Kushtet krenare të Kurtit ndryshuan “lojën” e bisedimeve me Serbinë
Bashkimi Europian ka paralajmëruar mundësinë e rinisjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së shpejti, pas formimit të plotë të institucioneve të Kosovës, të dala pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Por, përkundër dëshirës së Be-së që të drejtojë bisedime të shpejta dhe të suksesshme, të dy palët janë shumë larg njëra-tjetrës jo vetëm në qëndrime, por edhe në deklarata publikë. Pikëpamjet ndryshe dhe qëndrime skajshmërisht të kundërta nisin që nga mënyra se si do t’i qasen dialogut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar parimet, si parakushte, me të cilat do t’i qaset procesit të dialogut me Serbinë. Autoritetet e Beogradit i kanë cilësuar ato si ultimatume që çojnë drejt përfundimit të procesit dhe shkatërrimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun e Brukselit. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar para pak ditësh se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë shprehur gatishmërinë për rifillimin e dialogut.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë së Kosovës, ka theksuar në REL, se kryeministri Albin Kurti, për sa i përket dialogut me Serbinë, tashmë e ka shprehur qëndrimin e tij, i cili vazhdon të jetë i pandryshuar. “Kryeministri Kurti ka dhënë katër parime për dialogun me Serbinë. E para, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur. Pra, nuk mund të kthehemi para pavarësisë së vitit 2008. E dyta, duhet të pranohet e vërteta. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe duhet të pranojë krimet që ka bërë. E treta, duhet të ulemi të barabartë.
Kosova nuk mund të jetë temë diskutimi, por duhet të jetë palë e barabartë në diskutim. E katërta, duhet që nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët. Dialogu nuk zhvillohet për të rregulluar imazhin e politikanëve, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Kryeziu.
Ambasada amerikane në Prishtinë nuk ka dashur të komentojë parimet e paraqitura nga Kurti për dialogun, por tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar. Nga BE nuk kanë komentuar në lidhje me parimet dhe kushtet e Kurtit.