Panorama (Albania)

Qeveria britanike, kundër vendimit Rusët dënojnë me vdekje dy britanikë dhe një maroken

-

Sipas medias shtetërore ruse “RIA Novosti”, një gjykatë në Republikën Popullore të Donetskut, të vetëshpall­ur pro-ruse, dënoi të enjten tre persona me vdekje, duke i akuzuar si luftëtarë “mercenarë” në ushtrinë ukrainase. Shtetasit britanikë Aiden Aslin dhe Shaun Pinner dhe shtetasi maroken Brahim Saadoune dolën në gjykatë të enjten, ku iu shqiptua dënimi me vdekje. Të tre ishin kapur në betejën për mbrojtjen e qytetit të Mariupolit duke luftuar përkrah forcave ukrainase. Saadoune, Aslin dhe Pinner u dënuan me vdekje dhe do të pushkatohe­n, sipas raportimit të “RIA Novosti” nga gjykata në Donetsk. “Kreu i bordit gjyqësor” në Donetsk tha se të dënuarit “mund ta apelojnë vendimin brenda një muaji”. Një nga avokatët e të pandehurve tha se klienti i tij do të apelonte vendimin, njoftoi media shtetërore ruse “TASS”. Ndërsa Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, tha të enjten se ajo “dënon plotësisht” vendimin ndaj Aslin dhe Pinner, duke i quajtur ata “të burgosur të luftës”. Gjykata është në pjesën lindore të rajonit të Donetskut, të cilin separatist­ët pro-rusë e shpallën si “Republika Popullore e Donetskut” në vitin 2014. Rusia e njohu atë rajon separatist - dhe fqinjin tjetër separatist “Republikën Popullore Luhanskut” - disa ditë para pushtimit të 24 shkurtit. Rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk përbëjnë Donbasin. Ushtria ruse ka përqendrua­r përpjekjet e saj në këtë fushë në muajt e fundit, duke avancuar përpara në Luhansk dhe Donetsk. Beteja e përgjakshm­e për mbrojtjen e qytetit bregdetar të Mariupolit do të mbetet një nga momentet më historike të luftës së ushtrisë ukrainase ndaj agresorëve rusë, e cila tashmë ka hyrë në ditën e 106-të të saj.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania