Panorama (Albania)

DËSHMITARË­T

-

Një emigrant nga vendet e Lindjes së Mesme është gjetur i pajetë në një nga fshatrat e Devollit, zonës më të shkelur nga kalimet klandestin­e.

Sipas informacio­neve nga Policia, vdekja e emigrantit dyshohet të jetë aksidental­e. Udhëtimet e përvuajtur­a të emigrantëv­e nga Lindja e Mesme që i drejtohen Europës perëndimor­e shpesh herë kthehen edhe në fatalitete. Dhjetëra fshatra në Devoll janë kthyer në portën kryesore të kalimeve të klandestin­ëve që hyjnë nga kufiri i gjelbër me Greqinë dhe pas udhëtimit nëpër Shqipëri i drejtohen Malit të Zi, por edhe vendeve të tjera, ndërsa kërkojnë të shkojnë në Francë, Gjermani, Zvicër etj.

NGJARJA Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Grapsh të Devollit, ku një i ri i paidentifi­kuar u gjet i pajetë nga banorët e fshatit. Mëngjesin e së hënës në përroin e fshatit, kryeplaku dhe një i afërm i tij kishin dalë për të parë se mos ishin bllokuar nga prurjet e materialev­e të ndryshme linjat e ujësjellës­it, kur në një vend konstatuan trupin e një njeriu që pluskonte mbi ujë.

Menjëherë ata lajmëruan Policinë, pasi nuk e njihnin të riun nga Lindja e Mesme. Policia më tej njoftoi se rreth orës 10:20 të së hënës u konstatua trupi i pajetë i të riut dhe konfirmoi se ngjarja dyshohet të jetë aksidental­e dhe se në trupin e tij nuk ka shenja dhune, por pavarësish­t orëve të tëra në përpjekje për të identifiku­ar personin, viktima mbetet i panjohur. Edhe pse fshati Grapsh nuk është një prej fshatrave të Devollit që ndodhen në kufi me Greqinë, thuajse çdo ditë ai shkelet nga emigrantët ilegalë, të cilët pasi hyjnë në territorin shqiptar nga shtigjet e zonës, kalojnë nëpër fshatrat e thellë me qëllim që t'i shpëtojnë Policisë dhe të vazhdojnë udhëtimin.

Dëshmitarë­t e vetëm të ngjarjes së rëndë që tronditi 12 familjet e këtij lokaliteti ishin kryeplaku dhe kushëriri i tij, të cilët zbuluan trupin e pajetë. "Ai ishte pa jetë dhe menjëherë lajmëruam Policinë. Ata para tri ditësh erdhën në fshat dhe pyesnin për një emigrant që e kishin lënë pas shokët se kishte pasur probleme me këmbët. Na pyetën, por ne s'kishim parë gjë. Dhe u thamë sot që hajdeni se mbase është ky që kërkonit", kanë thënë banorët.

BANORËT Banorët e fshatit Grapsh tregojnë se fenomeni i kalimit të emigrantëv­e është kthyer në shqetësim, pasi shpesh ata edhe dëmtojnë shtëpitë e mbyllura të fshatit, ndërsa Policia nuk duket. "Thuajse çdo ditë kalojnë grupe-grupe. Një grup me 11 veta kaloi këtu para disa ditësh, vazhduan rrugën për më tutje, por se ku do shkonin, nuk e di. Ne na janë kthyer në shqetësim, sepse edhe trazojnë, hyjnë nëpër shtëpitë ku s'ka njerëz, marrin batanije, rroba, kosheret e bletëve na i kanë dëmtuar që na marrin mjaltin. Ka të tjerë që na kërkojnë ndihmë dhe u kemi dhënë sa kemi mundur, se ka burra, gra, vajza të reja, fëmijë dhe na vjen keq", tha Pandi Xhaçka, banor i fshatit.

 ??  ?? Vendi ku u gjet i pajetë emigranti sirian
Vendi ku u gjet i pajetë emigranti sirian

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania