Panorama (Albania)

Nga burgu te vrasja e policit, shoku: Si e njoha Aldi Ramën

“Ka pasur jetë të vështirë me prindër të divorcuar”/ Ergys G: Në vitin 2020 u kap me 20 doza kanabis. Ishte në arrest shtëpie

-

Aldi Rama, i riu që ekzekutoi me armë një efektiv policie në krye të detyrës, ka pasur një jetë të vështirë përpara se të ndërmerrte aktin e rëndë.

Konsumues i lëndëve narkotike, i riu ka provuar dyert e burgut të paktën dy herët vitet e fundit dhe një denoncim për dhunë është bërë në drejtim të tij nga e dashura, por që hetimet janë mbyllur. Njëri prej shokëve të tij, në një intervistë për “Panorama”, thotë se gjatë arrestimit të dytë në vitin 2020 Aldi Rama u kap me 20 qese hashash, çka do të thotë se ai nuk ishte thjesht konsumator, por edhe shitës i lëndës narkotike. Ergys G. nga Lezha thotë se njohja me të riun ka nisur në Burgun e Reçit ku Aldi Rama ndodhej me të vëllanë dhe prej atëherë kanë vijuar kontaktet. Ai thotë se është takuar për herë të fundit me 21-vjeçarin gjatë ditës së hënë, takim për të cilin thotë se ishte shumë i qetë.

Cila është lidhja juaj me Aldin?

E kam pasur shok Aldin, ka qenë në një qeli me vëllanë tim në Burgun e Reçit. I çoja ushqime çdo ditë edhe vëllait tim edhe këtij. Aldi ka qenë 2 herë në burg, në 2018-ën dhe njëherë në 2020-ën. Njëherë për një problem me një person dhe në 2020-ën që e kapën me 20 qese hashash e një thikë. Ndenji disa muaj në burg dhe më pas doli me masën “Arrest në shtëpi” Si ka qenë jeta e tij? Ka pasur jetë të vështirë, prindërit i ka të divorcuar. Babin e ka në burg, ka vrarë një grek e ka masakruar me motosharrë, është i dënuar përjetë. Aldi jetonte te gjyshërit e tij në lagjen “Skëndëbeg” të qytetit të Lezhës.

Kur ka qenë hera e fundit që jeni takuar me Aldin dhe si e morët vesh lajmin për ngjarjen?

Ditën e hënë jam takuar me Aldin dhe kam qëndruar për disa orë me të këtu në Lezhë. Ishte krejt i qetë dhe kaluam shumë mirë. Unë kam qenë te shtëpia kur më ka dalë gjumi, pashë në telefon filan fisteku ka bërë këtë gjë, nuk po e besoja. Aldi Rama vret policin, po si thonë se ka vrarë veten, unë them se shteti do të mbulojë të vërtetën, pasi Policia i ka gjuajtur tij, se mua më tha një shok se ka plumba automatiku e jo pistolete. E ka pasur jetën e vështirë. Do të ishte mirë që të dorëzohej, se i ka gjuajtur vetes mua nuk më besohet, por Polica do të mbulojë veten.

Më ka tronditur shumë. Nuk e besova dot kur e mora vesh si shoku jonë vrau efektivin e Policisë. Kam qenë i shokuar.

A keni pasur ndonjë kontakt me familjarët e tij?

Të them të drejtën nuk kam pasur kontakt me asnjë familjar të tij. Normalisht se ata janë të shokuar dhe nuk kam shkuar t’i trazoj më tepër. Ngjarja është shumë e rëndë, normalisht që dhe ata nuk kanë çfarë thonë, nuk e kanë dashur këtë punë.

 ?? ??
 ?? ?? Shoku i 21-vjeçarit
Shoku i 21-vjeçarit
 ?? ?? SAIMIR HOXHA
SAIMIR HOXHA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania