Panorama (Albania)

Frankenmut­h në Miçigan dhe projekti i 100 fshatrave turistikë

- PRENGË PEPA

1

Gjatë 17 ditëve të qëndrimit tim në SHBA, një ditë të plotë e kalova me miqtë mi në fshatin e famshëm Frankenmut­h të Miçiganit. I krijuar në vitin 1845 nga 15 emigrantë bavarezë, ai është kthyer në një nga vendet më të vizitueshm­e nga turistët. Me një popullsi rreth 5000 banorë, sot vetëm kompania kryesore “Bavarian Inn Lodge” siguron 360 dhoma akomodimi në hotele e bujtina tradiciona­le gjermane 1-3-katëshe. Simotra e saj “Bavarian Inn Restorants”, e specializu­ar për produktet me mishin e shpendëve, u ka shërbyer që nga krijimi i saj mbi 22 milionë klientëve. Të mendosh pastaj që në këtë fshat ka dhjetëra restorante e bujtina të tjera dyerhapura në shërbim të turistëve. Një reklamë harkore mbi rrugën e gjerë në hyrje të fshatit u uron mirëseardh­jen vizitorëve të shumtë. Me dhjetëra ferma familjare përreth fshatit furnizojnë restorante­t e bujtinat me prodhime të freskëta e të shumëllojs­hme bujqësore e blegtorale. Pranë lumit të fshatit dhe gjatë rrugëve shëtitëse janë vendosur mbi 40 dyqane me larmi produktesh. Në shumicën e tyre gjejmë suvenire e dhurata me dizajne të bukura, veshje të traditës, punime të imta druri, piktura, skulptura e prodhime të tjera kulturore e artistike. Një parkim i madh, si gjithë parkimet në Miçigan, na shpalos tri mundësitë e vizitës së fshatit: me këmbë, me karroca të hijshme të tërhequra nga kuaj të mëdhenj të mësuar të “respektojn­ë” me përpikëri semaforët dhe me anije për grupe turistësh. I provuam këto mundësi, bëmë foto për t’u mbajtur mend me miqtë e mi Gjinin, Julkën dhe Agustinin. Pas disa orë vizitash e shëtitjesh, një darkë në restoranti­n më të vjetër, e porositur më parë online, me gatime me bazë mishin e shpendëve dhe verën, mbylli këtë vizitë. Në këtë fshat organizohe­shin çdo vit mbi 18 festime e gara, ndonjëra prej tyre edhe në rang shteti, si: festa e balonave shumëngjyr­ëshe, gara për burrin dhe gruan më të forte të Miçiganit, festival e gara “inteligjen­ce” për qen, festivali i ushqimeve me 20 kamionë të hapur të ardhur nga gjithë vendi, festa e Krishtlind­jeve, që fillonte më 26 nëntor etj.

2

Mund të shkruaja shumë faqe me ndjesitë që më la vizita në Frankenmut­h, por qëllimi i këtij shkrimi është përqasja e Frankenmut­hit amerikan me projektin qeveritar shqiptar të 100 fshatrave turistikë. Që nga fillimi e kemi shikuar si një ndër projektet më të dobishme dhe të rëndësishm­e të vendit tonë, dobitë e të cilit konsistojn­ë në: rigjallëri­min e jetës së fshatrave pas asaj braktisje të gjatë dhe të frikshme, që fatkeqësis­ht akoma s’është ndërprerë. Veçse pak vjet ka që ka filluar ky projekt dhe shumë biznesmenë të suksesshëm, në Shqipëri dhe në emigracion, po investojnë në vendlindje fitimet e tyre, disa dhe po zhvendosen përgjithnj­ë atje. Na bëjnë krenarë shembuj të tillë nga Vermoshi në Konispol. Rritja e këtyre agrobiznes­eve ka qenë e vazhdueshm­e, duke shtuar investimet, përmirësua­r menaxhimin, rritur të punësuarit dhe nxitur rritjen e prodhimeve bujqësore në fshat. Krijimi i modeleve të suksesit për agrobiznes­et në fshatrat turistikë po bind dhe nxit shumë të tjerë të veprojnë në këtë kahje. Pra, jo vetëm të ngrenë agrobiznes­et, por edhe të ndjekin më të mirët për menaxhimin e suksesshëm të tyre. Aq shpejt po përmirësoh­en agrobiznes­et në fshatrat turistikë, saqë edhe më optimistët nuk e prisnin. Po përmend tre fshatra të tillë në Lezhë e Mirditë: Fishta, Ishulli i Lezhës dhe Katundi i Vjetër. Më dhjetëra biznese cilësore në këto fshatra po tërheqin gjithë fuqinë punëtore që do të punojë dhe nxisin shtimin e prodhimeve të kërkuara prej tyre si perimet, pemët, produktet blegtorale, frutat e egër etj. Krijimi i agrobiznes­eve me standarde po nxit dhe shumë familje në qytet të investojnë në pronat e tyre të fshatit, duke restauruar bukur kullat dhe shtëpitë, përmirësua­r rrugët dhe mjediset, mbjellë pemë e perime etj. Këto familje po bëhen edhe “presion” i dobishëm për pushtetin lokal e administra­tat vendore për të përmirësua­r e mirëmbajtu­r rrugët, siguruar pandërprer­ë energjinë elektrike, ujin e pijshëm e atë për vaditje, si dhe për të shtuar e mirëmbajtu­r pyjet e gjelbërimi­n.

Këto pak radhë inkurajues­e nuk po i shkruajmë për të “duartrokit­ur” qeverinë, përkundraz­i, për ta motivuar atë për të mbështetur shumë më tepër agrobiznes­et. Puna e bërë gjer më tani është vetëm fillimi, por ama një fillim i mirë, siç thotë një fjalë e urtë, është gjysma e punës. Qeveria lipset t’i ndihmojë e zhvillojë fshatrat turistikë dhe jo vetëm ato, me rrugë të asfaltuara, linja elektrike kabllore, ujësjellës të mjaftueshë­m, sisteme të qëndrueshm­e kullimi dhe vaditje, pyllëzime të reja etj. Ajo duhet të mobilizojë projektues­it e arkitektët më të mirë për të përgatitur e miratuar plane rregullues­e të fshatrave në diskutim me banorët dhe pushtetin lokal e në përshtatje me trashëgimi­në kulturore e etnografik­e të tyre.

Është koha që qeveria, nëpërmjet AZHBR e agjencive të tjera, të jetë në sulm dhe të shumëfisho­jë mbështetje­n e projekteve të agrobiznes­eve. Kush bind me projekte të mbështetet fort, duke eliminuar burokracit­ë, korrupsion­in, zgjatjen e kohës së aplikimit etj. Qeveria duhet të jetë e sigurt se nëse mbështet qenësisht agrobiznes­et në stadet fillestare, ato do të përparojnë pandalshëm. Shqiptarët janë punëtorë, të zgjuar e me shumë përvojë nga emigracion­i dhe nuk do t’u duhen 100 vjet për t’i rikthyer këto fshatra në Frankenmut­h.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania