Panorama (Albania)

Ambasadori rus braktis sallën e Këshillit të Sigurimit të OKB-SË

-

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzya, është larguar nga takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka thënë se pushtimi rus në Ukrainë është duke shkaktuar krizë globale të ushqimeve. Michel ka thënë se Rusia është duke përdorur furnizimet me ushqim si armë kundër botës në zhvillim, duke shtyrë njerëzit drejt varfërisë. I dërguari rus, Nebenzya, e ka akuzuar zyrtarin europian për përhapje të gënjeshtra­ve. Lufta në Ukrainë ka rezultuar me bllokim të ushqimeve në portet ukrainase. Ukraina është eksportues­e e madhe e vajit për gatime, ashtu sikurse drithërave. Mungesa e këtyre eksporteve ka ndikuar në rritje të çmimeve. “Zotëri ambasador i Federatës Ruse, të jemi të sinqertë, Kremlini është duke përdorur furnizimet me ushqim si armë kundër shteteve në zhvillim”, ka thënë Michel gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork. “Pasojat dramatike të luftës së Rusisë janë duke u përhapur në gjithë botën dhe janë duke ndikuar në rritje të çmimeve dhe shtyrje të njerëzve drejt varfërisë, duke destabiliz­uar rajone të tëra. Rusia është përgjegjës­e për krizën me ushqime”. Michel ka shtuar se ai ka parë vetë miliona tonë të drithërave të bllokuar në portin ukrainas të Odesas, për shkak të bllokadës detare të vendosur nga Rusia. Ai po ashtu ka akuzuar Rusinë për vjedhje të grurit dhe për pengim të mbjelljeve dhe korrjeve të këtyre produkteve në Ukrainë, për shkak të aktivitete­ve ushtarake. Pas komenteve të tij, Nebenzya është larguar nga salla.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania