Shqipëria rrezikon shumë, FIFA del me reagim zyrtar
Ndërprerja e ndeshjes Shqipëri-Poloni në minutën e 77të prej sendeve të hedhura në fushë nga tifozët ka detyruar FIFA-n të dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me incidentin në “Air Albania”, por gjithashtu edhe për dhunën nga ultrasit në sfidën Angli-Hungari. FIFA e ka dënuar ashpër atë që ndodhi në Tiranë, duke u shprehur se materialet janë tashmë në verifikim dhe nuk do të ketë tolerancë për episodin e ndodhur. “FIFA aktualisht po analizon raportet e dërguara mbi sfidat eliminatore të Botërorit, në mënyrë që të marrë vendimie më të përshtatshme. FIFA dënon me forcë incidentet në sfidat Angli-Hungari dhe Shqipëri-Poloni dhe do të donte të deklaronte se ky qëndrim është i vendosur në refuzimin e çdo forme të dhunës, si dhe çdo lloj diskriminimi ose abuzimi. FIFA ka një qëndrim shumë të qartë: zero tolerancë ndaj sjelljeve të tilla të neveritshme në futboll”, shkruhet ndër të tjera në raportin e FIFA-s. Ndërkohë, pjesë e hetimit është bërë edhe Hungaria, pasi tifozët u përleshën masivisht me Policinë në sfidën me Anglinë, duke krijuar trazira në stadium.
NDËSHKIMI Komisioni i Disiplinës në FIFA do të marrë një vendim për ndeshjen Shqipëri-Hungari në ditët e ardhshme. Por çfarë dënimi e pret FSHF-në.
Së pari pritet të jetë një dënim financiar, me një gjobë që i kalon 200 mijë eurot, ndërsa fusha do të pezullohet me një ose dy ndeshje pa pjesëmarrjen e publikut. Pra, me siguri ndeshja e fundit në grup në shtëpi ndaj Andorrës do të luhet pa tifozë. Të gjitha këto konfirmohen në nenin 67, ku përshkruhet sjellja e pahijshme e tifozëve, që përfshin dhunën, mjetet piroteknike, hedhjen e sendeve të forta në fushën e lojës etj. Në të tilla ngjarje, vlerësohet shkalla e rëndësisë së incidentit dhe më pas merret një vendim në bazë të nenit 25 apo 26, ku saktësohen ndeshjet pa tifozë.