Aksioni blic i RENEA-s në Nikël, çfarë u gjet në shtëpitë e shtatë “të fortëve”
SPAK kërkoi në Gjykatë të ushtrohej kontroll në banesën e vëllezërve Bami dhe fisit Haka, gjatë aksionit u përdor për monitorim edhe droni
Forcat RENEA mësynë në Nikël orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa objekt i kontrolleve ishin pikërisht shtëpitë e “të fortëve” të zonës, nga vëllezërit Bami deri tek Ervin Kodra e fisi Haka.
Operacioni blic u zhvilluar në orët e para të mëngjesit në fshatin Nikël të Krujës, nga forcat RENEA, ndërsa u kontrolluan plot shtatë banesa dhe disa prona që posedonin individë me rekorde kriminale në këtë zonë. Sipas Policisë, kontrollet janë zhvilluar me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të siguruar prova të reja lidhur me ngjarjet e kaluara kriminale të pazbardhura. Kërkesa për këtë aksion blic në Nikël ishte bërë më herët nga SPAK-u. Sakaq, për disa orë Nikla ka qenë në shtetrrethim, e rrethuar nga forca të shumta policie. Policia e Shtetit njoftoi mesditën e djeshme se në operacionin e kontrollit të banesave në Nikël, janë përfshirë disa struktura të zbatimit të ligjit si: Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. OPERACIONI BLIC Në orët e para të mëngjesit të së premtes, fshati Nikël është blinduar nga forca të shumta Policisë dhe forca speciale, të cilat mësynë në banesat e shtatë individëve më të rrezikshëm të kësaj zonë, duke i zënë në befasi këta të fundit. Mësohet se pjesë e kontrollit ishin banesat e Valter dhe Durim Bamit, banesa e Ylli Çangut, shtëpia e kushëririt të Durim Bamit, Ervin Kodra, si dhe shtëpitë e Bedri Haka, Marklen Haka dhe Gentjan Koçit. Kontrollet janë bërë për të siguruar prova të reja lidhur me ngjarjet e kaluara kriminale të pazbardhura. Ndërkohë, pas kontrollit në banesat e tyre janë gjetur prova të reja apo sende te jashtëligjshme. Janë sekuestruar disa aparate celulare. Gjatë operacionit të kontrollit, u përdorën edhe dronë.
POLICIA RENEA ka kryer kontrolle në 7 banesave, në të cilat ka gjetur prova për hetime të pazbardhura ende. Të gjitha banesat e kontrolluara kanë qenë të personave që konsiderohen nga Policia si individë me precedentë penal.