Mijëra vaksina drejt Shqipërisë, por njerëzit nuk kanë interes
Nga 6433 vaksinime ditore, vetëm 2026 qytetarë morën dozën e parë. Manastirliu apelon për vaksinim: Rastet e infektimeve po rriten
Frika nga mutacioni “Delta” nuk i ka nxitur qytetarët të vaksinohen, përkundrazi. Rritja e numrit të dozave që kanë hyrë në vend ka ardhur në disproporcion me numrin e atyre që duan të injektojnë lëngun e çmuar.
Numri i dozave të administruara ka arritur në 1 milion e 35 mijë, 6 mijë e 443 prej të cilave u kryen vetëm ditën e djeshme. Por sipas të dhënave të analizuara në detaje, vetëm dy mijë e 26 figurojnë të kenë marrë dozën e parë, pasi 4407 të tjerët injektuan të dytën. Ky numër ka ardhur në ulje, pavarësisht se Shqipëria vijon të presë sasi të tjera. Pas 18.7 mijë dozave “Pfizer” që erdhën të hënën, brenda javës pritet të vijnë edhe 340 mijë të tjera “Coronavac”, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Nga Qendra Shëndetësore e Borizanës apelon qytetarët të bëjnë kujdes, pasi shifrat e infektimeve po rriten. “Në ditët e ardhshme pritet të mbërrijnë në vend, në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare, edhe 340 000 vaksina ‘Coronavac’. Rritja e lehtë e rasteve të infektimeve na tregon që duhet të shtojmë vigjilencën, ndërkohë që fokusi është vaksinim”. Në këtë linjë shkon edhe apeli i ekspertëve të Komitetit Teknik, të cilët po diskutojnë edhe për shtrëngim masash në rast të konfirmimit të mutacionit “Delta”. “Është e rëndësishme që të vaksinojmë grupin e riskut. Transmetuesit më të mëdhenj janë adoleshentët. Në ditët e hapura të vaksinimit, ata duhet të vaksinohen”, thotë Silva Bino, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP. Prej ditësh, grupet e vaksinatorëve me njësitë lëvizëse kanë dalë derë më derë për të injektuar vaksina në grupet që nuk kanë mundur apo treguar interes për t’u vaksinuar, ndonëse janë brenda fashës së duhur. Me mbërritjen e dozave të “Coronavac”, ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi intensifikim të fushatës me zgjerim të fashës së vaksinimeve, si dhe la të hapur mundësinë e ditëve të dedikuara për qytetarët mbi 18 vjeç që duan të vaksinohen.