Panorama (Albania)

Gjykata e dënon me burg përjetë se vrau kunatën, autori: Na uli reputacion­in

Dashamir Xhepa dënohet dy vite pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Sharrë. Fillimisht ai s’ka pranuar akuzën e vrasjes

-

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg përjetë të pandehurin Dashamir Xhepa, i akuzuar se vrau kunatën e tij, Lirie Xhepën.

Ngjarja ka ndodhur më 14 shkurt 2019, kur 49-vjeçarja Lirie Xhepa u gjet pa shenja jete në një kanal në afërsi të liqenit të Sharrës. Kunati i viktimës, Dashamir Xhepa, u arrestua dy javë pas krimit të rëndë, nën akuzën se ishte ai personi që vrau kunatën. Pas krimit ai u largua në drejtim të qytetit të Peshkopisë ku kishte qëndruar në një nga hotelet e qytetit. Xhepa u ndalua në momentin kur ishte bërë gati për t’u larguar nga Shqipëria. Për këtë arsye u prangos edhe një miku i tij për përkrahje të autorit të krimit, i cili do ta largonte me automjetin e tij në drejtim të pikës së kalimit kufitar të Bllatës. Sipas grupit të hetimit, dyshohet se Dashamir Xhepa kishte lidhje intime me të ndjerën. Ajo u vra me armë zjarri dhe më pas ishte hedhur në disa shkurre, afër banesës së saj. Ishin banorët e zonës, të cilët njoftuan Policinë mëngjesin e datës 14 shkurt. Lirie Xhepa ishte nëna e katër djemve. Më 21 tetor 2020, Prokuroria e Tiranës kërkoi që Dashamir Xhepa të dënohej me burg përjetë për vrasjen e kunatës së tij. DËSHMIA E AUTORIT Autori i dyshuar, Dashamir Xhepa, ka thënë gjatë shqyrtimit gjyqësor se me viktimën kishte konflikte të shumta për pronat që pas ndarjes nga jeta të vëllait të tij. Po ashtu, ai është shprehur se 49-vjeçarja i kishte ulur reputacion­in e familjes, duke krijuar marrëdhëni­e intime me persona të tjerë në fshat. “Që pas vdekjes së vëllait tim, me Lirie Xhepën kemi pasur konflikte të shpeshta për pronat tona. Ajo na kishte ulur reputacion­in familjar, pasi krijonte lidhje intime me persona të tjerë në fshat, ndaj edhe e vrava”, është shprehur autori i dyshuar gjatë dëshmisë së tij. Sipas dosjes hetimore, Lirie Xhepa fillimisht është goditur me sende të forta pas koke, hekur ose gurë mëngjesin e 14 shkurtit. Më pas ajo është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhersh­me. Më pas 49vjeçarja është qëlluar dhe dy herë në bark. Bashkëshor­ti i saj ishte ndarë nga jeta disa vite më parë dhe 49-vjeçarja jetonte e vetme me dy fëmijët e saj. Viktima me kunatin e saj janë fqinj, banesat e tyre ishin 500 metra larg dhe ndodhen në lagjen “Qershori”, në periferi të Kombinatit në Tiranë. Lirie Xhepa kishte pasur konflikte të vazhdueshm­e me njerëzit e burrit të saj të ndarë nga jeta. Po ashtu, grupi hetimor nuk ka përjashtua­r në asnjë moment edhe faktin se mes viktimës dhe autorit mund të ketë pasur një lidhje intime. Banorët e zonës ku ndodhi ngjarja janë shprehur ditën e ngjarjes se të gjithë ishin në dijeni të lidhjes intime mes tyre. Madje, edhe të dhunës së vazhdueshm­e që ushtrohej ndaj 49-vjeçares, por askush nuk fliste. SI NDODHI NGJARJA Kujtojmë që ngjarja e rëndë është zbuluar orët e para të mëngjesit të datës 14 shkurt 2019. Kanë qenë banorët e fshatit Sharrë, ata që kanë lajmëruar Policinë se një trup i pajetë ishte hedhur në ferra. Me të shkuar në vendin e ngjarjes, Policia ka bërë të mundur nxjerrjen e viktimës nga shkurret, për ta çuar më pas në morg. Pas disa orësh, është bërë dhe identifiki­mi i saj, që ishte shtetasja Lirie Xhepa. Pas hetimeve të kryera, Policia arrestoi atë kohë si autor të dyshuar kunatin e viktimës, Dashamir Xhepën. Fillimisht u hodh hipoteza se viktima dhe autori i dyshuar mund të kishin një lidhje intime. Por ky fakt ende nuk është vërtetuar. Fëmijët e viktimës gjatë deklaratav­e të tyre kanë mohuar se nëna e tyre mund të jetë vrarë si pasojë e një lidhjeje, por gjithçka ka ndodhur për një shumë parash që ende nuk është zbuluar ku janë. Ndërkohë, autori i dyshuar pas vrasjes është arrestuar në një hotel në Peshkopi, ku edhe i fshihej Policisë. Ndërkohë, banorët e zonës janë shprehur se trupi i viktimës është hedhur në ferra nga një makinë, e cila është larguar më pas me shpejtësi.

 ??  ?? Vendi ku u gjet viktima
Vendi ku u gjet viktima
 ??  ?? Viktima Lirie Xhepa
Viktima Lirie Xhepa
 ??  ?? Autori Dashamir Xhepa
Autori Dashamir Xhepa

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania