LISTA E ISSH
Pensionet, emrat e rinj që përfitojnë shtesën
Instituti i Sigurimeve miratoi dje listën e re të pensionistëve që marrin shtesën deri në 5 mijë lekë. Gazeta boton emrat e naftëtarëve, minatorëve e metalurgëve në gjithë vendin
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar dje emrat e pensionistëve që iu është llogaritur shtesa, bazuar në ligjin për trajtimin me pensione suplementare të minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve.
Gazeta boton sot emrat e 205 përfituesve në Tiranë dhe rrethe, të cilët duke nisur nga e hëna mund të paraqiten në zyrat e shpërndarjes së pensionit për të marrë shtesën e re. Kur po bëhet thuajse një vit nga marrja në shqyrtim e më shumë se 23 mijë dosjeve dhe aplikimi i shtesës, ka përfunduar puna për pjesën më të madhe prej tyre. Kujtojmë që me ndryshimet e bëra në ligj, këtë shtesë mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara të vështira dhe shumë të vështira. Rritja për minatorët është me 1 për qind për çdo vit pune në nëntokë, ndërsa për naftëtarët dhe metalurgët me 0.6 për qind.
Në këtë mënyrë, sa më shumë vite pune, aq më i lartë do të jetë edhe përfitimi. Krahas kësaj është ulur edhe pragu kontributiv. Kështu, për të marrë pension të plotë këto tri kategori mjafton të kenë 30 vite pune dhe jo 37 sa kërkohen aktualisht. Për të përballuar efektet e skemës, këtë vit nga buxheti janë vënë në dispozicion rreth 14 milionë dollarë. Në 5 vitet e para skema do të financohet nga shteti, më pas parashikohet një rritje e masës së kontributeve me 10 për qind, 5 nga të cilat do të paguhen nga punëdhënësi.