Panorama (Albania)

U kap me armë te selia e PS, akuza kërkon 5 vjet burg për Vladimir Gjutën

-

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me pesë vite burg për Vladimir Gjutën, i cili u arrestua më 10 shkurt të vitit të shkuar pasi u kap me armë pranë selisë së Partisë Socialiste. Gjithashtu, Gjutës iu gjet edhe një sasi parash prej 180 mijë eurosh me vete. Këtë masë dënimi Prokuroria e Tiranës e kërkoi në përfundim të gjykimit të tij për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe për “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Seanca e radhës, ku pritet të dëgjohen konkluzion­et e mbrojtjes dhe të jepet vendimi, pritet të zhvillohet më datë 27 janar. Ndërkohë, kujtojmë që Vladimir Gjuta u arrestua më datë 10 shkurt të vitit 2020, dhjetë minuta para se të niste mbledhja e kryesisë së PS-së, ku i pranishëm ishte edhe Kryeminist­ri Edi Rama. Ishin efektivët e Gardës së Policisë që e arrestuan jashtë selisë së PS-së Vladimir Gjutën, ndërsa pistoleta ishte me fishekë në gojë. Me vete mbante edhe një dorezë metalike dhe rreth 180 mijë euro në një çantë firmato “Guçi”; 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglezë dhe 664.500 lekë të rinj. Gjatë kontrollit të banesës së Gjutës, shërbimet e Policisë sekuestrua­n edhe një automjet të blinduar autoveturë tip “Audi A8”, me të cilën ai qarkullont­e. Avokati i Gjutës, Naim Gjuta më herët është shprehur se klienti i tij nuk kishte për qëllim që t’i bënte atentat Kryeminist­rit Edi Rama, por po thyente disa para të cilat i duheshin për të hapur një biznes në Shqipëri. Sa i përket shumës së madhe të lekëve që iu gjetën në çantën “Guçi”, avokati tha se i ka fituar me punën në Angli. Vetë Gjuta ka deklaruar pas arrestimit se nuk kishte qëllim që të kryente atentat ndaj Kryeminist­rit, pasi ka simpati për Ramën, por dhe Berishën si politikanë, siç ka edhe për ishPreside­ntin amerikan, George Bush. Sakaq, theksojmë që Vladimir Gjuta është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më parë ka qenë arrestuar si i akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ngjarje e ndodhur më 10 shkurt 2015, por që në përfundim të hetimeve u lirua, pasi akuzat nuk u provuan. Ndërsa disa kohë më pas, Gjuta u arrestua për dhunë ndaj babait të tij, duke thyer edhe masën e “Arrestit shtëpiak”, por u lirua sepse familjarët nuk ngritën kallëzim penal. Vetëm një muaj para se të arrestohej në selinë e PS-së, pas një sherri i theu dhëmbët kushëririt të tij me çekiç dhe duke i lënë të dëmtuar njërin nga sytë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania