APLIKIMET Pensionet me KEMP, si do rritet përfitimi
ISSH sqaron hapat e aplikimit dhe kohën që duhet për të përfituar pensionet në rastet e aksidenteve e paaftësisë për punë. Afatet dhe dokumentet, si indeksohet përfitimi çdo vit
Janë 10 653 lekë në muaj që përfitojnë personat me aftësi të kufizuar, po kaq edhe ndihmësi personal.
Siç ndodh me skemën e pensioneve edhe në rastin e kësaj pagese nuk aplikohet rritja e mirëfilltë, por vetëm indeksim. Indeksimi bëhet bazuar në normën e inflacionit dhe zakonisht shtesa nis të aplikohet në muajin shtator.
AFATI Lidhur me afatet për shqyrtimin e dosjes, ISSH-ja ka sqaruar se për shkak të situatës së diktuar nga pandemia vendimi ndërmerret pa prezencën e individëve dhe në harkun e jo më shumë se 6 muajve nga dorëzimi i dokumenteve. “Më duhet t’ju bëj me dije se komisionet mjekësore të caktimit të aftësisë për punë, që nga gjendja e pandemisë nga COVID-19, i zhvillojnë aktivitetin e tyre, për vlerësim të gjendjes shëndetësore të invalidëve, pa prezencën e invalidëve, bazuar në aplikimin e personit dhe dokumentacionin e dosjes apo edhe nëpërmjet komunikimit me invalidin në distancë. Në të gjitha rastet kur shqyrtimi i gjendjes dhe dokumenteve mjekësore bëhet pa prezencën e invalidit, vendimi i KMCAPve dhe periudha e përfitimit nuk mund të jetë më e gjatë se 6 muaj. Këto komisione në varësi të sëmundjes dhe personave që kërkojnë invaliditet mblidhen një apo më shumë herë në muaj. Pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit nga KMCAPet, kërkuesi informohet mbi vendimmarrjen e komisionit dhe afatin e përcaktuar për përfitim, në zyrën e KMCAP”, bën me dije ISSH-ja. Nga ana tjetër, sqarohet po ashtu se “Në rast kur KMCAP-i nuk mund të marrë vendim, për shkak të mosplotësimit të dosjes me ekzaminimet përkatëse (për mungesë dokumentesh) për vlerësim të gjendjes shëndetësore specialistët e KMCAP, informojnë kërkuesin për plotësimin e mëtejshëm të dokumentacionit. Përgjigjja e vendimit që do të marr KMCAP-in pas vlerësimit të dosjes, merret në zyrën e KMCAP-it.
SKEMA Ndryshimet e bëra ju japin mundësi personave me aftësi të kufizuar që të punojnë dhe njëkohësisht të marrin edhe pagesën për aftësinë e kufizuar. Ligji i ri i asistencës sociale parashikon po ashtu përcaktimin e të drejtës së përfitimit të pagesave të personave me aftësi të kufizuar dhe të së drejtës së përfitimit të një ndihmësi personal duke zgjeruar numrin e përfituesve dhe duke përfshirë në skemë rreth 4000 persona, të cilët më parë nuk mund të përfitonin nga skema e sigurimeve shoqërore për shkak se nuk plotësonin kushtin e të pasurit 12 muaj kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore në 5 vitet e fundit.