Daja: Sfintuli kërkon surprizën, kemi marrë masa
“Kam gati të gjithë lojtarët, kemi bërë një hap të rëndësishëm”
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, doli ditën e djeshme në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës së kthimit ndaj Sfintulit që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 19:00, në Moldavi.
Tekniku i të kuqve u shpreh optimist për kalimin në raundin e dytë pas triumfit 5-2 në shtëpi në sfidën e parë në “Elbasan Arena”. Gjithashtu, Daja nuk pranoi të përgjigjej për pyetjen krahasuese që iu bë mes Partizanit dhe Sherif Tiraspolit, duke iu referuar faktit që Tiraspol e ka mposhtur Partizanin 2 vite më parë, ndërsa Sfintuli ka mposhtur Tiraspolin në dy finale sezonin e shkuar. Daja nuk e pa të drejtë këtë krahasim, pasi tha që nuk ka qenë trajner i Partizanit në kohën kur “demat” janë përballur me Sherifin.
Mendoni që keni arritur kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Konferencës?
Sigurisht që kemi bërë një hap të rëndësishëm në ndeshjen e parë të luajtur në shtëpi, sepse kemi një diferencë me 3 gola me kundërshtarin. Por nuk do mendojmë për turin e dytë, jemi të fokusuar te ndeshja e kthimit që do të luajmë nesër këtu dhe të shohim në përfundim të 90 minutave si do të jemi në raport me kualifikimin, por edhe me paraqitjen tonë.
Si paraqitet gjendja e skuadrës?
Sigurisht që nuk mund të jap detaje, por e kemi pjesën më të madhe të grupit. Kemi ardhur këtu me të gjithë kontingjentin që kemi në dispozicion për takimin ndaj Sfintulit.
Mendoni që kundërshtari nesër (sot) mund t’ju surprizojë?
Kemi luajtur ndeshjen e parë. Ashtu siç e presim që Sfintul të na paraqitet në një mënyrë tjetër, ashtu edhe ne kemi marrë masa për t’u paraqitur në një formë tjetër.
Sfintul ka mposhtur në Kupën dhe Superkupën e Moldavisë Sherif Tiraspolin, kundërshtarin tuaj që ju mundi para dy vitesh në Europa League. Krahasimi juaj mes dy ekipeve...
Prej një viti jam trajner i Partizanit dhe nuk mund ta bëj këtë krahasim për sa i përket Partizanit që ka luajtur me Sherif Tiraspolin. Kam ndjekur ndeshjen që ka zhvilluar Sfintuli në Superkupë me Sherifin e Tiraspolit dhe aty kemi marrë informacion plus në lidhje me këtë skuadër.
BILANCI – Strategu Ilir Daja ka drejtuar 16 ndeshje në kompeticionet europiane në karrierën e tij si trajner. Në këto 16 takime, kreu i pankinës së Partizanit ka një bilanc pozitiv, me 6 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje.