Lirohen 4 të ndaluarit që protestuan për HEC-in
Avokati: Arrestimi, presion që të mos protestojnë më
LEZHE - Gjykata e Lezhës ka lënë të lirë 4 personat e arrestuar të dielën në lidhje me protestën e zhvilluar kundër ndërtimit të një HEC-i dhe një fabrike uji në Thirrë të Mirditës. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se prokurori Françak Ganaj ka kërkuar që të qëndrojnë në burg katër protestuesit. Por pasi dëgjoi palët, gjyqtari Artan Hajredinaj vendosi një masë më të butë, “Detyrim paraqitje” dy herë në muaj në Policinë Gjyqësore. Në përfundim të seancës gjyqësore, avokati i të ndaluarve, Astrit Gjika, u shpreh se arrestimi i tyre ishte i paligjshëm dhe në formë presioni që ata të mos protestojnë më për të drejtat e tyre. “Më tepër është një lloj presioni nga Policia që këta njerëz herën tjetër të mos kërkojnë të drejtën e tyre, ose mos të flasin, se ishte një deklaratë për shtyp, paçka se banorë të acaruar se po u merret jeta, se uji është jetë, bënë disa thirrje dhe Policia e kthehu në protestë. Jemi afër një lloj diktature, cila është akuza tjetër? Agjitacion dhe propagandë”, tha avokati. Në kohën kur po zhvillohej seanca gjyqësore, jashtë ambienteve të Gjykatës kishte një numër të konsiderueshëm personash, të cilët përmes thirrjeve të tyre kërkonin në vazhdimësi lirimin e të arrestuarve, ndërsa gjatë daljes nga gjykata, organizatori i protestës, Besnik Paci, kërkoi dhe njëherë që të dëgjohet zëri i banorëve të Thirrës për problemin që ato kanë. “Mbroni Thirrën se Thirra thërret...”, tha Paci. Besnik Paci, organizator i protestës dhe tre aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Etnik Berisha, Endrit Bytyqi dhe Çlirim Gerbeshi, u arrestuan të dielën pasi me pretendimin se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin MilotMorinë, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të zhbllokuar qarkullimin e automjeteve. Ndaj tyre janë ngritur veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”. Të dielën banorë të fshatrave Thirrë dhe Sang në Mirditë, të mbështetur dhe nga organizata mjedisore dhe deputetë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, protestuan për herë të dytë kundër ndërtimit të një HEC-i dhe fabrike ujit në këtë zonë. Banorët kanë bërë kallëzim penal ndaj kompanisë dhe përfaqësuesve lokalë, duke pretenduar se firmat e tyre në dakordësi me ndërtimin ishin të falsifikuara. Kompania i ka mohuar akuzat. Prokuroria e Lezhës ende nuk ka dalë në një përfundim mbi çështjen. Leja për ndërtimin e HEC-it dhe fabrikës së ujit në zonën e Thirrës është dhënë më 20 qershor 2018 dhe projekti po zbatohet nga kompania “Sang 1 sh.p.k”. Ky është vetëm një prej disa dhjetëra konfliktesh të ngjashme që vijojnë prej vitesh në të gjithë vendin, mes banorëve dhe kompanive e qeverive që kanë dhënë qindra leje për hidrocentrale në lumenj e përrenj. e. h.