Panorama (Albania)

Banori tregon panikun: Kam 3 net pa gjumë nga përmbytjet

Dila Pjetri, nga fshati Gjadër, tregon se si iu përfshi banesa nga uji: “Ngela duke iu lutur Zotit që të mos bjerë shi”

- ELVIS HILA

Prej 3 netësh, Dila Pjetri, në fshatin Gjadër të Lezhës, nuk ka bërë asnjë orë gjumë.

Uji ka depërtuar brenda banesës së të moshuarës dhe që niveli të mos rritet, detyrohet të ndërhyjë për largimin e tij me mjete rrethanore. Mes lotësh, Dila tregon se situata është mjaft e vështirë dhe se po mundohen të shpëtojnë ç’të mundet brenda shtëpisë. “Kur jam zgjuar në orën 06:00 të mëngjesit të së enjtes, kam dëgjuar zhurmë dhe vetëm kur pashë që uji me kishte hyrë te dhoma. Jam munduar dhe i kam nxjerrë jashtë orenditë shtëpiake për t’i shpëtuar. Ka tri ditë që nuk fle fare, duke u munduar të largoj ujin me mjete rrethanore që të mos rritet niveli. Situata këtu në Gjadër është mjaft e vështirë dhe jemi shumë të rrezikuar nga lumi. Kam ngelur duke iu lutur Zotit që të mos ketë reshje shiu me intensitet të lartë, se në të kundërt ne jemi të mbaruar”, thotë Marku.

NË ZADRIMË Zadrima e Lezhës është një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet dhe në situatë të ngjashme janë dhjetëra familje në fshatrat e Njësisë Administra­tive të Dajçit. Disa familje kanë lënë shtëpitë, ndërsa të tjerë përpiqen të shpëtojnë nga uji çfarë të munden. “Më është përmbytur shtëpia dhe prej dy ditësh kam ardhur të jetoj te vëllai. Dëmet janë të shumta, por ende s’i kam verifikuar. Kur të ikë uji, do kthehem te shtëpia ime e të shoh çfarë është bërë. Niveli i ujit brenda është disa centimetra dhe nëse uji qëndron gjatë, rrezikon që të shembet plotësisht, sepse është banesë e vjetër”, thotë një banore e Gjadrit. Më tej, banorët thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë, edhe pse kanë nevojë për ujë të pijshëm dhe për ushqim. “Askush s’ka ardhur të na shohë. Kemi telefonuar autoritet, por as nuk janë dukur këtu për të ndihmuar. Kemi nevojë për ushqime e ujë të pijshëm sepse jemi në një gjendje shumë të vështirë, e cila nuk dihet sa do zgjasë. Të paktën ujë për të pirë po kërkojmë. Është e pafalshme që askush nuk interesohe­t për na thënë a jeni gjallë apo jo”, shprehet një banor.

Në fshatrat e Zadrimës, dëmet janë të mëdha edhe në sektorin e bujqësisë. Qindra hektarë tokë janë nën pushtetin e ujit dhe banorët thonë se po ju mbaron baza ushqimore për gjënë e gjallë. “Të gjithë tokën e kam të përmbytur prej tri ditësh. E kam të mbjellë me grurë e jonxhë dhe dëmet janë shumë të mëdha, pasi këto kultura po kalben nga uji. Kam 100 krerë dele e disa lopë e nuk kam ku t’i kullos sepse toka është nën ujë. Ka tri ditë që i mbaj brenda dhe po na mbaron dhe baza ushqimore e do na ngordhin. Ne me bujqësi dhe blegtori jetojmë dhe i bëj thirrje shtetit që të na vijë në ndihmë, sepse situata është shumë e vështirë”, thotë një tjetër banor i prekur nga përmbytjet. Në Bashkinë e Lezhës janë nën ujë rreth 3600 hektarë sipërfaqe tokë, ndërsa janë evakuuar 27 familje, ndërsa në Kurbin janë përmbytur rreth 700 hektarë dhe 3 familje janë evakuuar pasi ishin në rrezik nga prezenca e ujit. Gjithashtu, rrugët që lidhin fshatrat Blinisht dhe Piraj në Zadrimë me superstrad­ën Lezhë-Shkodër janë të bllokuara prej dy ditësh nga uji, i cili ka arritur disa centimetra.

 ??  ?? Dila Pjetri, banore e fshatit Gjadër
Dila Pjetri, banore e fshatit Gjadër
 ??  ?? Banesat e përmbytura në Lezhë
Banesat e përmbytura në Lezhë
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania