Samiti i të Painkuadruarve, Vuçiç: Dialogu me Kosovën s’ka alternativë
Lavrov: Rusia pranon për Kosovën çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë
Në Beograd të Serbisë po mbahet samiti dyditor që shënon 60-vjetorin e konferencë së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se 105 vendeve dhe nëntë organizatave ndërkombëtare.
Kjo lëvizje ishte themeluar nga mesi i Luftës së Ftohtë si një kundërpeshë ndaj blloqeve kundërshtare të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA). Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në fjalën e tij hyrëse tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja rrugë për mirëqenien dhe përparimin e njerëzimit. “Beogradi ishte, është dhe do të jetë nikoqiri i të gjithë atyre që përçojnë mesazhin e paqes”, tha Vuçiç duke shtuar se Serbia është “një promovuese e idesë së multilateralizmit”. Vuçiç gjatë fjalimit të tij foli edhe për Kosovën. Ai tha se Serbia “lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, mbron të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kombeve të Bashkuara dhe është e angazhuar për dialog me Kosovën. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është çelësi për sukses në dialog pasi ai nuk ka alternative”, tha Vuçiç. DEKLARATA E DODIK
Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, akuzoi vendet perëndimore për ndërhyje në vendin e tij duke thënë se ato po impononin zgjidhje duke emëruar një “përfaqësues të lartë të paligjshëm”. Ai tha se Bosnja është nën “protektoratin” e këtyre vendeve. Dodik tha se po fliste në samit “në emër të Republika Srpskës”. Posti i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, me statusin e misionit diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuar në pajtim me kornizën e Marrëveshjes së paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, që njihet si Marrëveshja e Dejtonit, që është arritur më 21 nëntor, 1995, në bazën ushtarake në Dejton të Shteteve të Bashkuar. E njëjta u nënshkrua më 14 dhjetor, 1995 në Paris.
Përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë ka autoritetin për “interpretimin final” të Marrëveshjes për zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes
së Dejtonit. Ishpërfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës. Pas atij vendimi, Dodik pati thënë se “Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes”. Nga 1 gushti, postin e Përfaqësuesit të Lartë e mban gjermani, Christian Schmidt. Dodik pati thënë se Republika Srpska nuk e pranon emërimin e tij dhe as ndonjë nga kompetencat e tij. MESAZHI I KREUT TË
OKB-SË Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, vlerësoi se Lëvizja e të Painkuadruarve ka një rol të rëndësishëm në botë dhe se ajo po mbahet në një kohë sfidash të jashtëzakonshme. “Një sesion i posaçëm i OKB-së kushtuar pandemisë u organizua me iniciativën e Lëvizjes”, tha Guterres përmes një video mesazhi. Duke u ndalur te pandemia e COVID-19, Guterres deklaroi se “ai ka bërë përpjekje për një kohë të gjatë të çojë përpara planin global të vaksinimit” dhe shtoi se vdekja e një numri të madh njerëzish ka ndodhur edhe për shkak të pabarazisë në shpërndarjen e vaksinave. Ndër çështjet tjera të cilat ai i ngriti në fjalimin e tij si sfida të kësaj kohe ishin edhe ndryshimet klimatike dhe humbja e vendeve të punës.
Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abdullah Shahid, i cili po merr pjesë në samit, theksoi se bota ka nevojë për një adresim të vazhdueshëm të paqes dhe miqësisë. “Kjo Lëvizje i shërben kësaj. Kushtet kanë ndryshuar që nga viti 1961, por nevoja për diplomaci nuk ka ndryshuar”, tha Shahid. Azerbajxhani si kryesues i Lëvizjes e ngriti çështjen e luftës 44-ditëshe me Armeninë e cila ndodhi vitin e kaluar. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kritikoi Armeninë për konfliktin në rajonin e Nagorno-Karabakut duke thënë se ka kryer “spastrim etnik”. Azerbajxhani e mundi Armeninë në këtë luftë duke marrë kontrollin e disa rajoneve në dhe rreth Nagorno Karabakut. Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990. Rreth 6,000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.
Aliyev gjithashtu foli për përgjigjen e botës ndaj pandemisë COVID-19 dhe shprehu pakënaqësinë me faktin se disa vende të pasura po grumbullojnë vaksina, duke vlerësuar se kështu krijohet “nacionalizmi i vaksinave”. RUSIA NË SAMIT Delegacionet u mirëpriten nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, dhe homologu i tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, vendi i të cilit mban aktualisht udhëheqjen e Lëvizjes. Në samit po merr pjesë edhe Rusia pasi në korrik të këtij viti fitoi statusin e shtetit vëzhgues. Rusia ka dërguar ministrin e Jashtëm, Sergei
Lavrov. Një ditë para samitit ai u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pas një takimi që zhvilloi në Beograd me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se shteti i tij është i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se një zgjidhje eventuale do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Lavrov tha se Rusia do të pranonte çdo zgjidhje “që do t’i përshtatej Serbisë dhe popullit serb”. Lavrov gjendet në Beograd ku do të marrë pjesë në samitin e Lëvizjes së të Painkuadruarve. Ai po ashtu, tha se gjatë komunikimeve me Bashkimin Evropian, Moska gjithmonë ia kujton përgjegjësinë Brukselit që ka për dialogun dhe shtoi se “është koha që të zbatohen marrëveshjet e arritura vite më parë”, veçanërisht Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryediplomati rus tha se me Vuçiqin bisedoi edhe për situatën në Ballkan dhe deklaroi se Serbia është “faktor më i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe se “opinioni i saj duhet të merret parasysh në të gjitha çështjet”. Ai po ashtu theksoi rëndësinë e “partneritetit strategjik midis Serbisë dhe Rusisë” dhe shtoi se ekziston një dialog konfidencial midis udhëheqësve të të dyja vendeve. “Unë përcolla përshëndetjet e ngrohta të presidentit (Vladimir) Putin dhe ne jemi të vendosur ta vazhdojmë dialogun në nivelin më të lartë. Ne jemi duke e shqyrtuar mundësinë e takimit mes dy presidentëve dhe do të dakordohemi për takimin”, deklaroi Lavrov.
Kryediplomati rus hodhi poshtë akuzat se Moska po ndërhyn në punët e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor. “Ne kemi marrëdhënie të tilla me Serbinë dhe vendet e tjera në rajon dhe gjëja më e rëndësishme për ne është përfitimi reciprok dhe balanca e interesave”, theksoi ai. Lavrov kritikoi BE-në pasi siç tha Brukseli po ndjek “një politikë që nuk është konstruktive”. “Ata na thonë se ne nuk kemi të drejtë të ndërmarrim iniciativa në ato pjesë të botës ku BE-ja ka interesat e saj. Nuk kam nevojë të sqaroj se ky është një opinion neokolonial. Akuzat se Rusia dyshohet se shkel disa norma të e drejta ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor janë të pabazuara”, tha Lavrov. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha pas takimit me Lavrovin se këto ishin “bisedimet e tyre më të sinqerta dhe të hapura deri më tani”. Marrë me shkurtime nga
RFE/RL