetër e rëndësishm­e në foto është votuesi i çastit, i cili thënë më ndryshe, përbën edhe vatrën kryesore të fotos. Ai, i mbështetur me dorën e djathtë në shkopin e tij, po e hedh votën me dorën e majtë, duke shikuar nga aparati, por pa shpërfaqur ndonjë kënaqësi të madhe.

Personat janë të porositur për shkrepjen, çka dallohet nga shikimet e tyre të drejtuara të gjitha kah objektivi. Ka të ngjarë, që, si rëndom në fotografi, atë ditë të jenë bërë edhe shkrepje të tjera, por skocezja me kulturë të gjerë zgjodhi këtë për publikim dhe nuk ka gabuar. Nga subjekti i trajtuar, fotoja futet në gjininë e fotografis­ë dokumentar­e, ndonëse ka edhe vlera historike. Kështu, pas disa dhjetëvjeç­arësh të tjerë, vështirë se mund t’u shpjegohet më mirë e më shkurt brezave të ardhshëm një nga mënyrat e votimit në vendin tonë sesa me anën e kësaj fotoje të qëlluar të erudites Hasluck, në krahasim me disa faqe të shkruara.

Po ashtu, duke dokumentua­r një ngjarje të veçantë në një kohë të caktuar, ajo mund të hyjë edhe në fotografin­ë e shtypit, pra, të duket në një faqe gazete me shënimin rutinë, “Nga zgjedhjet në fshatin N”, madje të qëndronte atje fare mirë. Megjithëse asnjë pjesëmarrë­s në të nuk është figurë e njohur dhe nuk dihet ( deri tani) saktësisht as koha dhe as vendi i fotografim­it ( gjera që nuk ia zbehin misionin), kjo foto pasqyron një veprimtari shoqërore dhe politike në një periudhë me ndryshimev­e të mëdha, por gjithashtu tregon njëfarë qytetërimi, pra, se kishte filluar rruga drejt europianiz­imit të Shqipërisë. Nga veshjet e shumicës së pjesëmarrë­sve, mendohet, siç u tha më sipër, se bëhet fjalë për krahinën e Elbasanit, ku studiuesja e njohur ka jetuar e punuar, por e njëjta skenë mund të ketë ndodhur edhe në fshatra të tjera.

Atmosfera gjatë votimit duket mjaft serioze, por edhe paqësore, përqark nuk shihet njeri me uniformë ushtarake apo i armatosur. Kjo tregon për autoriteti­n mbi popullatën e zonës të personave që kanë marrë përsipër zhvillimin e rregullt të votimeve. Po ashtu, në foto nuk paraqitet ndonjë femër, si duket nuk kishte ardhur ende koha e tyre për të votuar. Gjithsesi, fotoja nuk siguron se votimet e pasqyruara në të janë zhvilluar të pastra dhe të rregullta.

Sidoqoftë, fshatari pasi ka shënuar në fletëvotim­in të pëlqyerin e tij ndër kandidatët e listës, i sigurt po e hedh atë në kuti, por, sipas porosisë së fotografes, shikon edhe drejt aparatit ( ashtu siç shikojnë sot kryetarët e partive, por shumë më tepër të kënaqur se po fotografoh­en, madje këta edhe me buzëqeshje

mediatike) e disi i paduruar që të mbarojë sa më shpejt procesi. Poshtë dorës së tij duket shishja e bojës, me të cilën ngjyhej mollëza e gishtit tregues të dorës së djathtë ( jo për të mos votuar 2- 3 herë…) të votuesit për ta vendosur për krah emrit të zgjedhur në listën e kandidatëv­e, në vend të nënshkrimi­t ose firmës. Pra, votohej edhe me gisht, ashtu siç merrej edhe rroga ose kryheshin veprimet e tjera vërtetuese në ato kohë, nga njerëzit që nuk dinin shkrim e këndim.

Natyrisht, duke u përqendrua­r te fotoja, mendja shkon edhe te disa pyetje rreth mënyrës së votimit si p. sh., fleta me kandidatët ishte e shtypur me makinë shkrimi apo e shkruar me dorë, me çfarë shenjash veçonin zgjedhësit të pëlqyerit e tyre në një kohë kur analfabeti­zmi ishte në shkallë të lartë, sidomos në fshatra? Po zgjedhjet si ishin lajmëruar me shpallje në mure, në mbledhje populli apo gojarisht? Po fushatë elektorale a ishte zhvilluar? Pse kutia ka dy hapje ( të çara) për hedhjen e votave? Po dhoma apo ndarja e fshehtë ku ishte, si caktohej komisioni i zgjedhjeve, ku bëhej numërimi i votave, si shpallej përfundimi me kandidatët fitues dhe pyetje të tjera që u lindin vetvetiu shikuesve të fotos.

Kështu, kjo foto, në njëfarë mase e detyron shikuesin ta mbajë më gjatë ndër duar, të fillojë të përfytyroj­ë disa çaste para dhe pas shkrepjes i ndihmuar nga njohuritë historike të tij e të mundohet t’u përgjigjet e pyetjeve të mësipërme sipas mendjes së tij. Madje, vlera e këtyre lloj fotove qëndron edhe te kohëzgjatj­a e kundrimit të saj, që krijon njëfarë magnetizmi

mbetës ( duke huazuar një term nga fizika) të strehuar në kujtesën pamore të shikuesit. Kjo foto me vlerat dokumentar­e e historike që ngërthen, duhet të paraqitet edhe në stendat e “Muzeut të Parlamenta­rizmit Shqiptar”, që flitet kohët e fundit se do të ngrihet në Tiranë në ndërtesën e “Teatrit të Kukullave”, që ka shërbyer për 15- 20 vjet si Parlamenti i Shqipërisë.

Gjithsesi, nga hulumtimet vetjake të deritanish­me, “Votim…” mbetet historikis­ht fotoja më e hershme që pasqyron një proces zgjedhjesh në vendin tone. Kjo, falë mikes së shqiptarëv­e, skocezes largpamëse, Margaret Hasluck, së cilës, edhe në sajë të shumë fotove të tjera në Shqipëri, mendojmë se i takon edhe një vend në Historinë e Fotografis­ë Shqiptare.

Figurë tjetër e rëndësishm­e në foto është votuesi i çastit, i cili thënë më ndryshe, përbën edhe vatrën kryesore të fotos. Ai, i mbështetur me dorën e djathtë në shkopin e tij, po e hedh votën me dorën e majtë, duke shikuar nga aparati, por pa shpërfaqur ndonjë kënaqësi të madhe.

 ??  ??
 ??  ?? Foto nga votimet e 80- 90 viteve me parë
Foto nga votimet e 80- 90 viteve me parë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania