Debati për zgjedhjet, Meta i kërkon respektimin e paktit të 5 qershorit, Rama rikthen në Kuvend ligjin për Presidentin
Meta: “Pa respektimin e 5 qershorit s’ka çelje negociatash”. Rama: “Presidenti të mos humbasë kohë, ta firmosë ose kthejë sa më parë”
Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama janë përplasur dje me deklarata në distancë me temë kryesore debati çështjen e reformës zgjedhore.
Presidenti Meta në fillim me anë të një postimi në rrjetet sociale, kur risillte në vëmendje momentin e betimit të tij si kreu i shtetit, theksoi se në qëndrimet e tij për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit kombëtar, ka qenë konsistent. Më tej në këtë postim në “Facebook” në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Meta kërkonte nga Kryeministri Rama që të reflektonte në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Kësaj thirrje të Metës, Rama iu përgjigj fillimisht duke i publikuar një fotomontazh, ku tregohej Presidenti duke i vendosur një medalje vetës së vetë. Por, Presidenti nuk e la me kaq dhe sërish përmes postimin në “Facebook” i kujtoi Kryeministrit Rama se nëse do të shkelej marrëveshja e 5 qershorit, nuk do të kishte çelje negociatash për Shqipërinë. Këtë herë Meta solli në vëmendje fjalën e tij në 1 prill 2013, teksa firmoste marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor me PS- së, kur deklaronte se tani duhet të miratohet tri ligjet që mbanin peng rrugën e integrimit të Shqipërisë. Por këtyre deklaratave të Metës nga rrjetet sociale, Rama iu përgjigj shumë shkurtimisht. Në dalje nga selia e PS- së, Rama iu drejtua Presidentit, duke i kërkuar atij që të marrë një vendim nëse do i dekretojë apo do i kthejë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas Metës të gjitha marrëveshjet janë respektuar dhe se tashmë nuk duhet humbur kohë me implementimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
META
“Meqenëse ‘ kryepinoku rilindas’ u justifikua për zgjedhjen e detyruar para tri vitesh të ‘ Presidentit të shkalluar’, më duhet t’ju kujtoj të gjithë socialistëve se Ilir Meta ka mbajtur çdo premtim për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit kombëtar. Unë u kam bërë të qartë se midis pushtetit dhe demokracisë, kam zgjedhur gjithmonë demokracinë se pushtet ka edhe në vendet jodemokratike, ku të drejtat e qytetarëve shtypen e dhunohen. Tani ju e kuptoni se çdo njeri që nuk blihet e frikësohet prej tij është ‘ i shkalluar’. Bën mirë të reflektojë dhe të respektojë 5 qershorin se përndryshe në 25 prill do të ketë jo vetëm një President ‘ të shkalluar’, por edhe tre milionë shqiptarë ‘ të shkalluar’ që do ‘ shkallmojnë’ me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin shqiptar për një grusht oligarkësh e banditësh”
RAMA
“5 qershori është respektuar, 30 qershori është respektuar dhe nuk ka më asgjë për të thënë edhe kohë për të humbur. Presidenti bën mirë ta firmosë ose ta kthejë sa më parë që të vazhdojë sa më parë implementimi, se koha është e kufizuar dhe ne do ta votojmë fiks siç e kemi votuar”, tha Rama në dalje nga mbledhja në selinë e PS- së më kryetarët e drejtuesve politikë në qarqe.
META
“Për të gjithë ata që më pyesin pse bëra koalicion me Partinë Socialiste në prill të vitit 2013, kam një kujtesë nga fjala ime e mbajtur në 5 maj 2013, Ditën e Shenjtë të Dëshmorëve, para familjarëve të tyre dhe veteranëve, ku kam bërë thirrje publike të votoheshin urgjent para zgjedhjeve parlamentare, Ligji për Gjykatën e Lartë, Ligji i Nëpunësit Civil dhe Reforma Parlamentare, tri kushte të Bashkimit Europian, që mbaheshin peng nga ‘ kryemashtruesi’ i ‘ sektit rilindje’. Në 30 maj 2013 isha po unë që e detyrova ‘ kryemashtruesin’ e ‘ sektit rilindje’ t’i votonte në Kuvend: Ligji për Gjykatën e Lartë me 108 vota pro. Ligji i Nëpunësit Civil me 107 vota pro. Reforma Parlamentare me 108 vota pro. Tani është koha t’i lerë mashtrimet ordinere dhe të kuptojë njëherë e mirë se pa respektimin e marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit nuk ka çelje negociatash.” LIGJI PËR PRESIDENTIN
Por, në një kohë që Presidenti dhe Kryeministri shkëmbenin deklarata dhe akuza në distancë në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, në kuadër të reformës zgjedhore, grupi parlamentar i PS- së në anën tjetër ka avancuar me përgatitjen e projektligjit për kompetencat e Presidentit. Ligji i paralajmëruar prej kohësh, tashmë është futur në rrugën parlamentare dhe pritet që deri para datës 15 tetor të jetë gati edhe dokumenti që do i paraqitet Komisionit të Ligjeve. Deputetët e PS- së që janë angazhuar në grupin e punës për këtë ligj organik kanë garantuar se do të ketë ndryshime sa i përket dhënies së dekoratave dhe nënshtetësisë nga Presidenti, por edhe ato që kanë të bëjnë me ceremonitë në lidhje me betimin e anëtarëve të organeve të reja të drejtësisë. Këto ndërhyrje që pritet të prezantojë PS në Kuvend janë rezultat i një përplasjeje prej më shumë se 1- vjeçare me Metën, përplasje e cila shkoi disa herë edhe në Komisionin e Venecias.