Shtesa e pensioneve, si do ndahen 14 milionë USD
Zbardhet fondi për shtesën 5 mijë lekë të pensioneve, që do përfitojnë minatorët, naftëtarët e metalurgët. Gazeta boton listën e re të miratuar dje nga ISSH me emrat në Tiranë e rrethe
Ashtu si këtë vit, edhe në 2021 Qeveria ka planifikuar rreth 14 milionë dollarë për të përballuar rritjen e pensioneve për tri kategori: minatorët, naftëtarët dhe metalurgët.
"Mbulimi i efekteve financiare të skemave të reja të përfitimeve, naftëtarë, minatorë, të cilat pas rishikimit parashikohet të sjellin një efekt financiar të harmonizuar prej rreth 1.45 miliardë lekë", thuhet në relacionin që shoqëron projektbuxhetin për vitin që vjen. Janë më shumë se 23 mijë pensionistë që përfitojnë nga skema suplementare që ka nisur të aplikohet prej një viti. Ligji përcakton që në pesë vitet e para kjo shtesë do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe kostoja e përllogaritur është 140 milionë dollarë. Sipas ligjit me pensione suplementare do të trajtohen ata ish- minatorë, naftëtarë dhe metalurgë, që kanë punuar në industrinë shtetërore dhe që punojnë në sektorin privat, por parashikohet që në vijimësi punëdhënësit dhe punëmarrësit privatë të paguajnë kontribute shtesë në masën 5%. Me këto kontribute parashikohet që të ulet gradualisht ngarkesa e Buxhetit të Shtetit deri në arritjen e përballimit të shtesës me kontribute.
PËRFITUESIT Të premten, Instituti i
Sigurimeve Shoqërore ka publikuar edhe emrat e rinj të pensionistëve që u është llogaritur shtesa dhe që mund ta tërheqin atë në çdo pikë pagese sipas bashkive. Gazeta boton sot listën e plotë me emrat e përfituesve në Tiranë dhe rrethe. Shtesa për këto tre kategori varion nga 12 për qind deri në 20 për qind mbi masën e pensionit. Kjo, sepse ligji parashikon që rritja për minatorët të bëhet me 1 për qind për çdo vit pune në nëntokë, ndërsa për naftëtarët dhe metalurgët me 0.6 për qind. Këtë shtesë mbi pensionin, e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara të vështira dhe shumë të vështira.
SKEMA Për të përfituar nga shtesa e re duhet që minatorët, naftëtarët dhe metalurgët të mbushin moshën e daljes në pension pleqërie. Në këto kushte nga skema suplementare këtë vit përfitojnë vetëm ata që iu është lidhur pensioni para 2014- ës. Ligji i miratuar një vit më parë, iu jep mundësi minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve që të trajtohen me pensione suplementare. Por kjo nuk vlen për ata që dalin rishtazi në pension, pavarësisht se bëjnë pjesë në kategoritë përfituese, që do të thotë se kanë ushtruar profesione të kategorizuara të vështira dhe shumë të vështira. Përfshirja e tyre në skemë do të bëhet në momentin që mbushin moshën e pensionit të pleqërisë. Pra, një minator që del këtë vit në pension, pra në moshën 55- vjeçare, shtesën do të fillojë ta marrë pas 10 vitesh. Ose një naftëtar që del këtë vit në pension pra 60 vjeç, shtesën do ta marrë duke filluar nga viti 2025, jo më herët pasi atëherë bën 65 vjeç. E njëjta gjë vlen edhe për gratë, për të cilat mosha e daljes në pension pleqërie është 61 vjeç. Kur të mbushin, 61 vjeç do t'u llogaritet edhe shtesa.