Nis punën KQZ- ja e re, Celibashi: Gati drafti për teknologjinë në zgjedhje
Zyrtarisht, dje ka nisur punën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas formatit të ri që u përcaktua në Kodin Zgjedhor që u votua në 23 korrik në Kuvend. Në fjalën e tij para mediave, kryekomisioneri, Ilirian Celibashi, u shpreh se implementimi i teknologjisë do të jetë një nga sfidat e institucionit që ai do të drejtojë. Sipas tij, puna për të arritur futjen e teknologjisë në zgjedhje nuk do të jetë vetëm në dorën e KQZ- së, pasi një rol me peshë do të ketë edhe mbështetja nga qeveria në kuadër të lëvrimit të financave. Celibashi theksoi në fjalën e tij më tej se shumë shpejt do të përfundojë hartimi i paketës së drafteve për këtë proces për t’i kaluar më pas Komisionit Rregullator të KQZ- së. “Është e vërtetë që ky është një proces mjaft kompleks dhe kërkon angazhimin e disa faktorëve, jo vetëm të institucionit të KQZ- së. Qeveria shqiptare ka një përgjegjësi të spikatur në lidhje me këtë çështje. Ne jemi në kontakt dhe besoj se gjatë kësaj jave do të kemi zhvillime dhe më konkrete në lidhje me këtë çështje. Shumë shpejt do të përgatisim draftin e akteve përkatëse që do të shqyrtohen nga Rregullatori. Shpresojmë dhe kam besim që do të arrijmë të kemi sukses në lidhje me këtë çështje, pasi jemi të ndërgjegjshëm se ka mjaft sensibilitet nga politika në lidhje me këtë çështje. Dhe për sa kohë qoftë edhe një pjesë e saj e shikon si një aspekt që lidhet ngushtësisht me integritetin e procesit zgjedhor, ne kemi të gjithë fokusin tek kjo çështje”, u shpreh Ilirian Celibashi. Gjatë këtij takimi të parë të KQZ- së së re, u prezantuan edhe anëtarët e Komisionit rregullator dhe atij të ankesave. Në Komisionin Rregullator janë përzgjedhur Ilirjana Nano, Dritan Çaka, Arens Çela, Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj. Ndërsa në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve janë zgjedhur Ilirjan Rusmali, Elvin Lako, Koli Bele, Elvis Çefa dhe Ledio Braho. Sakaq, e pranishme në këtë prezantim të parë të KQZ- së së re ishte edhe zv. kryekomisionerja, Lealba Pelingu, e cila do të ketë si detyrë kryesore të saj ndjekjen procesit për implementimin e teknologjisë.