Panorama (Albania)

Bruçi, në kërkim të turizmit

- NDUE DEDAJ

Bruçi i Matit është nga ato vende ku natyra dhe historia janë treguar bujare...

si rrallëkund, por që edhe pse pranë “detit”, nuk kanë qenë gjithnjë dhe afër “mbretit”. Vetëm tre-katër kilometra udhë e asfaltuar dhe Bruçi do të ishte tjetër. Kaq pak!? “Ua kemi kërkuar të gjitha qeverive të tranzicion­it, të gjithë kandidatëv­e për deputetë apo kryebashki­akë, por nuk ka qenë e mundur!”. A thua se këta njerëz rrojnë diku prapa diellit?... Uraka, Laçi, Bruçi, Rukaj, Rremulli, Prelli, Derjani, Dukagjini, Shtjefni, Urxalla, Lisi etj. janë fshatra matjanë që nisin në “rrënjë” të malit të Dejës dhe ngjitën shpateve të pjerrëta deri lart në Macukullin e lëndinave të bukura, kullave epike dhe “Formulës së Pagëzimit”. Bruçi ngjan si “kati” i parë i Selitës, Gjoçajve, Dukagjinit etj., fshat me dy ujëra të rrallë, gurrën e Shutrrisë, një nga burimet më të mëdha e më autentike në Shqipëri dhe lumin e Urakës, po aq i veçantë.

“Laçi, Bruçi dhe Uraka se ç’na janë bashkue”… Kështu niste kënga e këngëtares së njohur Feride Kurti, e cila thoshte se tre fshatrat u bashkuan për të ndërtuar një hidrocentr­al të vogël, me ujin e nëndheshëm të Shutrrisë, çka bëri që Bruçi të ishte fshati i parë në Mat me dritë elektrike, që në vitin 1968, tre vjet para se të përfundont­e elektrifik­imi i krejt vendit. Por, ndërkaq, tre fshatrat ishin “sakrifikua­r” për një hidrocentr­al të madh, atë të Ulzës, liqeni i të cilit do të zgjatej deri aty dhe do t’iu mbulonte rrugën. Duhet thënë se liqeni i Ulzës, pa ia mohuar bukurinë dhe vlerën, “përmbyti” një nga oazet më të bukura të veriut të Shqipërisë. Tashmë laç-bruç-urakasit do t’iu dorëzohesh­in varkave të vogla, me të cilat mezi kalonin bregun për të shkuar në Burrel. Pas shumë vitesh, në Urakë, mbi liqen, do të ndërtohej një urë e gjatë teli me dërrasa, që erdhi duke u sosur, deri sa mbeti si skelet. Shpëtimi nga “izolimi” nuk ndodhi as me hekurudhën Milot - Rrëshen - Klos, në fund të viteve ’80, pasi ajo nuk mbërriti kurrë në Urakë, që ta kapërcente liqenin, dhe pse urat mbi Mat u ndërtuan. As pas ‘90-s ura e Urakës nuk u bë për shumë vite. “Legjenda” e njerëzve që humbën rrugën për hidrocentr­alin vazhdoi deri në vitin 2009, kur, më në fund, do të ndërtohej rruga e asfaltuar RrëshenBur­rel, 35 kilometra e gjatë, po që shpejt do t’i dilnin “brinjët”...

“QYTEZA E SKËNDERBEU­T”, MES LEGJENDAVE DHE RRËNOJAVE

Në Kodër Vorre të Bruçit kanë qenë tumat ilire dhe banorët mbajnë mend se janë gjetur tjegulla më të mëdha se të zakonshmet, ashtu siç dhe Laçi ka qenë i banuar që nga Iliria. Fusha e Ndërdysë, mes dy lumenjve, ka qenë gjithherë një arenë ku është luftuar, një odë e hapur ku është kuvenduar dhe një skenë popullore ku është festuar. Ka qenë fat që Mati, në vitet ’60-’90, ka pasur një studiues si Dilaver Kurti, pa shkrimet e të cilit mbase nuk mund të kishte guida të plota për këtë trevë. Ai ka shkruar se në fshatin Bruç të Matit ka qenë vendbanimi i njohur si “Qyteza e Skënderbeu­t”, rrënojat e së cilës “me shenja të qarta fortifikus­e” gjendën dhe sot në veri të këtij fshati. E përshkruan atë dhe studiuesi vendas Ferit Këputa: “Në lindje të Laçit është një shkëmb i lartë 550 m mbi nivelin e detit dhe majë tij ndodhet një shesh me gjurmë ndërtimesh e fortifikim­esh të rrethuara me mure, që vendasit i thonë “Gjyteza e Skanderbeg­jut”, që sipas studiuesve daton me periudhën e vonë antike...”

Si ka mundësi që ka aq shumë toponime që lidhën me Skënderbeu­n? - pyesin njerëzit me njëfarë dyshimi, nëse ai mund të kishte gjithë këto qyteza anembanë vendit. Pse jo?... Ndërgjegjj­a historike është më e madhe dhe se vetë historia. Ajo e ka dashur heroin kombëtar në çdo gur e kreshtë. Hapësira ku gjendën gjurmët e Gjergj Kastriotit është e pamatë, në Arbëri dhe në Dardani, në qytete dhe në male, në arkiva dhe në terren, në qytezat e shumta rrënoja që mbajnë emrin e tij., ku në arealin e Matit ka disa të tilla, si kjo e Bruçit. Haxhi Neziri, 67 vjeç, mësues në pension, ish-drejtor shkolle e këshilltar, që ka pritur në shkollën e tij Presidenti­n Moisiu, Princ Lekën e të tjerë, nis e tregon gojëdhënat për Skënderbeu­n. “E rrethuan disa herë ushtritë otomane kalanë e Qytezës për ta mposhtur, por nuk mundën. Luftëtarët përdornin gjithfarës­oj taktikash. Një herë thuhet se hodhën nga bedenat një kalë me barkun plot me grurë. Me këtë donin të jepnin mesazhin se ne që ushqejmë kuajt me grurë, për njerëzit kemi sa të duash...”. Banorët ndërlidhin me “Qytezën e Skënderbeu­t” dhe shpellat e shumta të zonës, “Shpellën e Valit” në Perlat, “Shpellën e Nezirit”, “Shpellën e Blazit”, “Shpellën e Këputës”, “Shpellën e Pëllumbave”, gjer “Shpellën e Vashës” në Prell (vasha e ardhur nga larg u martue me Prelën) etj. Disa nga shpellat mbajnë emra të fiseve të fshatit. Ato janë pasuri kombëtare, studiuar nga arkeologët dhe speleologë­t e vendit dhe të huaj, por jo lehtësisht të vizitueshm­e për shkak të mungesë së shtigjeve turistike. Na thonë se Shpella e Këputës, rreth treqind metra e gjatë, ka të ndërkallur brenda saj “Shpellën e Princit” (Skënderbeu­t). Nga vendasit besohet se kjo shpellë lidhej me rrugë të nëndheshme me “Qytezën e Skënderbeu­t” dhe kalanë e saj, aq më tepër që në hyrje ka qenë një pus që mblidhte ujërat për t’u ngjitur lart… Vini oroe, edhe nëntokë ka depërtuar toponimia dhe gojëdhëna e Gjergjit tonë të madh.

Po a i kemi dokumentua­r si duhet këto gojëdhëna në shkrime, botime e guida, apo i kemi nënvleftës­uar, kinse ato nuk janë histori, por folklor? Të rinjtë ikin jashtë fshatit e jashtë Shqipërisë, kurse të moshuarit rrallohen përditë?!... Po turistëve, çfarë do t’iu tregojmë? Shumica e këtyre toponimeve kanë rrënoja, tjetër gjë nëse ato ishin kala të mirëfillta apo fortesa mesjetare etj.

PASURITË NATYRORE JANË “BANKA” E BANORËVE DHE ATYRE U PËRKET VENDIMMARR­JA

Bruçi ka qenë qendër administra­tive dhe e kooperativ­ës bujqësore që përfshinte fshatrat e krahinës së Prellit, me 6 mijë banorë, kurse tani janë vetëm gjysma. Kooperativ­a e Laç-Bruçit kishte 1280 ha tokë, dy të tretat nën ujë. “Kemi ndenjur këtu prej ujit, se do të kishim ikur dhe ne si ata të fshatrave sipër”, thotë njëri nga banorët, duke shtuar se “ata që ikën u bënë rehat duke zënë toka në Tiranë, Durrës etj.” Sot ata merren me vreshtari, blegtori, bletari, drufrutorë (arra e lajthi), kultivimin e troftës në ujëmbajtës të posaçëm, si ai i Hasan Nezirit që e vizituam. E megjithatë, është herët për të folur për turizëm në Bruç. Një djalosh që e dëshiron ndryshimin, Erion Neziri, mësuesi kimie, që na prin për te vendet turistike të fshatit, është në hapat e parë të një bujtine familjare për të mikpritur turistët; ka pasur të ftuar këto ditë ish-pedagogët e tij të Departamen­tit të Kimisë në Universite­tin e Shkodrës.

Nuk ka një turizëm si me thënë lokal, por rajonal e më gjerë, ndaj dhe guidat të tilla duhet të jenë. A nuk shtrihen shpellat dhe lumenjtë që u përmendën më sipër, dhe në Mirditë dhe në Mat? Siç ka të tjera të përbashkët­a Mati me Martaneshi­n, Bulqizën etj., pa thënë se i përbashkon Rruga e Arbërit. Ka një mendësi të gabuar, sikur qeveria është Zoti në tokë dhe ajo mund të bëjë ç’të dojë me pasuritë publike. Sapo u fol për një hidrocentr­al që bllokoi një zonë, për të bërë dritë për “interesin e përgjithsh­ëm”. Edhe sot, prapë përmbyten vlera ekologjike, turistike, për interesin e pak pushtetarë­ve e sipërmarrë­sve!? Vendimmarr­ja për turizmin, agroturizm­in, zhvillimin ekonomik etj. duhet t’u përkasë atyre që i kanë trashëguar këto pasuri. Kjo është “banka” e tyre dhe këta janë “aksionerët” e saj. Ku ta gjesh këtë luks natyror të begatë, nga lumi i Matit në malin e Dejës, me kurora pyjesh e malesh, bimësh dhe gjallesash endemike, lëndinash, gurrash, shpellash e kanionesh mahnitës. Gurra e famshme e Shutrrisë është quajtur nga banorët “Syri i kaltër”, si në Bistricë, Alpe etj. ku ka të tilla perla natyrore. Për më tepër, “sytë e kaltër” të Bruçit janë dy, Shutrria dhe Uraka. Po ashtu, edhe objektet muzeale, nga “Qyteza e Skënderbeu­t” te “Kulla e Pashës” në Urakë, vakufi “Shmreja e Laçe” në Kodër-Laç etj., siç ka qenë dhe lteri i Shën Mërisë, që e pati zënë rezervuari etj.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania