Panorama (Albania)

Konflikti për tokën, si u vra biznesmeni në Himarë

Autori, Kliti Leka, pranoi autorësinë në Polici: E vrava se nuk më likuidoi për tokën, ia dhashë se do të ndërtonte pallat

- ELTON NIKA

Një hapësirë toke ku një pallat ishte drejt përfundimi­t në ndërtim, në pronësi të familjes së Kliti Lekës, 53 vjeç, është shkaku i ekzekutimi­t të biznesmeni­t Niko Goro.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së shtunës në Himarë, ku biznesmeni Goro që ka në pronësi edhe një bar kafe në qendër të qytetit, është qëlluar për vdekje me armë zjarri pranë supermarke­tit të motrës së tij, Eftiqia Qesko. Edhe kjo e fundit mbeti e plagosur nga kjo ngjarje, ndërsa mësohet se ka marrë një plumb në këmbën e djathtë. Ndërsa Niko Goro mori katër plumba në trup, çfarë i shkaktuan edhe vdekjen e menjëhersh­me. Ngjarja ndodhi rreth orës 08 e 55 minuta të së shtunës, ndërsa autori ka udhëtuar ditën e premte nga Tirana me makinën e tij në drejtim të Himarës. Pasi është afruar pranë marketit në pronësi të motrës së Niko Goros, 53vjeçari ka hapur zjarr ndaj tij. Viktima Goro mësohet se ka qenë në shoqërinë e motrës së tij në derën e marketit. Edhe ajo është prekur nga plumbat e lëshuar në drejtim të të vëllait. Pesë plumba kanë dalë nga arma e 53- vjeçarit, nga të cilët katër plumba kanë përfunduar mbi biznesmeni­n, ndërsa një plumb ka prekur të motrën e tij në këmbë. Menjëherë Kliti Leka është larguar nga vendi i ngjarjes, duke hipur në automjet për t’u larguar drejt vendit të quajtur Livadh në Himarë. Pasi ka braktisur mjetin e tij tip “Volsvagen”, 53- vjeçari është larguar disa metra më tej duke iu fshehur ndjekjes së Policisë. Por, arratia e tij zgjati vetëm pak çaste, pasi autori u arrestua nga uniformat blu teksa po tentonte të fshihej nëpër shkurret në zonën e Livadhit në Himarë. Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur pesë gëzhoja kallashnik­ovi. 53- vjecari Kliti Leka nga Tirana, por nip në Himarë, u kap me një çantë në dorë dhe dy armë, një kallashnik­ov dhe një pistoletë, ndërsa nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë. Po ashtu, policia sekuestroi edhe automjetin tip

“Volsvagen”, me të cilën autori ka lëvizur gjatë momentit kur ka kryer vrasjen dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Makina e tij është gjetur e mbyllur, ndërsa çelësat, 53- vjecari i kishte hedhur teksa tentonte të fshihej nga Policia. Në momentin e arrestimit dhe pas marrjes në pyetje, 53- vjeçari ka pranuar autorësinë e vrasjes së biznesmeni­t nga Himara, Niko Goros. Ky i fundit mësohet se është edhe kushëriri, djali i xhaxhait të kryebashki­akut të Himarës. “E vrava se i kisha dhënë një tokë në pronësi për pallat dhe nuk më kishte shlyer pagesat”, ka deklaruar autori pak pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, mësohet se autori dhe viktima kishin pasur edhe një grindje mes tyre kohë më parë. Ndërsa një ditë para ngjarjes, Kliti Leka ka qëndruar në Himarë, çfarë besohet sipas Policisë se e kishte programuar të gjithë atë çfarë do të kryente një ditë më vonë. Nga burime të Policisë referuar edhe hetimeve të para, flitet për një marrëveshj­e mes autorit dhe viktimës për pallatin që ishte drejt përfundimi­t në tokën në pronësi të familjarëv­e të Kliti Lekës në Himarë, por dhe për një shumë rreth 70 mijë euro, pikërisht në këtë marrëveshj­e mes tyre.

HETIMET Policia edhe pse ka arrestuar tashmë autorin dhe ky i fundit ka pranuar autorësinë, vijon të marrë deklarata të afërmve të autorit dhe viktimës. Ndërsa ende nuk është pyetur në cilësinë e dëshmitare­sh okulare motra e viktimës Niko Goro, Eftiqia Qesko. Po ashtu burimet nga policia bënë të ditur se do të merren edhe dëshmi të personave që banojnë në afërsi të zonës ku ndodhi ngjarja, për të hedhur sa më shumë dritë mbi këtë krim. E motra e viktimës ndodhet akoma në gjendje të rënduar, për shkak të asaj çfarë ka ndodhur para syve të saj. Burimet thanë se ajo ka pësuar një gjendje shoku, në momentin kur 53- vjeçari i vrau të vëllanë në derën e marketit. Ndërkohë, autori i ngjarjes, Kliti Leka është dërguar nga Himara drejt Vlorës, ku do të vijojë të qëndrojë deri në daljen para gjykatës për masën e sigurisë. Deri më tani sipas burimeve nga Policia, deklarata e vetme që ka dhënë autori ka qenë pikërisht ajo menjëherë pas ngjarjes dhe arrestimit nga blutë e Vlorës.

 ??  ?? Viktima, Niko Goro
Viktima, Niko Goro
 ??  ?? Autori, Kliti Leka, në momentin e arrestimit
Autori, Kliti Leka, në momentin e arrestimit
 ??  ?? Vendi ku u vra biznesmeni
Vendi ku u vra biznesmeni

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania