Kallashnikovë dhe rroba Policie, 30-vjeçari shpallet në kërkim
Një 30-vjeçar u shpall në kërkim nga Policia e Vlorës pas sekuestrimit të një arsenali armësh në banesën e tij. Midis sendeve të sekuestruara janë edhe uniforma policie, për të cilat nuk dihet ende se pse i mbante 30vjeçari në banesën e tij. Pas operacionit të zhvilluar nga forcat e rendit në shtëpinë e shtetasit Adem Idrizaj, i cili rezulton të ketë ndryshuar edhe mbiemrin, ndërsa më parë e kishte Aliaj, nuk kanë mundur ta arrestojnë, duke e shpallur person në kërkim. Midis armëve të sekuestruara në banesën e 30-vjeçarit në fshatin Mallkeq janë edhe dy armë automatike, njëra me silenciator. Ende nuk dihet nëse i riu është përfshirë në ndonjë veprimtari kriminale në zonën e Vlorës. “Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, si rezultat i kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale, bazuar dhe në informacionet që Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dispononte, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit A. A., në fshatin Mallkeq, Vlorë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri automatike, njëra me silenciator, 1 armë zjarri pistoletë, 6 karikatorë me fishekë, 2 jelekë dhe 2 kapele si të Policisë. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë shpallën në kërkim shtetasin A. A. alias A. I., 30 vjeç, banues në fshatin Mallkeq, Vlorë”, sqaroi Policia lokale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Vlorë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.