PD: Rritja e energjisë te biznesi i madh shton kostot për qytetarët
Partia Demokratike reagoi dje menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave ku zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj, tha se pjesë e skemës mbrojtëse do jenë vetëm familjet dhe biznesi i vogël. Përmes sekretarit të Grupit Parlamentar, PD-ja tha se nëse rritet çmimi i energjisë për biznesin e madh atëherë kostot transferohen automatikisht te familjet. Sipas Arber Agalliut, kompanitë e mëdha dhe të mesme nëse do u rritet çmimi i energjisë do e faturojnë koston te produktet apo shërbimet që ofrojnë. “Dëgjuam qeverinë sot (dje) se si tha që nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin dhe për biznesin e vogël, por në asnjë moment nuk dëgjuam se çfarë do te ndodhë me çmimin e energjisë elektrike për biznesin e madh. Është e pashmangshme nëse do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike për këtë sektor të mos preket qytetari shqiptar. Njerëzit, qytetarët, konsumatorët, blejnë produkte dhe shërbime që ofrohen nga biznesi i madh dhe në këtë kontekst xhepi i çdo shqiptari do të rëndohet në mënyrë të pashmangshme. Të nderuar qytetarë! Kriza nuk vjen nga rritja e çmimit të tregjeve ndërkombëtare. Kriza i ka themelet pikërisht në abuzimet dhe në korrupsionin që kjo qeveri bën”, tha Agalliu. Ndërkohë, Agalliu vijoi duke akuzuar qeverinë se shpik kriza energjetike në mënyrë që të mbulojë aferat korruptive. Sipas tij, qeveria nuk po përballet me ndonjë krizë energjetike. “Sot dëgjuam se si qeveria i faturon tregjeve ndërkombëtare krizën të cilën e artikulon përditë. Por në të vërtetë, problemi është tjetërkund. Kjo është një krizë korrupsioni, kjo krizë i ka themelet në abuzimin e tenderëve me miliona euro që zhvillon OSSHE-ja. Kjo krizë buron nga punësimi në administratën publike dhe në OSSHE të qindra patronazhistëve që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Kjo krizë e ka themelin në abuzimin dhe vjedhjen që bëhet në këtë sektor”, vijoi deputeti i PD-së. Ndërkohë, gazeta “Panorama” ka mësuar përmes burimeve se selia blu ka përgatitur tashmë padinë penale dhe pritet ta depozitojë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion së shpejti. Paralajmërimi për kallëzimin në SPAK u bë nga kryedemokrati Basha pak ditë më parë në një konferencë për shtyp ku akuzoi entet përkatëse për keqmenaxhim dhe korrupsion. Sipas Bashës, KESH-i dhe OSHE-ja ka blerë 10 milionë euro më shtrenjtë një sasi energjie elektrike. Ndërsa akuza tjetër e Bashës ishte fakti se sipas tij Shqipëria blen energjinë elektrike 21 herë më shtrenjtë, sesa e shet kur prodhon më shumë sesa është nevoja e konsumit në shqipërim.