Panorama (Albania)

Shkodër, fshati Obot i izoluar, përmbyten mbi 1500 ha tokë

-

Sipërfaqja totale e përmbytur nga reshjet e shumta të shiut në Shkodër është 1595 hektarë, ndërsa është rritur edhe niveli i ujit në lumin Drin dhe Buna. Autoritete­t lokale kanë njoftuar ditën e djeshme se në Njësinë Administra­tive të Dajçit, Buna është drejt nivelit maksimal. Rruga Obot vazhdon të jetë e bllokuar për mjetet e ulëta dhe e kalueshme vetëm me mjete të larta, pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80cm. Ujësjellës­i “Oblika 1” si pasojë e përmbytjev­e është jashtë funksionit. Ndërkohë që ka vazhduar gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme. Sipas njoftimit nga Bashkia Shkodër, është bërë lajmërimi i hershëm që banorët që rrezikohen nga përmbytja të marrin masa për sigurimin e gjësë së gjallë, prodhimeve bujqësore, mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme që mund të dëmtohen. Hidrometri në Dajç ditën e djeshme shënonte kuotën 6.28 m (kuota max 6.30 m). Hidrometri i Liqenit të Shkodrës shënonte 8.45 m (kuota max 8.70 m). Hidrometri i lumit Drin shënonte kuotën 6.95 m (kuota max 7.50 m). Shumë zona të Nën Shkodrës prej ditësh janë të mbuluara nga uji. Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka treguar për situatën e vështirë të krijuar nga përmbytjet dhe masat që janë marrë nga ana e bashkisë në rast të nevojës për evakuim, duke thënë se janë qindra shtretër të gatshëm. Ajo që mbetet më shqetësues­e për momentin, sipas kryebashki­akes, është furnizimi me ujë të pijshëm për banorët e fshatit Obot në Anën e Malit, të cilët janë të izoluar për shkak të prezencës së ujit në rrugën kryesore të fshatit, që nuk lejon kalimin e mjeteve të ulëta.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania