Panorama (Albania)

Zgjedhjet e KOKSH janë kopje e zgjedhjeve të njëanshme

- BESNIK DIZDARI

Dhe duhen ndaluar. Duhen ndaluar sepse në qoftë se bie fjala, në këto zgjedhje nuk merr pjesë federata më madhe sportive e Shqipërisë, që është Federata Shqiptare e Futbollit, vetëm kaq mjafton. Pa shkuar mandej te një tufë federatash të tjera. Dikush thotë madje se janë plot 23 federata mospjesëma­rrëse.

Duket qartë që këto zgjedhje, që me sa duket janë kryesisht “zgjedhje socialiste”, pra, të sunduara - qysh nga pretendent­i për President - e të lidhura me Partinë Socialiste ende në pushtet. U duhet thënë ndal këtyre zgjedhjeve, sepse janë gati kopje e zgjedhjeve lokale të paradokohs­hme për kryetarë të bashkive, të cilat u bënë me pjesëmarrj­en e zgjedhësve të vetëm një partie.

Kam besim se midis njerëzve që duan t’i bëjnë këto zgjedhje kësisoj të njëanshme, ka njerëz të drejtë mbi të gjitha, të cilët në vetëdije nuk janë dakord për kështu. Mirëpo, ndoshta trysnia partiake i bën të dorëzohen. Ndonëse kanë edhe pak orë mundësi që të mos dorëzohen e ta nderojnë personalit­etin e tyre.

Nuk po më pëlqen të tjerri gjatë, qoftë edhe për ditën e sotme, 17 prill 2021, të këtyre zgjedhjeve (nëse vërtet ato do të bëhen), pra, vetëm 7-8 ditë para zgjedhjeve të përgjithsh­me elektorale, por nëse ndodh, ky do të ishte bizantiniz­ëm i tanë. Padrejtësi e tanë! Egoizëm i tanë! Pse jo, edhe politizim i tanë!

Vërtet si mund të guxojnë deri këtu... Përse edhe sporti kombëtar po i ngjason një politike ndarëse, pushtetare të sotme? Kur duhet të jetë i pavarun! Kur duhet të jetë i paanshëm! Kur duhet të jetë i ndershëm! Kur duhet të jetë atdhetar!

Natyrisht, nuk më shkon ndër mend t’i kërkoj ndërhyrje as qeverisë në fuqi, as ministrisë përkatëse. Kështu, ngaqë me heshtjen tyre, duket se edhe ato pranojnë asisoj.

Por, edhe ngaqë e di se ato nuk bëjnë gjë. I kërkoj ndihmë vetëm ndershmëri­së sportive, që po e quaj olimpike. Sepse këto zgjedhje të njëanshme janë qartë kundër atij që quhet shpirti olimpik.

Nga kandidatët për t’u zgjedhur, njoh vetëm nja tre a katër. Të tjerët më janë të panjohur, ndoshta për fajin tim. Mirëpo, është e papranuesh­me se si ka mundësi që nuk ka kandidatë emrash të mëdhenj të sportit kombëtar, që ende jetojnë e kanë shumë mend e energji. E, kjo edhe më shumë e shton njëanshmër­inë. Shkoni te Komitetet Olimpike të shteteve të tjera e shihni se kush është zgjedhur në komitetet e tyre olimpike e se çfarë personalit­etesh mbi 70 e 80-vjeçarë madje, por fort të kthjelltë ende. Kurse këtu?!... Por ka edhe më tej. Është krejt e papranuesh­me se si ka mundësi që të kenë të drejtë votimi apo zgjedhjeje “federata” sportive të tilla si ato të aeronautik­ës, badmintoni­t, kanoes, harkut e deri e dansit. Çfarë peshe kanë këto sporte në jetën e shqiptarëv­e? Çfarë ndikimi e përhapjeje kanë ato? Thuajse zero.

Komiteti Olimpik Kombëtar i Shqipërisë është themeluar më 23 nëntor 1958. Në atë që mund ta quajmë një lloj Komiteti Ekzekutiv të KOKSH, u zgjodhën këta 19 njerëz: Andon Mazreku, Avni Zajmi, Bujar Hoxha, Dashuri Gjerazi, Dervish Lisi, Enver Muriqi, Evgjeni Kote, Ibrahim Dizdari, Isuf Dashi, Koci Zengo, Minella Kapo, Osman Palushi, Petrit Murzaku, Refik Resmja, Sotir Polena, Telat Verzivolli, Vasil Konomi, Vasil Prifti, Vasil Naqi. Komiteti zgjodhi sekretaria­tin e tij të përbërë nga shtatë vetë. Vasil Konomi u zgjodh kryetar (president) i Komitetit Olimpik të RP të Shqipërisë. Zëvendëskr­yetarë: Andon Mazreku dhe Dr. Isuf Dashi.

Ndonëse rronim nën një regjim totalitar komunist, ndonëse disa prej këtyre të zgjedhurve ishin anëtarë të PPSH apo dhe ish-partizanë, në mënyrë absolute të gjithë ishin njerëz të shquar të lidhur fort me sportin kombëtar, madje edhe me atë të Mbretërisë së mallkuar të Zogut I. Ndonjëri, madje, edhe me probleme biografike, kjo simbas metrit matës të atij Regjimi. E pra, më drejt 63 vjet më parë sesa sot?... Dhe po e mbyll me një parashikim. Jam i bindur se ata që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje të 17 prillit 2021, nëse e humbasin luftën për anulimin e tyre, parashikoj, pra, se ata do të krijojnë Komitetin e tyre Kombëtar Olimpik. Le të marrim me mend se kjo nuk do të pranohet. Mirëpo, autoriteti i tyre sportiv, me në krye Federatën Shqiptare të Futbollit, më e pakta do të bëjë që ata jenë në luftë të përhershme me këtë KOKSH, që do të dalë prej këtyre zgjedhjeve të njëanshme. Kjo do të thotë se sporti olimpik shqiptar dhe KOKSH artificial i tij nuk do të mund të kalojnë një jetë të qetë. Do të trazohen fort. Dhe koha me siguri do të na çojë te zgjedhje të tjera. Madje, në logjikën e punëve, edhe të mbështetur­a nga vetë CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombët­ar). Sado miq që të kenë aty këta që kërkojnë të bëjnë zgjedhjet e sotme të njëanshme.

Dhe do të shohim se çka do të ngjasë…

 ??  ??
 ??  ?? NË FOTO: 23 nëntor 1958. Çaste të themelimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar
NË FOTO: 23 nëntor 1958. Çaste të themelimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania