Në kërkim ndërkombëtar, atentat 35-vjeçarit në Shkodër
Kush është Vinçens Piroli, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit. Dëshmitë kontradiktore para hetuesve: Pse shkova në Spitalin e Lezhës
Tre plumba në trup e detyruan 34vjeçarin Vinçens Piroli që të shfaqej para autoriteteve shqiptare tre muaj pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një atentat ndaj një biznesmeni në Mal të Zi.
I riu nga fshati Sanxhak i Kurbinit, por banues në Shkodër, akuzohet se bashkë me Dorian Lalën, në korrik të vitit të kaluar vranë në Ulqin biznesmenin Momçilo Gjurishiq.
ATENTATI
Mbrëmjen e së hënës, në Spitalin e Lezhës mbërriti i plagosur me armë zjarri shtetasi Vinçens Piroli. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore atje, u dërgua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet aktualisht i shtruar dhe ndaj të cilit do të lëshohet edhe urdhër-arresti. “Më datë 03.01.2022, rreth orës 19:00, është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas është dërguar drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar shtetasi V. P, 34 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta”, sqaroi Policia e Lezhës. Që prej këtij momenti, rrethanat vazhdojnë të jenë të paqarta rreth ngjarjes së rëndë, jo vetëm për faktin se një i kërkuar për vrasje bridhte i lirë në qytetin e Shkodrës, por edhe se ndaj tij organizohet një atentat për të cilin Policia nuk ka arritur të gjejë asnjë lloj gjurme.
DËSHMITË KONTRADIKTORE
Në dëshminë e parë në Spitalin e Traumës, 34vjeçari ka deklaruar se u sulmua në Shkodër, teksa po ecte pranë Urës së Bunës. Sipas tij, autori e qëlloi nga pas shpine me një pistoletë me silenciator. Ai mori 2 plumba në kraharor dhe 1 tjetër në pjesën e shpatullave. I plagosur dhe i frikësuar se atentati mund të përsëritej edhe në Spitalin e Shkodrës, 34-vjeçari ka deklaruar se ka marrë në telefon një familjar, i cili e ka dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lezhës. Ky i fundit e ka lënë aty dhe më pas është larguar. Vinçens Piroli mori ndihmën e parë mjekësore në Lezhë dhe më pas u soll në Spitalin e Traumës, ku këtë të martë është vënë në pranga në zbatim të urdhrit ndërkombëtar të arrestit të lëshuar në Mal të Zi në muajin tetor. Dëshmitë e 34vjeçarit për atentatin janë marrë me rezervë nga ekspertët në Policinë e Shkodrës dhe Lezhës që u përfshinë në hetimet e para. Burime thonë se ka dyshime të forta se Vinçens Piroli po tenton të fshehë të vërtetën e ngjarjes ku mbeti i plagosur. Për të verifikuar deklaratat se atentati ndodhi në Shkodër, mësohet se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve në zonën pranë Urës së Bunës. Hetuesit kërkojnë aty prova, pasi në zonë nuk janë raportuar të shtëna dhe nuk është gjetur vendngjarja e pretenduar. Paqartësitë i shtojnë deklarimet e cilësuara kontradiktore nga një familjar i 34-vjecarit që pretendohet se e dërgoi në spital.
DYSHIMET
Nga ana tjetër, dyshimet janë për një atentat të mirorganizuar dhe vrasës me pagesë, ku pista kryesore është përfshirja në një histori hakmarrjeje të shtrirë fillimisht në Kosovë e Mal të Zi, e tashmë edhe në Shqipëri. Vinçens Piroli dhe Dorian Lala dyshohet se ekzekutuan më 4 korrik malazezin Momçillo Gjurishiç dhe pista kryesore është ajo e një krimi të paguar, pasi djali i 68-vjeçarit ka vrarë 53-vjeçarin nga Kosova, Beqë Likaj.