Mbi 8 vjedhje brenda katër muajve, Policia e arreston në flagrancë
Një 38-vjeçar i cili ishte kthyer në makthin e banorëve që mbanin biçikleta në Durrës ka përfunduar në prangat e Policisë lokale. Shtetasi Kosta Merishta, banues në këtë qytet dhe i dënuar më parë po për këtë vjedhje, u arrestua në flagrancë nga Policia, teksa synonte grabitjen e radhës. Deri më tani është zbuluar vjedhja e të paktën 9 biçikletave, aktivitet i shtrirë përgjatë katër muajve të fundit. Policia e Durrësit sqaroi se ky shtetas është kapur në flagrancë duke shitur njërën prej biçikletave të vjedhura. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi I. Sh. se një person i paidentifikuar i kishte vjedhur biçikletën gjatë natës, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit K. M., 38 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale ‘Vjedhja’. Nga veprimet hetimore të kryera, bazuar edhe në pamjet filmike, është bërë e mundur zbardhja e 8 rasteve të tjera të vjedhjes së biçikletave, që dyshohen se janë kryer nga ky shtetas”, bëri me dije Policia lokale.
VJEDHJET Nga dokumentimet e Policisë lokale, aktivitetin e paligjshëm 38-vjeçari e ka nisur më 19 korrik të këtij viti, ku ka vjedhur një biçikletë në Lagjen nr. 12 të Durrësit. Pas rreth një muaji ai ka kryer një tjetër vjedhje po në këtë lagje. Në dy raste ai ka vjedhur dy biçikleta brenda dy ditëve, pikërisht më 26 dhe 27 gusht, vjedhje këto të kryera në të njëjtën lagje. Gjatë muajit shtator 38-vjeçari ka kryer vjedhje vetëm në një rast, pasuar me dy vjedhje brenda ditës në muajin tetor, përkatësisht më datë 8 të këtij muaji. Aktiviteti i tij kësaj radhe ishte zhvendosur në një lagje tjetër të qytetit. Vjedhja e fundit e dokumentuar nga Policia është ajo e 8 tetorit. Ende nuk dihet nëse Merishta ka kryer vjedhje të tjera në Durrës, të cilat nuk janë dokumentuar nga forcat e rendit. Disa prej grabitjeve Policia i ka të dokumentuara edhe nëpërmjet pamjeve video të kamerave të sigurisë. Materialet hetimore për rastin i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për ndjekje të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.