Yuri Kim: Do punojmë bashkë për të luftuar korrupsionin
Raporti i DASH: Mosndëshkimi i zyrtarëve, si një problem serioz
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka komentuar dje raportin e departamentit Amerikan të Shtetit mbi korrupsionin, mungesën e transparencës dhe lirive e të drejtave të njeriut. Përmes një postim në “Twitter”, ambasadorja Yuri Kim thekson se do të punojë më shumë se kurrë me të gjithë faktorët e rëndësishëm në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, jo vetëm si një prioritet të Shqipërisë, por edhe të SHBA-së, pasi ajo shihet si një çështje me shumë rëndësi për sigurinë globale. Ambasadorja Yuri Kim thotë se për SHBA-në, mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut është një nga përparësitë më të mëdha dhe si e tillë ajo do të luftojë për të përmirësuar treguesit e raportit për vitin 2020.”Presidenti Biden dhe sekretari Blinken kanë theksuar përparësinë e ripërtërirë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit si një çështje e sigurisë kombëtare dhe globale. SHBA-ja do të punojë më shumë se kurrë me Shqipërinë, qeverinë, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët e rregullt në ndjekje të këtij prioriteti”, shkruan ambasadorja amerikane. Ndërkohë, më herët Ambasada Amerikane, në një postim në rrjetet sociale, thotë se prokurorët në Shqipëri kanë bërë përparim në ndjekjen e rasteve të nivelit të ulët të korrupsionit, por sërish mbetet shqetësim ky fenomen.”Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë për vitin 2020, vëren përparim të rëndësishëm nga prokurorët në ndjekjen e rasteve të nivelit të ulët të korrupsionit, por shqetësime të vazhdueshme mbi korrupsionin e përhapur, pavarësinë e gjyqësorit, kufizime në lirinë e të shprehurit dhe të medias dhe pandëshkueshmërinë”, shkruan Ambasada. Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken publikoi dy ditë më parë raportin e DASH për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020 duke evidentuar edhe situatën në Shqipëri, ku në vendin tonë evidentonte si një problem serioz mosndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar.
GJETJET E RAPORTIT Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon që individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, parlamentarë, ose në qeveri apo në pozicione shtetërore, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive, thuhet në raport. Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Shembujt përfshijnë një kandidat për kryetar bashkie në vitin 2019 i dënuar më parë për trafik droge. Mosndëshkimi mbeti një problem serioz pasi, “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale”.