Prapaskenat, pas SPAK nis edhe lufta politike, Petro Koçi akuza Bashkisë Fier: Po i fitojnë tenderët trafikantët
Nën akuzë edhe ish-bashkiakët e Pogradecit dhe Gjirokastrës
Këshilli Bashkiak i Lushnjës komandoi dje në krye të Bashkisë nënkryetaren Eriselda Sefa pak ditë pas arrestimit dhe shkarkimit më pas të ish-kryebashkiakut Fatos Tushe, i akuzuar për afera korruptive. Në garë ishte dhe nënkryetari Gentian Nushi. Ndërkohë, nën akuzë janë edhe bashkiakë të tjerë. Pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri të ditur se ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, zëvendësin e tij dhe 4 persona të tjerë në varësi të tyre. Ndaj ish-kryebashkiakut demokrat SPAK ka ngritur dy akuza. E para është ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe ka të bëjë me përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, të cilat opozita i bojkotoi. Kapri akuzohet se ka bashkëpunuar me dy punonjës të Mirëmbajtjes së Qendrave Arsimore, të cilët mbyllën tri shkolla dhe një kopsht, në mjediset e së cilave ishte parashikuar të ngriheshin qendra votimit. Të dy punonjësit u arrestuan në atë kohë dhe janë pjesë e së njëjtit proces gjyqësor me zotin Kapri. Akuza e dytë ndaj ish-kryebashkiakut të Pogradecit, “Shkelje e barazisë në tenderë”, lidhet me një procedurë për “Blerje dru zjarri”, me fond 9.2 milionë lekë, e zhvilluar në tetor të vitit 2017. Sipas SPAK-ut, ish-kryebashkiaku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano (zëvendëskryetar i Bashkisë), kanë cenuar konkurrencën e ndershme në garë. Ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, është dënuar nga Gjykata e Posaçme me një vit burgim, por dënimi për të është konvertuar në detyrim për të kryer punë me interes publik. SPAK e akuzoi Ramin se në kundërshtim me ligjin ka kryer veprime që kanë sjellë prishjen e dy pronave private gjatë realizimit të dy projekteve, një prej të cilave në kuadër të Rilindjes Urbane.