Çfarë tregoi skandali me pagat në shtet
Databaza me politikanë, biznesmenë e qytetarë në janar-prill
Skandali i “patronazhistëve” u përsërit nga një tjetër skandal i rrjedhjes së të dhënave të qytetarëve shqiptarë, pagat mujore të të cilëve tani janë vetëm një kërkim automatik larg. Databaza me të dhënat e pagave të mbi 690 mijë qytetarëve tregoi hierarkinë dhe nivelin e rrogave të zyrtarëve shtetërorë dhe pagën e vetëdeklaruar nga biznesmenë e qytetarë të thjeshtë. Të dhënat që qarkulluan në një dokument në formë “Exel”-i në javën e fundit të dhjetorit treguan më së shumti një fryrje të administratës shtetërore dhe pagat e krerëve të institucioneve dhe punonjësve. Ajo listë e pagave për janarin dhe dhjetorin tregoi se me pagën më të lartë rezulton të jetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili merr 257 000 mijë lekë, i ndjekur nga Kryeministri Edi Rama me një pagë mujore prej 228 730 lekësh. Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka një pagë të deklaruar në muajin prill prej 150,000.00 lekësh në muaj për pozicionin “kryetar i një partie politike”. Po ashtu, databaza tregoi se ka biznesmenë, drejtues mediash, moderatorë emisionesh, gazetarë apo analistë të cilët kanë një pagë disa milionë lekë në muaj. Paga më e lartë e evidentuar në databazën që qarkullon në “Whatsapp” është ajo prej 24,756,130.00 lekësh për muajin janar. Publikimi i këtyre të dhënave nxori në pah edhe numrin e lartë të këshilltarëve të institucioneve dhe pagat e tyre. Sipas databazës, bashkitë rezultojnë me këshilltarë po aq sa qeveria. Kryetarët e bashkive marrin këshilla prej të punësuarve të tyre, të cilët kanë një pagë të ndryshme në varësi të llojit të këshillimit apo edhe bashkive. 121,000 është paga bruto maksimale për një këshilltar të një kryetari bashkie. Paga më e lartë jepet në Bashkinë e kryeqytetit. Por këshilltarë kanë edhe ministrat, të cilët sipas analizës së bazës së të dhënave, rezulton se kanë më shumë sesa shefi i tyre. Nga taksat e shqiptarëve për të këshilluar kreun e qeverisë për politikat e tij shërbejnë 5 persona, me pagë bruto maksimale prej 173,300 lekësh në muaj. Këshilltari i parë në Ministrinë e Mbrojtjes ka një pagë bruto prej 255,730 lekësh të rinj në muaj. Databaza zbuloi edhe pagat e institucioneve të reja të drejtësisë (SPAK, Prokuroria e Përgjithshme etj.), që arrinin deri në mbi 500 mijë lekë. Në të njëjtën databazë u bënë publike edhe pagat e Vip-ave, rroga mujore e të cilëve arrinte deri në mbi 1 milion lekë.