Panorama (Albania)

“Paguajnë zetorin për të kaluar rrugën”

Gëzim Dushku: Janë 5 milionë lekë shpenzim që do kalben

-

Zetori është mjeti i vetëm që mund të lëvizë në zonën e ish-kampit në Torovicë të Lezhës. Rreth 50 familje janë të izoluara prej 5 ditësh, pasi niveli i ujit në rrugë ka arritur deri në 50 centimetra dhe lëvizja është e pamundur.

“Jemi në izolim prej 5 ditësh. Rruga është e bllokuar, sepse uji ka shkuar në 50 centimetra. Duhet të paguajmë zetorin për të kaluar rrugën e për të kryer nevojat shtëpiake”, është shprehur një banor i zonës. Ndërsa një tjetër ka treguar se askush nuk është interesuar dhe ardhur në ndihmë në këtë situatë të vështirë që po kalojnë. “Nuk kemi me çfarë të lëvizim, sepse e gjithë zona është mbuluar nga uji. Askush nuk është interesuar për ne. Nuk kemi ushqime dhe as ujë për të pirë. Nuk e kuptoj këtë neglizhenc­ë”, thotë një banor. Gëzim Dushku banor i kësaj zone, tregon gjithashtu se jetesa e tij dhe familjes është e lidhur me sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërsa 3 hektarë tokë të mbjella me jonxhë dhe grurë i ka nën ujë prej 5 ditësh. Ai tregon faturën e pagesës së taksës së tokës, por askush nuk përgjigjet për dëmet e shkaktuara.

“Unë jetoj me bujqësi dhe blegtori. Kam mbjellë 3 hektarë tokë me jonxhë dhe grurë, por prej ditësh janë nën ujë. Janë 5 milionë lekë shpenzime që kam bërë dhe që do të kalben. Taksen e tokës e paguaj në vazhdimësi, por toka përmbytet dhe asnjëherë nuk jam kompensuar për dëmet që janë shkaktuar. Jemi bërë ta braktisim vendin se nuk ka zgjidhje tjetër”, thotë Gëzim Dushku.

BLEGTORIA Si Gëzim Dushku, në këtë zonë janë dhjetëra fermerë. Ata thonë se nuk kanë bazë ushqimore për gjënë e gjallë dhe rrezikojnë të ngordhin. “Ka 5 ditë që delet i kam në kasolle. S’kam ku t’i kullos sepse toka është e gjitha nën ujë. Po më mbaron dhe baza ushqimore dhe rrezikojnë të ngordhin. Askush s’po interesohe­t për të na ndihmuar. Unë me blegtori e bujqësi jetoj, por na kanë lënë në mëshirë të fatit”, thotë një banor në Torovicë.

Sipas të dhënave në Bashkinë e Lezhës janë nën ujë rreth 4000 hektarë sipërfaqe tokë si dhe janë evakuuar 30 familje, ndërsa në Kurbin janë përmbytur 700 hektarë tokë dhe 3 familje janë evakuuar pasi ishin në rrezik nga prezenca e ujit. Gjithashtu, rrugët që lidhin fshatrat Blinisht dhe Piraj në Zadrimë me superstrad­ën Lezhë-Shkodër janë të bllokuar prej tri ditësh nga uji, i cili ka arritur disa centimetra. Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku, thotë se me ndërprerje­n e reshjeve pritet të kemi një përmirësim të situatës.

 ??  ?? Gëzim Dushku, banor i fshatit Torovicë
Gëzim Dushku, banor i fshatit Torovicë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania