Hajduti vjedh në zyrën e pronave dosjet e fshatit Dhërmi
I maskuar dhe me sende të forta, kishte informacion për dosjet
Zyrat e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në godinën e qarkut të Vlorës kanë rënë pre e grabitjes.
Një i ri ende i paidentifikuar ka hyrë gjatë orëve të natës në ndërtesë, duke grabitur prej andej disa dosje në dy zyra. Hajduti ka qenë i qartë se çfarë dëshironte të merrte, çka hedh dyshime të forta se mund të jenë informuar paraprakisht për vendndodhjen e dosjeve. Dy zyrat që janë hapur nga hajduti janë më të rëndësishmet në institucion. Burime nga Policia lokale bënë me dije për “Panorama” se janë grabitur dy dosje që kanë lidhje me pronat në fshatin Dhërmi.
THYERJA Ka qenë ora 23:30 minuta kur një person i maskuar ka thyer dritaren e godinës me sende të forta duke hyrë në ambientet e ndërtesës dhe më pas në të dyja zyrat përkatëse. Roja i objektit ka konstatuar më vonë thyerjen dhe ka lajmëruar Policinë. “Më datë 11.10.2021, rreth orës 23:30, te Pallati i Kulturës,
Vlorë, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, ka vjedhur me thyerje në zyrat e qarkut, ku ka marrë disa dokumente. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi Policia lokale. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në përpjekje për të identifikuar autorin. Drejtori i Zyrës së Administrimit të Pronës në Vlorë, Bardhi Gjika, tha se grabitësi ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe pasi ka kryer vjedhjen, ka dalë nga dera kryesore. “Po bëjmë një inventar për të parë se çfarë mungon. Është hapur edhe zyra e Drejtorisë dhe Administrimit të Mbrojtjes së Tokës. Nuk kemi për të thënë vjedhje dosjesh sa të mbarojë inventari. Këto janë zyra të një rëndësie, nuk janë si zyrat e tjera. Nëse ka humbur një dokument origjinal, ka një rrezik se mund të mos krahasohet me një dokument tjetër fotokopje. Zyrat monitorohen nga kamerat. Ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe pastaj ka dalë nga dera kryesore”, shprehet Gjika.