Vetingu në Polici, Meta kthen ligjin
“Ka dështuar, është ndëshkim e shantazh ndaj Policisë”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer dje për rishqyrtim në Kuvend ligjin për vetingun në Policinë e Shtetit. Në argumentet ligjore, kreu i shtetit thekson se ato evidentojnë sipas tij, papërgjegjshmërinë e procesit legjislativ dhe evidentojnë falsifikimet që bëhen me nismat, që depozitohen në Kuvend. Sipas Presidentit Meta, “kjo është ndërhyrja e tretë që i bëhet ligjit brenda një kohe kaq të shkurtër. (5 mars 2018 – 8 mars 2021)”. Ndaj dhe kreu i shtetit ka kërkuar që Kuvendi dhe qeveria, ose të pranojnë dështimin e vetingut në Polici dhe të nxjerrin përgjegjësit e kësaj nisme të dështuar, ose të pranojnë qëllimin politik për të mbajtur nën presion të vazhdueshëm efektivët e Policisë. Meta thekson se kjo nismë ligjore ndonëse është propozim i një grupi deputetësh, në fakt, në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, projektligjin e ka prezantuar dhe e ka mbrojtur zëvendësministri i Brendshëm,
që ka mbajtur të njëjtin qëndrim “copy-paste”, pa ndryshuar as presjen, nga relacioni i nënshkruar nga deputetët nismëtarë. Nisur nga këto argumente, Presidenti i ka bërë të qartë Kuvendit se kjo procedurë e ndjekur shkel “parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë dhe është tregues se qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm dhe ku Kuvendi ka humbur krejtësisht rolin mbikëqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit”. Në prag të një Kuvendi që pritet të riformatohet shumë shpejt në zgjedhjet e afërta të 25 prillit 2021, Presidenti ka ngritur shqetësimin për faktin se, ndryshimet e bëra me këtë ligj, po fusin në tërësi procesin veting, në vazhdën e “pezullimit” pa afat, por edhe dosjet që janë në proces vlerësimi i pezullon, duke krijuar kështu “një situatë pasigurie të rëndë juridike për gjithë subjektet që e kanë nisur këtë proces, apo që do mbeten në pritje për t’iu nënshtruar atij”. “Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (vetingut), apo pezullimi pa afat i vet procesit krijon terren që ky vlerësimi kalimtar (vetingu) të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor apo shantazhues për gjithë strukturën policore, çka mund të sjellë një situatë shqetësuese, paqëndrueshmërie dhe destabilizuese në këtë strukturë”, argumenton Presidenti. Meta citon gjithashtu se kjo nisëm ligjore bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.