Papandreu: Ballkani në BE, zgjidhja e problemeve
“Programi i BE-së duhet të jetë programi i çdo vendi, anëtar ose jo”
Ish-Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, gjatë viteve 20092011, i cili drejton edicionin e “Symi Symposium”, forumit politik ku ftohen personalitete të spikatura rajonale dhe ndërkombëtare, tha dje se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE ndihmon në zgjidhjen e problemeve që këto vende mund të kenë. “Duke qenë se po diskutojmë këtë temë që e morëm dhe në ditët e kaluara, ka njerëz në Bashkimin Europian që thonë ‘shihni Ballkanin Perëndimor, kanë gjithë këto probleme. Mos do t’i importojmë këto probleme këtu brenda’? Është e anasjella. Që të marrësh Ballkanin Perëndimor, ta pranosh, është të zgjidhësh këto probleme. Mendoj se mesazhi yt qe shumë i rëndësishëm e është që, nëse punojmë të gjithë së bashku në këtë rajon, pavarësisht ngadalësisë apo shqetësimeve apo çfarëdolloj gjëje tjetër nga ana e Bashkimit Europian, pra, nëse shohim që kjo është një perspektivë për ne. Po flitej për Turqinë. Ka pasur një udhërrëfyes europian për të ndryshuar Turqinë dhe në një pikë të caktuar, Turqia tha që ky nuk është programi Brukselit, por i Ankarasë, duam ne të ecim përpara, duam ne të ndryshojmë. Ishte shumë vjet më parë. Ky program europian duhet të jetë programi ynë, pavarësisht se jemi anëtarë apo jo. Mendoj se kjo është një strategji e rëndësishme. Nëse ne ndryshojmë mendësinë, për të thënë se duhet t’i bëjmë gjërat këtu në rajon dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë Brukseli do të na shohë më shumë. Unë gjithmonë kam thënë që ne duhet të bëhemi bashkë, sepse, nëse ne bëhemi bashkë, atëherë ne zëmë një vend në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, kur bëhet fjalë për gjithë këtë nacionalizëm e populizëm, e shohim që shfaqet më shumë në mbarë botën”, tha Papandreu. Si moderator i panelit ku mori pjesë Kryeministri Rama, Papandreu bëri disa konstatime gjatë fjalës së Ramës. “Ti fole shumë për bashkëpunimin rajonal e ka dy aspekte; njëri është se si ne në rajon mund të zhvillojmë më shumë bashkëpunimin rajonal. Kemi qenë gjithmonë me këtë psikologji për shkak të luftërave, varësive. Shqipëria, gjatë Luftës së Ftohtë varej nga Kina, pastaj ishJugosllavia, Rumania, Bullgaria me dallimet e tyre, kuptohet edhe ish Bashkimi Sovjetik. Edhe ne pjesa tjetër, edhe pse ishim me problemet tona, ishim shumë të ndarë, por gjithashtu kërkonim varësi nga kush ka kontakte në Bruksel e Uashington, në vend që të punonim së bashku dhe të krijonim këtë frymë bashkimi mes vetes. Kjo frymë mund të nxitet nga perspektiva europiane. Natyrisht, edhe pse Bashkimi Europian është shumë i vështirë dhe lidhja e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut po kështu ishte një problem”, tha Papandreu.