Panorama (Albania)

Vepra letrare e Shefki Karadakut në librin e ri, monografi nga Halil Rama

“Të kujtonte një Esenin shqiptar të ndrojtur” apo “Khajamin e ditëve tona- Nga Dritëroi, te Llazar Siliqi, Petro Marko, Moikom Zeqo e Lutfi Turkeshi, si e vlerësuan Shefki Karadakun

- SAKIP CAMI

Studimin e thelluar, gati dhjetëvjeç­ar të veprës letrare të poetit dhe prozatorit Shefki Karadaku, Halil Rama e ka finalizuar me monografin­ë letrare “AND-JA e pandryshua­r e Shefki Karadakut”.

Nëse para tre muajsh (në Akademinë Përkujtimo­re që organizoi në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtari­t të mirënjohur) u prezantua para publikut me dokumentar­in televiziv me të njëjtin titull, të shfaqur edhe nga Radiotelev­izioni Publik Shqiptar në kanalin RTSH 3, në 81-vjetorin e lindjes, Halil Rama (autor i 21 librave me monografi, profile e kritikë letrare) prezanton sot librin e sapobotuar “AND-JA e pandryshua­r e Shefki Karadakut”.

Personalit­ete të botës së letrave e artit, si “Artistja e Popullit” Margarita Xhepa – “Nderi i Kombit”, prof. Bujar Kapexhiu – “Nderi i Kombit”, regjisor, skenarist dhe aktor i mirënjohur shqiptar, si dhe poetët e prozatorët e shquar: Dr. Mujë Buçpapaj, Adriatike Lami, Andon Andoni, Agim Pipa, Josif Daja etj., vlerësojnë nivelin e lartë artistik të kësaj monografie, në të cilën Shefki Karadaku vjen thuajse i plotë me një arsenal veprash krijuese.

Në profilin e tij që hap monografin­ë, autori, ndër të tjera, nënvizon faktin se që nga libri i parë “Kënga e karrove të drithit” (poezi1967) te “TORAKS” (2020), Shefki Karadaku, si krijues brilant prodhon emocione të freskëta, me origjinali­tet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojn­ë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore.

Dhe për të qenë sa më i besueshëm në këtë konkluzion, autori sjell referenca nga të mëdhenjtë e letrave shqipe, si: Dritëroi, Petro Marko, Llazar Siliqi, Adriatik Kallulli, Moikom Zeqo, Dr. Lutfi Turkeshi etj. Kështu, në këtë libër (fq. 12-15) H.rama shkruan se: “Nëse patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli vlerëson konceptimi­n popullor të realitetit në përmbledhj­en “Meloditë e Shkumbinit” të Shefki Karadakut, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera, Kallulli

shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligësht­isë e dobësisë morale të armiqve të egër. Adriatik Kallulli për një nga poezitë më të njohura shkruan se poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyro­jë me kthjelltës­i atë që ka parë njëherë poeti. Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”,

ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit, shprehet me një kuadër plot lëvizje: “Kur të fillojë të bredhë nesër dielli,/ Në largësinë e fushës, si lejlek,/ Atëherë, pas karrove të drithit,/ Udhën e kaltër të arave do ndjek…” Më tej, autori perifrazon poetin Llazar Siliqi: “...kur më 1967, Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”, për të vijuar me vlerësimin e shkrimtari­t të madh Petro Marko, i cili pasi ka lexuar novelën e Shefki Karadakut, të titulluar “Rrugët e para”, shprehet: “Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherë­sh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri…”

Dr. Lutfi Turkeshi, gazetar dhe studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”, shkruan H.rama në këtë libër. Kjo, sipas tij, për faktin se në këtë konkluzion arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Një mijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandra­t”, “Filantropi”, “Panagjerik­us” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtari­t Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohe­j jetës edhe pse e vuante atë…

“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”... I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizua­ra estetikish­t në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracion­it. Këto poezi janë shprehje e një personalit­eti poetik jo të zakonshëm... Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindje­s që është “... me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë...”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: ‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik...’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëresh­ë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë...’. Si përfundim ai e quan të veçantë, të jashtëzako­nshme e të bukur poezinë Shefki Karadakut. Referuar dr. Turkeshit, autori nënvizon faktin se poezia e Karadakut është shumë refleksive dhe sa më shpesh ta lexosh e rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë.

Në librin e ri të H. Ramës, profilin krijues të Sh. Karadakut e bëjnë më të besueshëm edhe referimet nga Petraq Risto, i cili si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurje­n plot dritë dhe hije, si një afresk bardhezi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë, ndërkohë që edhe Moikom Zeqo nuk e ka pasur të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga të spikaturit në lirikën shqiptare, madje duke e cilësuar si “një Esenin shqiptar”.

Halil Rama që e ka studiuar në detaje veprën e Shefki Karadakut, me të drejtë konkludon për krijimtari­në letrare mjaft cilësore të këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandra­t”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi.

Korpusi letrar i Sh. Karadakut, sipas H. Ramës, përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Ai evidenton gjetjet metaforike, forcën krijuese, gjuhën e pasur e shpesh poetike, përdorimin mjeshtëror të fakteve, kronikat, përshkrimi­n e heronjve, legjendat dhe episodet që bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari.

Një tablo më të plotë të veprës së këtij shkrimtari e japin në këtë monografi edhe intervista e bashkëshor­tes Nadire Karadaku si dhe recencat e mbajtura në Akademinë përkujtimo­re të datës 16 mars 2021, në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, nga Dr. Mujo Buçpapaj, prozatori Andon Andoni, poeti Agim Pipa si dhe nga analiza që poetja Adriatike Lami i bën vëllimin poetik “Toraks” të këtij autori.

Krijimtari­a e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11”, ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtari­a e shkrimtari­t shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universite­tit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekë­n gjermane sipas ISSN.

Para pak kohësh, me kontributi­n e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “PUTHJA E NGRIRE”, nga një kopje e të cilit iu dhurua selive të huaja diplomatik­e në Tiranë. Dhe menjëherë vjen vlerësimi i ambasadori­t gjerman Peter ZINGRAF për këtë roman tejet të arrirë, që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqyteti­t.

Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirëpritej e botohej kudo në trevat shqipfolës­e, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje, në vitet ‘73‘74 gazeta prestigjio­ze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 muaj radhazi novelën e tij “Kur kërcasin bohçet e pishave”.

E kompozuar në katër kapituj (Profili & Reportazhi & Intervista –Akademia përkujtimo­re – Pjesë të zgjedhura nga krijimtari­a e tij dhe Kritika letrare për veprën e Sh.karadakut), kjo monografi sjell në vëmendje të lexuesit trashëgimi­në letrare që na la Shefki Karadaku me 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë artistikis­ht që nuk është pak. Ato, sipas autorit Rama: “... janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë ‘Puthje të ngrirë’, që fjala e lirë të rrjedhë si ‘Ujëvarë’, që ‘Gjergj Elez Alia’ t’u transmetoh­et brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërroj­ë tokat, por të përmirësoj­ë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohe­t në turizmin tradiciona­l shekullor. Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut.

Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarë­ve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalit­ete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania