Panorama (Albania)

Kasandër Noga kërkoi 180 ditë ulje dënimi në Gjykatën e Lartë

Autori i masakrës së Sanatorium­it u gjykua edhe vjet ndërsa ishte i lirë

- NIKOLETA KOVAÇI

Është një vendim i Gjykatës së Lartë që daton 29 qershorin e vitit 2021, ku është marrë në shqyrtim një kërkesë e bërë nga Kasandër Noga për prishjen e një vendimi të Gjykatës së Apelit të Durrësit të vitit 2016. Kërkesa e Nogës lidhet me njohjen e uljes me 180 ditë të dënimit për një periudhë dyvjeçare, kur ai nuk kishte të drejtë ligjore ta bënte këtë kërkesë, për shkak se ishte i dënuar me burgim të përjetshëm. Po duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë ia ndryshoi vendimin e dënimit, nga të përjetshëm në 25 vjet, Nogës atëherë i lindi e drejta të kërkonte ulje për shkak të sjellës shembullor­e që kishte bërë në burg, që kur ishte arrestuar nga belgët me 17 mars 2002, ditë kur ai ra në pritën e Erion Hasanbelli­t në lokalin “Prestorie” në Antverp, pritë ku iu vra shoku i ngushtë dhe u plagos vetë. Belgët e arrestuan në spital Nogën për llogari të Shqipërisë dhe ai më pas u ekstradua dhe nisi përballjen me drejtësinë për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e shumëfisht­ë në reanimacio­nin e spitalit të Sanatorium­it. Pavarësish­t se në këtë vendim nuk ka asnjë rrethanë fakti, për të sjellë shkakun për të cilin ishte dënuar fillimisht me burg të përjetshëm dhe më pas me 25 vjet të Kasandër Nogës, vërehet se kërkesa e tij për përfitimin e kësaj uljeje është shqyrtuar disa herë në disa gjykata, derisa edhe një vit më parë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, ndërkohë që Noga e kishte lënë qelinë dhe kishte nisur jetën normale. Sjellim pjesë nga ky shqyrtim, ku në fakt, në fund Kolegji ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e Kasandër Nogës, i cili tashmë thuhet se është shpallur në kërkim nga Belgjika si autor i dyshuar i atentatit ndaj Erion Hasanbelli­t në Bruksel mbrëmjen e së shtunës.

VENDIMI

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët: Ilir Panda kryesues, Albana Boksi, anëtare dhe Klodian Kurushi, anëtar sot, në datë 29.06.2021, mori në shqyrtim, në dhomë këshillimi,

çështjen penale që i përket:

Kërkues: Kasandër Noga Objekti: Ulje dënimi 180 ditë për periudhën dyvjeçare 16.05.2005-16.05.2007 të vuajtjes së dënimit me burgim

BAZA LIGJORE: Neni 63 i ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”

KOLEGJI PENAL GJYKATËS SË LARTË

Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Klodian Kurushi dhe bisedoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

1. Kërkuesi Kasandër Noga i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë me kërkesën me objekt: “Ulje dënimi 180 ditë për periudhën dyvjeçare 16.05.2005-16.05.2007 të vuajtjes së dënimit me burgim”.

2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr. 41, datë 23.03.2004, ka vendosur dënimin me 25 vjet burgim të kërkuesit Kasandër Noga për kryerjen e veprave penale të parashikua­ra nga nenet 76, 78 dhe 278/2 të Kodit Penal. Me vendimin nr. 223, datë 14.09.2004, të Gjykatës së Apelit Vlorë, kërkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm.

3. Me vendimin nr. 477, datë 10.05.2006, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkuesi Kasandër Noga është dënuar me 25 vjet burgim për kryerjen e veprave penale të parashikua­ra nga nenet 78/2-25, 76, 78-25-22, 278/2 të Kodit Penal. Në datën 16.05.2005, kërkuesi është ekstraduar për në Republikën e Shqipërisë. Me vendimin nr. 523, datë 06.06.2007 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, kërkuesi Kasandër Noga është dënuar me 25 (njëzetë e pesë) vjet burgim.

4. Me vendimin nr. 1004, datë 08.07.2009, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur pranimin e kërkesës së bërë nga kërkuesi Kasandër Noga, duke i njohur si kohë paraburgim­i nga data 17.03.2002 deri më 20.05.2006, 6 vjet e 3 muaj e 5 ditë kohë si kohë të vuajtjes së dënimit. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 386, datë 30.03.2011, ka vendosur ndryshimin e këtij vendimi dhe pranimin pjesërisht të kërkesës së kërkuesit Kasandër Nogës, duke njohur si periudhë paraburgim­i për kërkuesin nga data 17.03.2005 deri në datën 16.05.2005 dhe periudhën 02.12.2005 deri në datën 20.05.2006. Koha e paraburgim­it e llogaritur në total është 11 muaj e 12 ditë.

5. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë me kërkesë me objekt ulje dënimi 180 ditë për periudhën 2-vjeçare 16.05.2005 deri më 16.05.2007, pasi pretendon se i takon në bazë të ligjit, por nuk e ka përfituar. Kërkuesi ka pretenduar se nuk ka pasur mundësi t’i drejtohej gjykatës më parë, prandaj kërkon ulje të dënimit sipas ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”.

6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin nr. 12-2015-719/73 datë 12.06.2015, ndër të tjera, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës penale nr. 80001-00172-2015/73, datë 05.05.2015, me kërkues Kasandër Shpëtim Noga, me objekt ulje dënimi 180 ditë për periudhën 2-vjeçare 16.05.2005-16.05.2007, si të pabazuar në prova dhe në ligj”.

7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë arsyeton se kërkesa e kërkuesit Kasandër Noga duhet të rrëzohet si e pabazuar në ligj dhe prova. Me vendimin nr. 523, datë 06.06.2007, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë kërkuesi/i dënuari Kasandër Noga është dënuar përfundimi­sht me 25 vjet burgim. Ky është momenti final kur kërkuesit/të dënuarit Kasandër Noga i ka lindur mundësia për të ushtruar të drejtat si të gjithë të burgosurit e tjerë, që nuk janë dënuar me burgim të përjetshëm, për të përfituar uljet e dënimit që i takojnë për periudhën e pretenduar prej tij, periudhën 2-vjeçare 16.05.2005-16.05.2007.

8. Megjithëse kërkuesi/i dënuari Kasandër Noga pretendoi se sjellja e tij në të gjitha burgjet që ai ka qenë shembullor­e dhe në këtë kuptim, kjo e drejtë i ka takuar më parë, por ai vetë nuk e ka ushtruar këtë të drejtë brenda afatit ligjor në zbatim të nenit 63 të ligjit nr. 8328, datë 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”...

...Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 433 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:

Mospranimi­n e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Kasandër Noga kundër vendimit nr. 10-2016-684 (234), datë 29.03.2016, të Gjykatës së Apelit Durrës. Tiranë, më datë 29.06.2021

 ?? ?? Kasandër Noga
Kasandër Noga

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania