Agjencia e Mediave, 6 organizata kërkojnë anulim
“Do centralizojnë kontrollin mbi marrëdhëniet publike të qeverisë”
Aleanca Për Liri të Mediave dhe Përgjigje të Shpejtë e cilëson ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim si një formë për centralizimin dhe kontrollin e qeverisë ndaj informacionit dhe mediave. Përmes një letre, Aleanca i ka kërkuar Partisë Socialiste në Shqipëri që të heqë dorë menjëherë nga planet për themelim të Agjencisë për Media dhe Informim, në mënyrë që të mos ketë kontroll të plotë mbi informacionin publik në këtë shtet. “Ne po ashtu i bëjmë thirrje Bashkimit Europian që menjëherë të angazhohet me qeverinë shqiptare për të diskutuar këto shqetësime, si çështje me prioritet në bisedimet për anëtarësim”, ka thënë Aleanca, e cila përbëhet nga gjashtë organizata ndërkombëtare, të cilat merren me liri të mediave dhe të drejtat e gazetarëve në botë. Aleanca Për Liri të Mediave dhe Përgjigje të Shpejtë është krijuar më 2020-ën dhe financohet nga Komisioni Europian. Sipas saj, planet për krijim të Agjencisë për Media dhe Informim në Shqipëri, të shpalosura gjatë sesionit të parë të legjislaturës së re në Parlamentin e Shqipërisë më 18 shtator, mund të centralizojnë kontrollin mbi marrëdhëniet publike të qeverisë në një entitet të vetëm. “Sipas vendimit, zëdhënësit e ministrive dhe të departamenteve qeveritare do të ndalohen që të flasin drejtpërdrejt me mediat dhe informacioni publik apo komentet do të duhet të miratohen nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, i cili do të emërohet nga Kryeministri dhe do ta ketë pozitën e barabartë me atë të një ministri qeveritar”, ka thënë aleanca përmes një deklarate. Aty është përmendur po ashtu se kushdo që mban pozitën e drejtorit të Përgjithshëm do të mund të emërojë apo shkarkojë zëdhënësit në secilën ministri dhe do t’ua miratojë paraqitjet publike apo intervistat. Organizatat që janë pjesë e aleancës besojnë se ndonëse qeveria shqiptare, në krye me Edi Ramën, ka thënë se duke financuar këtë Agjenci me buxhet shtetëror do ta rrisë transparencën, në fakt mund të ndodhë e kundërta. “Gazetarët në Shqipëri janë duke punuar aktualisht në kushte jashtëzakonisht të vështira për të pasur qasje në informacion nga burimet qeveritare. Qeveria komunikon me gazetarët përmes grupeve në platformën ‘WhatsApp’, në vend që të përdorë kanale zyrtare. Gazetarët që punojnë për media të pavarura diskriminohen vazhdimisht kur kërkojnë informacione nga ministrat. Gazetarëve që shihen si përfaqësues të ‘opozitës’ nuk u mundësohet akreditimi dhe u mohohet bërja e pyetjeve në konferenca për media”.