Panorama (Albania)

“Censura ishte e llahtarshm­e”, rrëfimi i Zhuliana Jorganxhit: Debatet në Komitetin Qendror për këngët me tekst dashurie

RREFIMI I RRALLE I POETES SE DHJETERA KENGEVE NE FESTIVALE, NGA PRESIONI PARA ' 90 TE TRANZICION­I: NA PAGUANIN 10 LEKE VARGUN

- ZHULIANA JORGANXHI

Me trupin e paktë, por me një buzëqeshje të pavenitur nga koha, ajo shpërndan kaq shumë mirësi, sa të bën të përlotesh.

Ka të drejtë biri i saj shpirtëror, Ilir Çumani, kur thotë se ajo ka një hije prej Nënë Tereze. Poetja Zhuliana Jorganxhi ndodhet këto ditë në Tiranë. Ka lënë për pak Triesten, ku jeton prej vitesh, edhe pse në kohë të vështira pandemie. Këto ditë pritet të dalë në qarkullim libri i saj "Zëri i shpirtit tim", botim i UET Press, por ajo nuk ka ardhur vetëm për librin, por edhe të takojë miqtë e vjetër, pse jo edhe të rrëfehet për ato vite, kur liria e fjalës paguhej, kur netët pa gjumë ishin të gjata, por edhe kënaqësia shumë e madhe. "Bëmë aq sa mundëm, por jo aq sa deshëm. Nuk na lanë…", thotë ajo si me keqardhje, teksa kthehet pas në kohë.

Zhuliana Jorganxhi, poetja, autorja e qindra këngëve të festivalev­e, dekadave të majit, anketave muzikore, rrëfehet në një intervistë për gazetën "Panorama". Që nga vitet e fëmijërisë, ndikimi i familjes në formimin e saj, roli i së motrës, Rozmarisë, vitet e shkollës, puna si gazetare e më pas si tekstshkru­ese e redaktore në Radio Tirana, ku përballont­e jo vetëm një volum pune të jashtëzako­nshëm, por edhe dhunën e censurës. E paskëtaj ndërrimi i sistemeve me shpresën e madhe, që mbeti sërish një zhgënjim. Mes pengjeve dhe dashurive të mëdha, një jetë e jashtëzako­nshme!

Znj. Jorganxhi, për asnjë moment nuk e hiqni familjen nga goja, duket se ajo ka pasur një rol vendimtar në jetën tuaj…

Së pari, familja na mëkoi edukatën dhe respektin për të tjerët, mirësjellj­en. Nëna na ushqeu me dashurinë për letërsinë, ndërsa babai me muzikën. Kur ishim fare të vegjël, ai na vinte në gjumë me kitarën e tij, duke na kënduar jo vetëm këngë korçare, që ai i këndoi për 65 vjet me grupin "Lira", që në 1920, kur ishte 18 vjeç, e pastaj me ariet e operave. I këndonte ato në koncertet e ndryshme që zhvillohes­hin para e pas çlirimit nga Pallati i Kulturës. Bashkë me këngëtarin Tole Adhami ka kënduar për 10 vjet në Radio Korça.

E, megjithatë, ju anuat nga "ana" e nënës, zgjodhët poezinë. Kur nisët të shkruanit?

Ishte motra ime, e ndritura Rozmari, që më njohu me shkrimtarë­t dhe poetët e mëdhenj. Kur vinte nga studimet në Moskë, sillte me vete opera dhe m'i shpjegonte. Ishin opera me librete të Pushkinit, Gëtes Lermontovi­t… Më pëlqente letërsia, lexoja shumë, sidomos atë ruse, që kishim në atë kohë dhe nisa të dallohem që me hartimet e shkollës fillore, ku më vinin 5 me yll. Por shpërthimi im në rrugën e poezisë ka qenë në moshën 17- 18 vjeç. Asokohe vjen në Korçë shkrimtari i njohur Petraq Qafëzezi, me të cilin kishim lidhje familjare. Ai lexoi disa poezi lirike, dashurie, të miat. Nuk i drejtohesh­in kujt, por ishte fantazia e moshës. I redaktoi dhe u botuan në gazetën "Drita", kur unë kisha mbrëmjen e maturës. Nuk e harroj kurrë. Ka qenë 28 qershor 1964. Ishin dy poezi lirike, që babai, kur i pa, më tha: Çfarë ke shkruar kështu? Ishte fanatik babai? Jo, nuk ishte nga ata baballarët "fanatikë". Ai na ka mbështetur gjithë jetën me atë shpirtin e madh prej artisti. Babai ishte njeri shumë i civilizuar. Imagjinoni, ai nisi Rozmarinë me studime në Moskë kur ishte 15 vjeç, në vitin 1952, në një kohë kur ishte e pakonceptu­eshme që një femër të ikte vetëm aq larg. E gjitha nga dashuria për artin. Ai vetë e ka nxjerrë motrën për dore në skenë kur ishte 5 vjeç, madje kanë kënduar edhe të dy në të njëjtin koncert. Dhe motra nuk i harroi deri në fund të jetës së saj. Por profilin tuaj si letrare e krijuat në Tiranë… Studimet e larta më dolën për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, edhe pse kisha shënuar edhe anglisht dhe HistoriGje­ografi. Erdha në Tiranë dhe kam jetuar në konvikt. Kisha edhe motrën në Tiranë dhe shtëpia e saj u bë shtëpia ime e dytë. Por jetova në konvikt, ku krijova miqësi të ngushtë, që e mbajmë edhe sot, me një shoqe nga Shkodra, Madalena Ujka Baci. Në konvikt kam jetuar për 15 vjet, edhe 11 vjet pas studimeve, se asokohe nuk të jepnin shtëpi po të ishe beqare. ( Gjej rastin të kujtoj edhe shoqen time të fëmijërisë, Zhaneta Themeli Elezi, me të cilën kam ndarë shumëçka). Në atë kohë u aktivizova në rrethin letrar, ku ishin emra si: Kiço Blushi, Faik Ballanca, Koçi Petriti, Nasi Lera, Xhevahir Spahiu, Spiro Dede e shumë të tjerë. Por vajza ishin pak. Isha unë, Kozeta Mamaqi, më vonë erdhën dhe të tjera, që u bënë dhe gazetare, si Emine Sadiku, që shkruante shumë bukur.

Ju keni punuar disa vjet si gazetare, ç'ju lidhi me gazetarinë?

Në vitin e tretë u hap dega për Gazetari pranë Fakultetit Juridik. Ishte kurs 2- jeçar, ku ishte Ahmet Shqarri, Arshin Xhezo etj. Unë në fillim u emërova te "Shqiptarja e re", një revistë kushtuar gruas, ku kam punuar për 6- 7 vjet. Atëkohë kam njohur gjithë Shqipërinë, përveç Tropojës dhe Përmetit, ku nuk kam qenë. Nuk kam lënë qytet e fshat pa shkuar, pasi mbuloja problemet e gruas, kudo që ishin. Kur shkoje në fshat duhet të shkruaje ndryshe nga ajo që shikoje. E kemi bërë edhe këtë gabim, sepse ishte koha e tillë, kërkonte entuziazmi­n e gruas, emancipimi­n.

Besoj se aty e njohët Shqipërinë e vërtetë, pasi ju vinit nga një familje e ngritur apo jo?

Ashtu është, por edhe ne kemi vuajtur, si gjithë shqiptarët. Më kujtohet buka e misrit e gatimet që sajonte nëna, në kushtet e mungesave të mëdha. Vitet ' 50 ishin shumë të vështira.

Vazhduat të shkruanit poezi? Sa e vështirë ishte të botoje?

Vazhdoja dhe shkruaja në shtypin letrar të kohës. Në vitin 1969 kam botuar vëllimin tim të parë, për të cilin më ndihmoi shumë Xhevat Beqaraj, "Net provimesh". Ishin poezi lirike. Ndërsa më vonë, në 1973 nxora vëllimin e dytë, "Rritje", ku ishte edhe një poemë, që i kushtohet qytetit të lindjes, rrugicave të Korçës. Mbresat e fëmijërisë janë të pashlyeshm­e gjithë jetën. Nxora edhe një vëllim me tregime për fëmijë, që u prit shumë mirë dhe Bedri Dedja do të shkruante shumë mirë për të, edhe pse ishte një vëllim i vogël. Në vitin 1982, letërsia do të politizohe­j shumë keq dhe më lanë vetëm dy poezi lirike, që edhe ato lidheshin me punën. M'i hoqën të gjitha. Ndërkohë, unë, si çdo poet, kisha bllokun tim të lirikave, ku kisha rreth 300 poezi, që nuk i botoja dot. Si nisët të shkruanit tekste këngësh? Kam filluar në vitin 1967. Ka qenë miku im i shtrenjtë, Ruzhdi Pulaha, që më mori për dore dhe më nxiti në këtë rrugë. Më tha për këngën e një të riu, Ruzhi Keraj, e cila kërkonte një tekst. E dëgjova muzikën dhe shkrova "Net provimesh", që e ka kënduar Liljana Kondakçi, që fitoi çmimin e parë. Në konvikt kishim altoparlan­t, që lidhej me Radio Tiranën dhe gëzimi i shoqeve ishte aq i madh, pasi dukej një gjë aq e pazakontë. Një vit më pas mora pjesë në Festivalin e Shtatë, me një këngë të Gaqo Avrazit dhe fituam çmimin e tretë. Kështu vazhdova me radion, me anketa, festivale. Në Festivalin XIII, më thërret Liri Çeli dhe më thotë që ishte një këngë e Enver Shëngjergj­it, pa tekst. Ai kishte bërë këngë shumë të bukura dhe pasi e takova, teksti u shkrua në jo më shumë se gjysmë ore. Nuk prisnim ndonjë çmim, madje as e dija kush do ta këndonte. Kur natën finale, i ndrituri Gjon Simoni doli dhe dha çmimin e parë për "Vajzat e fshatit tim", ngriva. Asokohe më kishte kërkuar radioja për tekstet e këngëve, por unë, të them të drejtën, nuk kisha ndonjë dëshirë të madhe, sepse më pëlqen gazetaria. Kam shkuar edhe te Vito Kapo, që i kërkova duke qarë të mos ikja. Ajo më tha që ata të radios më kërkonin dhe kur fitova edhe këtë çmim, Vitoja më tha: "Epo e vulose vetë lëvizjen tani". Kur filluat në Radio? Fillova në shkurt 1975. Fillimi ishte i vështirë, pasi çdo fillimmuaj­i bëheshin 4 këngë ankete dhe jo të gjitha kishin tekst, kështu që nisa të bëja tekste, madje kam pasur edhe ca të bukura aty. Dhe mund të them që atë që më ka dhënë Radio

Nuk na lejonin më shumë se dy këngë dashurie dhe unë një vit futa 4 apo 6. Sa hyra në sektorin e shtypit në Komitetin Qendror, më thanë: Festivali i dashurisë! Dhe unë u thashë: Më mirë t'ia japim ne këngët e dashurisë rinisë, sesa të këndojë ato që ju i quani ' këngë të zeza'. Kishte instruktor­ë që thoshin: Zhuliana, ne nuk marrim vesh nga muzika, po nga letërsia po.

Televizion­i, s'ma ka dhënë kush. Më njohu me të gjithë artistët: kompozitor­ë, orkestrues, këngëtarë, me të madhen, miken time, Vaçe Zela, hyjneshën Nexhmije Pagarusha, kam punuar me kompozitor­ë kosovarë në vitet ' 70-' 80. Kënaqësia ishte shumë e madhe dhe nuk pata pengje. Aq më tepër që kisha mundësi të shkruaja edhe në gazetë, botoja edhe poezi, por erdhi një moment që nuk shkruaja dot poezi pa muzikë.

Pak më parë thatë se ju kishin censuruar poezitë, si funksionon­te mekanizmi i censurës për tekstet e këngëve?

Censura ishte e llahtarshm­e. Në gazetari nuk e kisha provuar sepse ishin të tjerë mbi mua që merrnin vërejtjet, kurse këtu isha direkt. Censurën dhe autocensur­ën që pësoja unë, nuk e di nëse e provonte ndonjë redaktor tjetër. Çdo vit, në dhjetor, kur ishte festivali, tekstet çoheshin në tri organizata të Radio Televizion­it: në Komitetin Qendror të Partisë, në kryeminist­ri, në Komitetin e Partisë në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit, në Lidhjen e Shkrimtarë­ve dhe në Rajonin 1. Bëheshin 6 zarfe me tekste. Ata bënin vërejtje dhe çdo vit paraqitesh­a para sektorit të shtypit. Një natë përpara rrija pa gjumë. Ishte një stres aq i madh, saqë më sëmuri. Me Koncertet e Majit ishte më ndryshe, ndërsa në Koncertin e Pranverës, në 1985, gjërat ishin më të thjeshta. Ishin dy ide shumë të mira të Marash Hajatit, Festivali i Interpretu­esve dhe koncerti "Kur vjen pranvera", ku filluan të dalin të gjitha këngët e ndaluara, që u ishin dënuar kompozitor­ët ose këngëtarët. Kam bërë një punë të jashtëzako­nshme në fonotekë. Këngë si "Fqinja", "Ofelia", "Kabina nr. 3", "Fëmija e parë", "Erë pranverore". Për vite me radhë, unë kam bërë edhe skenarët dhe nuk jam paguar asnjëherë për ta. Nuk ndiheshit e rrezikuar? Rrezikoja, por dija ta justifikoj­a. Nuk na lejonin më shumë se dy këngë dashurie dhe unë një vit futa 4 apo 6. Sa hyra në sektorin e shtypit në Komitetin Qendror, më thanë: Festivali i dashurisë! Dhe unë u thashë: Më mirë t'ua japim ne këngët e dashurisë, rinisë, se sa të këndojë ato që ju i quani ' këngë të zeza'. Kishte instruktor­ë pate që thoshin: Zhuliana, ne nuk marrim vesh nga muzika, po nga letërsia po. "Po, i thashë njërit, u zhduk analfabeti­zmi në Shqipëri e të gjithë marrin vesh nga poezia, u bënë të gjithë poetë!".

Keni bërë këngë për diktatorin?

 ??  ??
 ??  ?? ZHULIANA JORGANXHI DHE ILIR ÇUMANI
ZHULIANA JORGANXHI DHE ILIR ÇUMANI
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania