Gjykata Kushtetuese, Meta shpall listën për vakancën e tretë
“Të fillojë menjëherë puna për të verifikuar kandidaturat dhe të tregohet çdo pengesë që mund të ndeshet gjatë procesit”
Presidenti Meta shpalli dje listën e aplikantëve për vakancën në Gjykatën Kushtetuese.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, kreu i shtetit zbuloi 10 emrat e juristëve që kanë dërguar dokumentet për të konkurruar për një vend në Gjykatën Kushtetuese. Kjo garë që ka shpallur Presidenti Meta është për vendin e lënë bosh nga ish- anëtari i Gjykatës Kushtetuese Bensik Imeraj. Emrat që kanë dërguar aplikimin e tyre për të zënë vendin e lënë vakant nga Besnik Imeraj janë si rezultat i shpalljes së tretë që ka bërë Presidenti Meta, pasi më herët në dy shpalljet e para nuk kishte mbetur asnjë kandidat i kualifikuar. Presidenti thotë se pas publikimit të emrave që kanë aplikuar për këtë pozicion në Gjykatën Kushtetuese, KED- ja duhet të nisë një orë e më parë punën për të verifikuar këto kandidatura dhe më pas t’ia nisë atij, në mënyrë që mos të zvarritet më tej plotësimi i saj. “Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre, do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të vijojë po menjëherë procesin për verifikimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit. Presidenti i Republikës përsërit edhe një herë thirrjen për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që me administrimin e listës së personave që kanë shprehur interesin për plotësimin e vendit vakant të ish- gjyqtarit Besnik Imeraj, të fillojë menjëherë nga puna me mbledhjen e dokumentacionit përkatës për të verifikuar sa më parë kandidaturat, duke bërë me dije çdo pengesë që mund të ndeshë gjatë procesit të mbledhjes dhe/ ose përpunimit të informacionit për këtë qëllim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
APELI Më tej, në njoftimin e shpërndarë për mediat, duke kërkuar që procesi për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese të marrë një ritëm tjetër, Presidenti apelon ndaj institucioneve shtetërore që të ofrojnë të gjithë ndihmën e nevojshme për KED- në që të bëjë verifikimin e kandidatëve në një kohë së më të shpejtë. “Presidenti u bën thirrje gjithashtu të gjitha institucioneve shtetërore të angazhohen me të gjitha kapacitetet dhe me përgjegjshmëri për t` i siguruar në kohën e duhur Këshillit të Emërimeve në Drejtësi informacionin e kërkuar prej tij për verifikimin e kandidatëve. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të 9 anëtarët e saj, në mënyrë që gjatë shqyrtimit të çështjeve kjo trupë gjyqësore të mos ndeshet me asnjë pengesë procedurale që bën të pamundur marrjen e vendimeve për themelin e pretendimeve kushtetuese të ngritura nga palët. Presidenti i rikujton KED- së se për plotësimin e vendit vakant të ishgjyqtarit Besnik Muçi, që aktualisht KED- ja ka në proces, të punojë pa ndërprerje, që të përfundojë sa më parë e sipas ligjit shqyrtimin e kandidaturave; të angazhohet me të gjitha kapacitetet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të cilëve u lejohet kandidimi; dhe t` i propozojë Presidentit listën e kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance, sipas Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në njoftim.