Panorama (Albania)

PËSUAN DJEGIE, 4 SIRIANË NË GJENDJE TË RËNDË

-

Katër shtetas sirianë që pësuan djegia nga benzina në gomone gjatë tentativës për të ikur në Itali nga Vlora, ndodhen në gjendje kritike në spital. Ata ndodhen të shtruar në Repartin e Terapisë Intensive në Spitalin e Djegieve Plastike në QSUT. Dy prej tyre janë fëmijë dhe mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën, megjithatë janë në kujdesin intensiv të mjekëve. Burime nga Spitali thanë se ata kanë pësuar djegie të rëndë. Në gjendje më të mirë gjenden tetë pacientët e tjerë që kanë pësuar djegie të mesme dhe të lehtë. Pacientët sirianë pritet të qëndrojnë në spital deri në përmirësim, për t’u zhvendosur më pas në Durrës.

Një 63-vjeçar nga Tirana ka përfunduar në prangat e Policisë në lidhje me tentativën për të kontraband­uar emigrantë drejt brigjeve italiane. Policia e Vlorës bën me dije këtë mëngjes se shtetasi Fatos Dusha, po përpiqej të trafikonte 9 emigrantë me gomone. “Në vijim të operacioni­t të përbashkët të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, për parandalim­in dhe goditjen e tentativës për kontraband­im në drejtim të Italisë, të emigrantëv­e nga vendet e treta, në grykëderdh­jen e lumit Vjosë. Vihet në pranga një nga autorët e përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Specialist­ët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëv­e në DVP Vlorë, në bashkëpuni­m me Departamen­tin e Policisë Kriminale dhe DVP Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasin F. D., 63 vjeç’, banues në Tiranë. Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në ambientet e hotelit në pronësi të tij, emigrantët e evakuuar gjatë operacioni­t të djeshëm. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e hotelit janë gjetur të strehuar dhe 9 klandestin­ë të tjerë”, tha zyrtarisht Policia. Ndërsa sqaroi se strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokuroris­ë, vijojnë punën për identifiki­min dhe gjetjen e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania